Ballina Bota Flasin ekspertët/ E vërteta e videos së Anakondës gjigande në Amazonë

Flasin ekspertët/ E vërteta e videos së Anakondës gjigande në Amazonë

Çdo herë, është e njëjta skenë: një helikopter fluturon mbi një lumë në zemër të Amazonës. Dhe pastaj, papritmas, një hije e gjatë dhe e hollë shfaqet në ujë, një anakondë gjigante me gjatësi disa dhjetëra metra.

“Pamjet e gjarprit u shfaqën në Amazon gjatë xhirimeve të një dokumentari”, – shkruan videoja e cila është parë më shumë se 1.5 milionë herë. Një video tjetër e parë 14 milionë herë në “X” tregon një tjetër gjarpër me gjatësi deri në 30 metra.

Këto imazhe, megjithëse absurde, kanë bërë që shumë përdorues të dyshojnë në vërtetësinë e tyre. Disa video shkojnë edhe më tej sa japin detaje se ajo është filmuar në Peru.

Megjithatë, dy videot më virale janë krijime grafike të krijuara nga inteligjenca artificiale. Ato mund të identifikohet nga disa detaje. Në të parën, shkrimi në helmetën e pilotit të helikopterit është i çrregullt dhe nuk korrespondon me asnjë markë të njohur të helmetave ushtarake. Gjarpri i supozuar duket gjithashtu i prerë në dysh.

Në videon e dytë, që është edhe më e qartë, në mes të videos shfaqen dy koka gjarpri përpara se të zhduken. Gjithashtu vërejmë se ajo që është e dukshme në ekranin e kamerës nuk korrespondon në asnjë mënyrë me atë që është filmuar.

Ekipi i Verifikuesve të mediave franceze ka gjurmuar origjinën e këtyre dy videove. E para është bërë nga Salvador Servin, një artist meksikan, videoja e të cilit është parë më shumë se 72 milionë herë.

E dyta u zhvillua nga një krijues indian i videove me inteligjencë artificiale, Subarna Mahanti, dhe është parë 392 milionë herë. I kontaktuar nga TF1, ai shpjegoi se i janë dashur “vetëm 30 minuta për të krijuar këtë video” duke përdorur një mjet online. “Ideja për të bërë këtë video nuk ishte e planifikuar. Thjesht kjo më erdhi në mendje”, – thotë ai.

Duhet thënë se gjatë javës së kaluar, kjo lloj videoje është shumëfishuar. Kemi parë që disa dhjetëra të tilla janë krijuar në TikTok në veçanti vetëm në ditët e fundit. Disa janë të papërpunuara, të tjerat janë shumë më realiste dhe mund të hedhin dyshime mbi vërtetësinë e tyre, kur nuk specifikohet se janë video të gjeneruara nga IA.

Këto video e bënë të hidhej përpjetë Anthony Herrel, herpetolog, drejtor kërkimesh dhe studiues në Muzeun Kombëtar të Historisë Natyrore të Francës. Së pari, për arsye shkencore.

“Gjarpërinjtë shumë të mëdhenj, siç janë boat, janë shumë të rëndë dhe nuk mund të lëvizin kaq shpejt. Megjithatë, lëvizja është jetike që një gjarpër të jetë në gjendje të gjuajë”, – shpjegon studiuesi. Për të lëvizur, shumë specie shumë të mëdha shpesh përfitojnë nga rrjedhat e ujit. “Një kafshë kaq e gjatë do të duhej të kishte gjithashtu presion shumë të lartë të gjakut për të mbajtur gjakun në qarkullim kudo dhe për të parandaluar vdekjen e menjëhershme”, shton ai.

“Ekzemplari më i madh i matur dhe i dokumentuar shkencërisht i anakondës ishte në Venezuelë i gjatë 6.20 metra”, – shpjegon Anthony Herrel. “Në Guajanë, u mat edhe një anakondë prej 5.30 metrash” – shton ai duke theksuar se përmasa të tilla janë të pamundura. ©LAPSI.al

LEXO:
VIDEO bonus:
@tetovanews
@tn.lajmelokale