Ballina Aktualitet Ministri Durmishi thotë se disa veprimtari duhet të punojnë edhe të dielave,...

Ministri Durmishi thotë se disa veprimtari duhet të punojnë edhe të dielave, paralajmëron shportën e Ramazanit dhe të Pashkëve

Nuk duhet të hiqet “e diela ditë jopune”, por disa veprimtari duhet të lirohen, thotë ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.

Durmishi, në intervistëmn javore në Radio Evropa e Lirë, thotë se nuk pret manipulime me shportën konsumatore, ndërsa masë të ngjashme paralajmëron edhe për Ramazan dhe Pashkë, si dhe se rritje të kufirit për pensionim nuk parashikohet.

Lidhur me rekomandimet nga Këshilli Fiskal dhe Banka Botërore për rritjen e kufirit të moshës për pensionim dhe cili është qëndrimi i tij, Durmishi potencoi se në pajtim me riorganizimin e institucioneve, kompetenca e punës është tek Ministria e Ekonomisë dhe Punës, por kompetencat për pensionet janë të Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë.

“Unë, si anëtar i Qeverisë, do ta përsëris qëndrimin e kryeministrit se nuk është paraparë rritje e kufirit të moshës për pensionim. Por, t’ju informoj se, sa e di, po bëhen analiza për reforma të sistemit pensional”, deklaroi Durmishi.

I pyetur nëse është e mundur të plotësohet kërkesa e sindikatave që paga minimale të rritet në 450 euro, Durmishi thotë se sindikatat kërkojnë të rritet paga minimale, por nga ana tjetër i kemi punëdhënësit të cilët janë kundër rritjes së çdo vlere të pagës minimale derisa nuk rritet produktiviteti.

“Ne si Qeveri e kemi hapur si temë në kuadër të Këshillit ekonomik-social dhe kemi lënë që ata të harmonizohen. Siç janë harmonizuar për Ligin dhe rregullat si të rritet paga minimale në mars çdo vit, prap do t’i lëmë të harmonizohen. Çdo vendim që do të marrin punëdhënësit dhe sindikatat, ne u qëndrojmë në dispozicion dhe do t’i përkrahim. Duhet të shihen të gjitha palët e involvusara, duhet të shihen edhe punëdhënësit, në fund të fundit, ata janë ata që i hapin vendet e punës. Ata kanë kërkesë të rritet në fillim produktiviteti, e pastaj të rritet paga minimale. Në Propozim buxhetin për vitin 2025, janë paraparë mjete për rritjen e pagës mininale. Në fund të muajit shkurt, kur t’i marrim të dhënat përfundimtare, do t’i bëjmë analizat dhe do të shohim sa do të jetë kjo rritje e pagës minimale. Sipas të dhënave që i kemi deri tani, deri 11 muaj, paga minimale do të jetë rreth 24.400 denarë”, deklaroi Durmishi.

I pyetur nëse në Këshillin ekonomiko-social kanë biseduar edhe për revizionin e zgjidhjes ligjore për “e diel ditë jopune”, Durmishi thotë se edhe këtu ka palë të kundërshtuara.

“Punëdhënësit kërkojnë që të hiqet ‘e diel ditë jopune’, por nga ana tjetër kemi sindikatat që kërkojnë të mbetet ashtu siç është. Aktivitete të caktuara të zejtarëve, nga odat etj., kërkojnë që nga e diela të lirojmë disa aktivitete, që të jenë ditë jo pune. Pra, kjo temë hapet në kuadër të Këshillit ekonomiko-social. Çdo muaj mbahet nga një seancë dhe do të shohim se cilat veprimtari duhet të lirojmë që të mund t’i kryejnë detyrat e tyre dhe të kenë më shumë produktivitet”, deklaroi Durmishi.

Si ministër, ai potencoi se disa veprimtari të caktuara në drejtim të punës duhet të lirohen që të mund të dielën të punojnë, por të hiqet plotësisht “e diela ditë jopune”.

I pyetur për aksionin Shporta e Vitit të Ri, Durmishi thotë se po respktohet dhe është e realizueshme.

“Sipas të dhënave që i kemi pasur nga shporta e vjeshtës, ku i kemi ngrirë çmimet në 10% në tregtinë me pakicë dhe shumicë, aty janë përfshirë rreth 73 grupe të caktuara të prodhimeve, ajo masë i dha rezultatet e veta. Tani kemi lloj tjetër të masës, të cilën vet e ofrojnë trgetarët, prodhuesit dhe distribuesit. Më 5 dhjetor kur u paralajmërua kjo masë, ne deri atëherë kishim më shumë se 10 takime dhe janë përfshirë 675 produkte nga 58 tregtarë. Tani derisa flasim, ky numër është shtuar edhe më shumë. Arriti në 1.068 dhe shporta është e hapur deri më 15 janar…. Këto janë aksione ku në periudhë të festave, ne si Qeveri, pas Odës së biznesit, dalim të takojmë qytetarët për të përmirësuar standardin e jetesës dhe uljen e çmimeve. Natyrisht që do të ketë edhe më tej, si shporta e Ramazanit, e Pashkëve etj”, thekson Durmishi.