Policia greke ka arrestuar Mikel Selimajn, një 49-vjeçar shqiptar, si autorin e dyshuar të vrasjes së Altin Arapajt, 41 vjeç, që ndodhi në zonën e Rafinës. Selimaj u kap në një banesë në Glyka Nera, ku pas një kontrolli u gjet edhe automjeti i përdorur në ngjarje, brenda të cilit u zbuluan gjurmë gjaku dhe një gëzhojë.
Sipas burimeve të protothema.gr, krimi ndodhi të mërkurën në mëngjes, pasi viktima kishte kontaktuar gruan e tij duke i treguar se ishte qëlluar në fytyrë nga një person i njohur për të. Ai i kërkoi asaj të përpiqej ta gjente para se të ndërronte jetë.
Hetimet zbuluan se viktima, autori dhe dy persona të tjerë ishin takuar mbrëmjen e së martës në Artemidë. Më pas ata udhëtuan me makinë drejt Rafinës dhe ndaluan në kryqëzimin e rrugëve Pefkon dhe Arionos. Aty, autori dyshohet se ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar viktimën në faqe.
Pas të shtënës, Arapaj arriti të largohej në këmbë dhe të telefononte gruan, por më pas ndërroi jetë. Autori u largua nga vendi i ngjarjes me automjetin. Të dy, si viktima ashtu edhe autori, rezultojnë të kenë qenë të njohur më parë për autoritetet për çështje të lidhura me drogën.
@tetovanews
@tn.lajmelokale