Ballina Aktualitet Arben Fetai: Ne jemi Aleanca brenda Koalicionit VLEN. Kryetarët po na i...

Arben Fetai: Ne jemi Aleanca brenda Koalicionit VLEN. Kryetarët po na i grabit një nga një Ali Ahmeti! Arben Taravari e shiti idealin e ASH-së për interesa personale (VIDEO)

Pas shkarkimit nga ASH-ja e Taravarit, Arben Fetai tha se do të vazhdojnë si partnerë të barabartë në koalicionin VLEN, që siç tha, me të njëjtin profesionalizëm dhe me të njëjtin dedikim. Fetai tha se Aleanca po vazhdon rrugën e saj të drejtë, ndërkohë që falënderoi aktivistët për përkrahjen.

“Ne do të vazhdojmë si partnerë të barabartë të koalicionit VLEN me të njëjtin profesionalizëm dhe me të njëjtin dedikim duke i shërbyer qytetarëve me nderë dhe me vendosmëri. Aleanca nuk dorëzohet, Aleanca as nuk shitet. Aleanca qëndron e fortë. Faleminderit për besimin dhe përkrahjen tuaj të palëkundur. Aleanca do të vazhdojë në rrugën e saj të drejtë më e kthjellët dhe më e vendosur se kurrë”, tha Fetai.

@tn.lajmelokaleZv.kryeministri Arben Fetai: “Ngelim në VLEN, Arben Taravari e shiti idealin e ASH-së për interesa personale”♬ original sound TN – Lajme Lokale

Të nderuar qytetarë, të nderuar përfaqësues të mediave,
Të dashur aktivistë dhe përkrahës të Aleancës për Shqiptarët,

Sot jemi këtu për t’ju drejtuar juve, me sinqeritet, me dashamirësi dhe me vendosmëri – si bashkëudhëtar në një rrugë që e kemi nisur bashkë, me bindje të palëkundura, me shumë mund po edhe me shumë shpresë.

Aleanca për Shqiptarët nuk është thjesht një parti. Aleanca është vizion. Një mision që buron nga shpresa për dinjitet, për drejtësi dhe për zhvillim të barabartë për çdo shqiptar në këtë vend.

Në këtë periudhë të trazuar politike, kur regjimi i vjetër po bën përpjekjet e fundit për të zbehur shpresën për ndryshim, ne kemi zgjedhur të mos reagojmë me ngut. Kemi zbritur në bazë, kemi dëgjuar aktivistët tanë, kemi biseduar me partnerët dhe kemi reflektuar, me qetësi e përgjegjësi.

Ne nuk dorëzohemi përballë skenarëve destabilizues dhe pazareve të natës. Nuk lejojmë që vullneti i anëtarësisë dhe vota e qytetarit të kontrabandohen. Ne vazhdojmë të punojmë aty ku merren vendimet dhe aty ku bëhet ndryshimi.

Sepse ne besojmë se vendi ynë ka nevojë për stabilitet, për zhvillim, për qeverisje të përgjegjshme dhe për një Aleancë që nuk tradhton besimin e dhënë nga qytetarët.

Ne nuk jemi këtu për interesa personale. Ne jemi këtu për përgjegjësi. Për të përkthyer premtimet në rezultate konkrete. Dhe këtë nuk mund ta bëjmë duke braktisur betejën në mes të rrugës, duke dezertuar për të rikthyer ata që degraduan çdo gjë shtetërore, çdo gjë kombëtare.

Aleanca nuk është ndërtuar për të qenë vegël e askujt. Ajo është ndërtuar për të qenë zë i qytetarëve, zë i ndryshimit, zë i barazisë. Kemi dëgjuar bazën tonë. Kemi takuar aktivistët tanë në çdo qytet – nga Likova deri në Strugë. Dhe mesazhi është i qartë: shqiptarët duan vazhdimin e ndryshimit, jo kthimin e të vjetrës.

Ky mesazh dita ditës po kthehet në frymë të re e cila nuk ka të ndalur. Ne nuk e dëmtojmë këtë frymë, as për poste, as për pazare me komuna, e nesër për bashkëqeverisje me të vjetrën.

Qeveria sot është më stabile se kurrë, e përkushtuar ndaj reformave dhe e vendosur për integrim. Aleanca për Shqiptarët ka një rol kyç në këtë proces, dhe ne nuk do të heqim dorë nga ky mision.

Sa u përket mbledhjeve të degëve gjysmake që po quhen “kuvende partiake” dhe që përçajnë e etiketojnë, ato nuk përfaqësojnë frymën dhe as statutin e Aleancës. Shprehim zhgënjimin tonë për fyerjet që i janë bërë rinisë dhe gruas shqiptare në emër të Aleancës, por përgjegjësia jonë është të mos e humbim drejtimin edhe kur të tjerët degradohen.

Ne do të vazhdojmë si partnerë të barabartë në koalicionin VLEN, me të njëjtin profesionalizëm dhe përkushtim – duke i shërbyer qytetarëve tanë me nder dhe me vendosmëri.

Të dashur qytetarë,
Të dashur aktivistë dhe mbështetës,

Aleanca për Shqiptarët do të vazhdojë të ndërtojë, jo të rrënojë. Ne jemi këtu për të bashkuar, jo për të ndarë. Ne do ta mbajmë besën që u kemi dhënë – për të qenë zëri juaj në institucione, në çdo lagje e në çdo fshat, dhe në çdo betejë për drejtësi e barazi.

Aleanca nuk dorëzohet. Aleanca nuk shitet. Aleanca qëndron!

Faleminderit për besimin dhe për përkrahjen tuaj të palëkundur.

Aleanca vazhdon në rrugën e saj të drejtë – më e kthjellët dhe më e vendosur se kurrë.

LEXO:
VIDEO bonus:
@tetovanews
@tn.lajmelokale