Ballina Top Lajm Rusia dënon shtetasin amerikan me 15 vjet burg për spiunazh

Rusia dënon shtetasin amerikan me 15 vjet burg për spiunazh

Një gjykatë në Moskë dënoi të martën shtetasin amerikan Eugene Spector me 15 vjet burg për spiunazh, thanë mediat shtetërore ruse.

Spector, i cili tashmë po vuante një dënim 3 vite e gjysmë në Rusi për ryshfet, iu komunikua akuza më e rëndë e spiunazhit në vitin 2023. Një dënim i ri prej 13 vitesh në një burg të sigurisë sëlartë iu shtua të martën kohës që ai kishte vuajtur tashmë, duke e çuar totalin në 15 vjet, njoftoi agjencia e lajmeve RIA Novosti.

Gjyqi u mbajt me dyer të mbyllura “për shkak të fshehtësisë së materialeve të çështjes”, sipas agjencisë së lajmeve Interfax.

“Vetëm pjesët hyrëse dhe vendimtare të dënimit u shpallën nga gjykata.”

Spector lindi në atë që atëherë ishte Bashkimi Sovjetik dhe më vonë u transferua në Shtetet e Bashkuara, ku mori nënshtetësinë. Ai u kthye në Rusi si i rritur dhe u bë ekzekutiv në një kompani pajisjesh mjekësore.

Ai u arrestua në vitin 2020 me akuzën se kishte mundësuar ryshfet për një ndihmës të ish-zëvendëskryeministrit rus Arkady Dvorkovich. Spector u dënua në një gjykatë në Moskë vitin e ardhshëm dhe gjithashtu u gjobit me rreth 14 milionë rubla, ose rreth 140,000 dollarë sot.

Ndihmësja, Anastasia Alekseyeva, e cila u raportua se kishte marrësi ryshfet udhëtime të shtrenjta jashtë shtetit, u dënua me 12 vjet burg, sipas mediave ruse.

Në gusht të vitit të kaluar, autoritetet ruse i dorëzuan Spector akuzat shtesë për spiunazh, megjithëse hollësitë e rastit nuk u bënë publike, thanë raportet e mediave lokale.

Përveç Spector, disa amerikanë të tjerë mbahen në Rusi. Arrestimet e shtetasve amerikanë në Rusi janë shtuar vitet e fundit, veçanërisht që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Moska në vitin 2022.

Uashingtoni ka akuzuar Moskën për shënjestrimin e qytetarëve amerikanë me akuza të pabaza, me synimin për t’i përdorur ato si pazare për të siguruar lirimin e rusëve të dënuar jashtë vendit për krime të rënda.

Në gusht, Rusia liroi tre amerikanë, duke përfshirë gazetarin e Wall Street Journal, Evan Gershkovich, i cili ishte burgosur me akuza për spiunazh për Shtetet e Bashkuara, si pjesë e shkëmbimit më të madh ndërkombëtar të të burgosurve që nga Lufta e Ftohtë.

Shkëmbimi përfshinte 24 të burgosur të mbajtur në shtatë vende: Rusia dhe Bjellorusia nga njëra anë dhe Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Sllovenia, Polonia dhe Norvegjia nga ana tjetër.

Rusia liroi 16 të burgosur, duke përfshirë një të burgosur në Bjellorusi, dhe mori tetë persona në këmbim, duke përfshirë atentatorin Vadim Krasikov, i cili ishte mbajtur në Gjermani.