Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, publikoi në rrjetin e tij Truth Social një paralajmërim të ashpër për pasoja të rënda në Lindjen e Mesme nëse pengjet e mbajtura nga Hamasi nuk lirohen kur ai të vijë në krye të Shtëpisë së Bardhë.
“Të gjithë po flasin për pengjet që po mbahen në Lindjen e Mesme mënyrë kaq të dhunshme, çnjerëzore dhe kundër vullnetit të gjithë Botës, – Por të gjitha janë vetëm fjalë dhe asnjë veprim! Nëse pengjet nuk lirohen përpara 20 janarit 2025, datës kur unë marr me krenari detyrën si President i Shteteve të Bashkuara, të gjithë ata që janë përgjegjës për këtë mizori do të përballen me ferrin. Ata që janë përgjegjës do të goditen më fort se kushdo që është goditur në Historinë e gjatë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. LIRONI PENGJET TANI!” shkroi Trump.
Kjo deklaratë e presidentit të zgjedhur amerikan u prit edhe nga presidenti i Izraelit i cili duke ripostuar këtë paralajmërim falënderoi Donald Trump.
Izraeli vlerëson se aktualisht janë 101 të burgosur izraelitë që mbahen ende në Gaza.
Aktivistët në Izrael i kanë kërkuar kryeministrit Benjamin Netanyahu që të pajtohet me një marrëveshje armëpushimi dhe një shkëmbim pengjesh dhe të burgosurish, por ankohen se në vend të kësaj ai ka penguar qëllimisht çdo marrëveshje të mundshme. Shumë akuzojnë se ai dëshiron të zgjasë luftën për mbijetesën e tij politike. Grupi palestinez Hamas tha të hënën se 33 pengje izraelitë të mbajtur në Gaza janë vrarë, kryesisht për shkak të sulmeve ajrore izraelite që nga 7 tetori 2023. Grupi paralajmëroi se agresioni i vazhdueshëm izraelit do të rriste numrin e vdekjeve midis pengjeve izraelite.