Gazetarja Aida Topalli ka treguar në studion e Quo Vadis në Vizion Plus gjithë skenarin që ka parë në kamera nga sherri në shkollën Fan Noli, ku humbi jetën 14-vjeçari Martin Cani më 18 nëntor.
Topalli thekson se në kamera shihen një grup adoleshentësh që grushtohen me njëri-tjetrin, teksa shton se nuk ka një autor të dytë.
Gazetarja tha se së bashku me autorin largohet dhe një shok i tij, por në kamera, i mituri nuk shfaqet me thikë me vete. Sipas Topallit, vetëm autori ka një thikë, me përmasat e një hanxhari.
Pjesë nga biseda:
Topalli: Pas ngjarjes së Gramshit, kjo është ngjarja e dytë më e rëndë. Ne jemi popull që shpesh e kalojmë masën. Të përdorësh politikisht një ngjarje ku janë të përfshirë vetëm të mitur, nuk duhet. Fajet nisin që nga familja, tek shoqëria që del e papërgjegjshme, dhe kalojnë te institucioni arsimor. Sigurisht, është një çështje e ndërlikuar për t’u hetuar. Pasi kaluan disa ditë dhe u përfol për një autor të dytë, kërkova të shoh nga afër pamjet filmike të regjistruara nga kamerat. Janë pamje që, nëse do transmetoheshin, do dilja kundër dhe do thosha se ne nuk dimë t’i trajtojmë rastet me të mitur.
Borakaj: Akti është i filmuar?
Topalli: Po, duket. Duket edhe akti i dhunës, është i filmuar nga larg. Videoja tregon gjithë skenarin se si ka ndodhur ngjarja. Janë të dy grupet e adoleshentëve, viktima me shokët dhe autori me shokët e tij. Të gjithë shkojnë pas një godine, përleshen me grushte dhe pastaj autori i kësaj ngjarjeje bie në tokë, goditet nga viktima. Më pas, nga poshtë, autori godet 14-vjeçarin. Edhe para, pas dhe gjatë ngjarjes ka pasur vazhdimisht sherr me grushte nga adoleshentët e tjerë. Shihen të gjithë që largohen, përveç viktimës dhe të plagosurit. Shihet autori i plagosur që largohet së bashku me një thikë që mbyllet, e cila duket si një hanxhar i madh. Ai është larguar me një nga shokët e tij me një taksi.
Borakaj: Ka një person të dytë?
Topalli: Nuk ka një person të dytë si autor. Një person tjetër largohet, por nuk ka thikë në dorë. Nuk e di si ka pranuar taksisti ta çojë në polici personin e plagosur dhe nuk e di nëse ai ka njoftuar policinë. Më vjen keq që ngjarja është përdorur politikisht. Ne po luajmë me ndjenjat e të dyja familjeve. /vizionplus.tv