Nga Xhelal Zejneli
Grupe të rralla shqiptarësh kishin marrë rrugën drejt Italisë qysh në vitet 1272, 1388 dhe 1393, por ngulime të dukshme kemi vetëm në mes të shekullit XV kur trupa shqiptare nën komandën e fisnikut shqiptar në Kalabri dhe Sicili
Dhimitër Reres (Demetrius Reres) u thirrën në Itali nga mbreti i Napolit Alfonsi I Aragon (1396-1458),i cili mbretëroi në vitet 1435-1458, për të mposhtur një kryengritje në Kalabri.
Ngulimet masive filluan me pushtimin e Ballkanit nga Turqia, gjë që shpuri në një eksod të madh të shqiptarëve drejt Italisë. Ky eksod u bë edhe më i ndjeshëm pas disfatës së qëndresës shqiptare me vdekjen e Gjergj Kastriotit(1405-1468), i cili kishte gjetur një mbështetje bujare nga Oborri Aragonas. Në vitet 1468-1478 valë refugjatësh braktisën Shqipërinë jugore për t’u ngulur në Basilikatë, Molize, Pulje dhe në Kalabri. Pas shtrirjes së Turqisë në More, në vitet 1532-1533 shumë shqiptarë ikën nga Greqia dhe u vendosën në Sicili. Këto valë refugjatësh formuan bërthamën e kolonizimit shqiptar në Italinë jugore, ndonëse emigrantë të tjerë pasuan në vitet e mëvonshme. Në vitet 1744-1746, një grup nga Piqerasi i krahinës së Himarës të Shqipërisë jugore u vendosën në Badhesë (ital. Villa Badessa) afër Peskarës. Grupi më i fundit u vendos në Brindizi di Montanja (ital. Brindisi di Montagna) afër Potencës, në vitin 1774. Shqiptarët themeluan ose ripopulluan mbi njëqind qytete dhe fshatra në Italinë jugore. Më tepër se gjysma e tyre gjenden në malësinë e Kalabrisë. Kah fundi i shekullit XX ka pasur rreth pesëdhjetë qytete të shpërndara anembanë Mezzogiorno-s, ku ende dëgjohet të flitet shqip. Këto bashkësi, që vlerësohet se përbëjnë një popullsi shqipfolëse prej rreth 90.000 vetëve, ndodhen në shtatë krahina: Abruce, Molize, Kampania, Pulje, Bazilikata, Kalabri dhe Sicili. Ato janë: krahina e Peskarës, krahina Kampobaso, krahina Avelino, krahina Foxhia, krahina Taranto, krahina Potenca, krahina Kozenca, krahina Katanxaro, krahina Palermo.
Edhe pse gjuha shqipe nuk është zhdukur në Itali pas pesëqind vjetësh ekzistence, italishtja po mbisundon edhe në fshatrat e veçuara malore. Në një numër bashkësish të lartpërmendura, shqipja flitet ende nga të gjithë banorët, kurse në ngulime të tjera, vetëm të rriturit janë dygjuhësh, kurse fëmijët flasin vetëm italisht. Në disa bashkësi të tjera, vetëm pleqtë e kuptojnë shqipen. Në komunikim nëpër fshatra është kaluar shkallë-shkallë nga shqipja në italishte dhe kjo për disa arsye: përdorimi i detyrueshëm i italishtes në të gjitha shkollat, mungesa e njohjes zyrtare dhe e mbështetjes nga qeveria italiane, mungesa e një territori të pandarë shqipfolës, mjetet e komunikimit në gjuhën italiane dhe sidomos emigrimi stinor për shkak të papunësisë kronike që ekziston në Italinë e jugut. Për komunikimi me shkrim, shqipja është përdorur vetëm nga një pakicë intelektualësh përderisa shkollimi dhe nxitjet kulturore të jashtme kanë qenë gjithmonë në gjuhën italiane. Dallimet ndemjet dialekteve të shqipes që fliten në Italinë e jugut dhe gjuhës letrare shqipe në Shqipëri, në Kosovë etj., e kanë bërë të vështirë për arbëreshët që t’i përshtaten shqipes letrare, për të komunikuar me shkrim.
Një degë e fuqishme e letërsisë që do të zhvillohej më vete jashtë Ballkanit ishte letërsia e italo-shqiptarëve apo e arbëreshëve të Italisë jugore.
* * *
Arbëreshë të Italisë quhen banorët e ngulimeve shqiptare që u vendosën në Italinë e jugut në shekullin XV e më vonë. Pas pushtimit osman, valë të popullsisë shqiptare, për të mos rënë në robëri, braktisën atdheun. Llogaritet të jenë shpërngulur rreth 200 mijë vetë. Një pjesë e vendosur në veri të Italisë në zotërimet venedikase, me kalimin e kohës u shkri. Të mërguarit nga Shqipëria qendrore dhe jugore u vendosën në tokat e mbretërisë së Napolit, ku iu caktuan vendbanime në Sicili, në Kalabri, në krahinat e Bazilikatës, Kapitanatës, Puljes, Molizes etj. Pas vitit 1532, këtyre iu shtuan të mërguar arbëreshë të ardhur nga Moreja. Valët e fundit të dyndjeve shqiptare arritën deri në fund të shekullit XVII. Tokat në përgjithësi të ashpra dhe shterpe që iu dhanë të mërguarve, këta me punë të palodhur i kthyen në toka buke, të ardhurat kryesore të të cilave shkonin në dobi të pronarëve. U krijuan rreth 80 fshatra arbëreshe. Ngulimet arbëreshe sot ndodhen në tri zona: në afërsi të Palermos fshatrat Hora e arbëreshëve (Piana degli albanesi) me dhjetë mijë banorë dhe Palazzo Adriano; në Kalabri fshatrat rreth Kozencës: Ungër (Lungro), Frashnit (Frascineto), Specano albaneze, Shën Mitër i Koronës etj. Fshatrat rreth qytetit Katanxaro dhe ato të krahinave të tjera përbëjnë ishuj të shpërndarë dhe të veçuar.
Arbëreshët bashkë me emrin e tyre të vjetër etnik që e morën nga mëmëdheu, ruajtën deri në ditët tona gjuhën dhe kulturën e vet, si dhe kultin e heroit Gjergj Kastriotit. Rol të rëndësishëm në këtë luajtën traditat e tyre luftarake si dhe kontradiktat e thella që kishin ata me banorët feudalë italianë dhe me kishën latine të Romës që synonte t’i nënshtronte nën juridiksionin e vet. Në ruajtjen e traditave kombëtare luajtën rol edhe shkollat si Kolegji italo-shqiptar i Palermos dhe Kolegji i Shën Adrianitnë Kalabri, të themeluar në gjysmën e parë të shekullit XVIII. Nga gjiri i tyre dolën një varg shkrimtarësh dhe njerëzish të ditur, të cilët dhanë ndihmesë të madhe për lëvrimin e gjuhës së popullit dhe për njohjen e historisë së tij. Sidomos Kolegji i Shën Adrianit me qendër në Shën Mitër të Korones u bë një vatër ku u rritën breza të tërë të inteligjencies patriotike arbëreshe që u shquan edhe në lëvizjen revolucionare të Risorxhimetos për bashkimin e Italisë, por edhe si mendimtarë dhe shkrimtarë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, si zëdhënës të saj në botën e jashtme nëpërmjet organeve të shtypit të tyre.
Figura e shquar e luftës për çlirimin dhe bashkimin e Italisë, gjenerali XhuzepeGaribaldi (GiuseppeGaribaldi, 1807-1882) në një letër drejtuar shkrimtares dhe publicistesDora d’Istria(Elena Gjika, 1829-1888) vlerësonte vetëmohimin e arbëreshëve të Italisë në luftën për bashkimin e gadishullit italik dhe për krijimin e shtetit të pavarur italian.
Edhe pse ndryshimet e mëdha ekonomiko-shoqërore bashkëkohore dhe shpërnguljet për punë jashtë vendit i kanë gërryer, kolonitë arbëreshe po përjetojnë sot një zgjim të shënuar të ndërgjegjes së tyre dhe një rritje të veprimtarisë në fushën e kulturës. Këtë e dëshmojnë një varg revistash në gjuhën letrare shqipe, në të cilën ata kanë aderuar duke nën shkruar vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe,të mbajtur në Tiranë në vitin 1972. Arbëreshët po bëjnë sot përpjekje për të siguruar të drejtën për mësimin e gjuhës amtare në shkollat fillore të komunave të tyre. Ata mbajnë lidhje të vazhdueshme me vendin mëmë, Shqipërinë. Bashkë me gjuhën amtare, që ka tipare arkaike, kolonitë arbëreshe ruajnë deri në ditët e sotme doket dhe zakonet, traditat e lashta në fushën e kulturës materiale dhe shpirtërore që bëjnë të mundur që përmes tyre të njihet një pjesë e kulturës popullore shqiptare të shekullit XV. Dallohen sidomos kostumet popullore të grave me bukuritë dhe pasuritë e stolisjeve të tyre, folklori i pasur me poezinë epike heroike, në të cilin ruhet i gjallë deri në ditët e sotme kujtimi i luftërave legjendare të shqiptarëve nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit. Në zakonet e dasmës dhe të lindjes, në festat popullore, në këngët, në lojërat dhe vallet që i shoqërojnë, ende ruhen shumë elemente që janë të ngjashme me ato të atdheut amë. Ato dëshmojnë për njësinë kulturore etnike të trungut të kombësisë shqiptare, nga i cili arbëreshët u shkëputën para shumë shekujsh, pa humbur dashurinë dhe lidhjet gjithmonë të gjalla me mëmëdheun e tyre të lashtë.
* * *
Në mesjetën e hershme gjuha shqipe është quajtur arbërishte. Kështu e quajnë edhe sot arbëreshët e Italisë dhe arbëreshët e Greqisë. Fjalët arbërisht dhe gjuhë arbëreshe apo arbëneshevijnë nga emri i hershëm etnik i popullit shqiptar dhe i vendit të tij, arbër a arbën. Në Shqipëri gjatë dy-tre shekujve të fundit këto fjalë janë zëvendësuar nga fjalët shqip dhe gjuha shqipe. Prej tyre janë formuar edhe emrat e prejardhur shqiptar dhe Shqipëri. Së pari del e dokumentuar ndajfolja shqip e cila haset një herë në “Mesharin” e Gjon Buzukut (shekulli XVI) dhe katër herë në veprat e PjetërBudit(1566-1622).
* * *
Në shekujt XVIII dhe XIX, arbëreshët e Italisë zhvilluan një letërsi me vlera artistike të çmueshme. Por, krijues i parë ishte Lekë Matrënga (1567-1619), i lindur në fshatin Hora e Arbërshëve afër Palermos, në Sicili. I përket shekullit XVI dhe fillimit të shekullit XVII. Është autor i të parës poezi në gjuhën shqipe “Canzonaspirituale”(Kënga e përshpirtshme). Ky është i pari shkrim i shkruar në dialektin e toskërishtes. Pasojnë poetët e parë arbëreshë të shekullit XVIII, si Nikollë Brankati (1675-1741), Nikollë Filja (1682? – 1769), Nikollë Keta (1740? – 1803). Ky është autor i tingëllimës së parë shqiptare. T’u kthehemi maleve të Kalabrisë nga vjen i pari poet arbëresh vërtet i talentuar Jul Variboba (1724-1788). Ky lindi në fshatin Mbuzat në krahinën e Kozencës. Është autor i poemës së parë në gjuhën shqipe “Gjella e Shën Mërisë Virgjër (Jeta e Shën Mërisë Virgjër),Romë, 1762.
Shkrimtar më i njohur i letërsisë arbëreshe dhe figura më e shënuar e lëvizjes kombëtare shqiptare në Italinë e shekullit XIX është Jeronim De Rada (1814-1903). Vjen nga malet e krahinës së Kozencës. Është katalizator i ndërgjegjes kombëtare shqiptare. Mbajti letërkëmbim me figura të njohura të Rilindjes, si Thimi Mitko(1820-1890), ZefJubani(1818-1880), Sami Frashëri (1850-1904) dhe Dora d’Istria (1828-1888) si dhe me studiues e shkrimtarë të huaj, si albanologu francez Ogyst Dozon (Auguste Dozon, 1822-1891), baronesha Jozefinfon Knorr (Josephine von Knorr, 1827-1908) dhe gjuhëtari austriak (Gustav Majer (Gustav Meyer, 1850-1900). De Rada pati edhe inkurajimin e poetit dhe politikanit francez Alfons dë Lamartin (Alphonse de Lamartine, 1790-1869). Poeti provansal Frederik Mistarl (Frédéric Mistral, 1830-1914) e ka shprehur adhurimin e vet për poemën “Këngët e Milosaos” (Napoli, 1836) të De Radës. Më 1856, vargje të De Radës ishin përkthyer në gjermanisht nga Hajnroh Kristof (Heinrich Christoph Gottlieb Stier).
Zgjimi kulturor romantik i arbëreshëve në mesin e shekullit XIX solli një tjetër shkrimtar me talent origjinal. Ky është Françesk Anton Santori (1819-1894). Vjen nga Picilia e krahinës së Kozencës. Është autor i së parës dramë të shkruar në gjuhën shqipe “Emira”. Disa pjesë të saj u botuan në vitin 1887 në revistën “Fiamuri Arbrit” të De Radës.
Pas De Radës dhe Santorit vjen Gavril Dara i Riu (1826-1885) nga Pallac I Sicilisë. Është autor i baladës romantike “Kënka e sprasme e Balës” (Katanxaro 1906). Pason poeti lirik Zef Serembe(1844-1901) i lindur në Strigar të krahinës kalabreze të Kozencës. Shpirt i shqetësuar, i parathënë për të mbajtur barrën e rëndë të vuajtjeve njerëzore. Ishte poet i ndjenjës, i vetmisë dhe i zhgënjimit.
Disa studiues arbëreshë janë marrë edhe me folklorin e tyre, i kanë mbledhur dhe i kanë botuar këngë popullore të tyre dhe thesarin shpirtëror.
Në shekullin XIX ka pasur edhe shkrimtarë të tjerë arbëreshë, si BenjaminFrashini, KostantinoAskuri, Kostantin Beluçi Shalja, Euxhenio peta, Vinçenco Suli, Françesko Parrino, Demetrio Parrino, Gavril Dara Plaku, i biri Andrea Dara (babai i Gavril Dara të Riut), Mose Troiano, Karlo Dulçi, Akil Parapunja, Bonifac Tamburi, Zef Gualiata, Vinçenc Bazile, Vinçenc Stratigo Zef Engjëll Noçiti, Bernard Bilota.
Ndihmesë për kulturën shqiptare kanë dhënë edhe shkrimtarë dhe studiues arbëreshë të cilët kanë shkruar italisht.
Arbëreshët janë marrë me krijimtari letrare artistike edhe në shekullin XX. Ata krijojnë art edhe sot, d.m.th. në shekullin XXI. Ka arbëreshë që merren edhe me studime dhe hulumtime shkencore.
@tetovanews
@tn.lajmelokale