Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka lëshuar një paralajmërim për “egoizmin” mes udhëheqësve europianë, pasi një përplasje diplomatike e ashpër shpërtheu mes saj dhe presidentit francez Emmanuel Macron.
Përplasja nisi të premten gjatë samitit të Komunitetit Politik Europian në Shqipëri.
Gjatë këtij samiti, Meloni nuk u ftua të marrë pjesë në një telefonatë të përbashkët me Donald Trump-in. Ajo u tha gazetarëve italianë se ishte përjashtuar për shkak të refuzimit të saj për të dërguar trupa në Ukrainë, si pjesë e një “koalicioni të të gatshmëve” që ishte propozuar.
Presidenti Macron, i cili ishte në telefonatë së bashku me kryeministrin britanik Keir Starmer, presidentin polak Donald Tusk dhe kancelarin gjerman Friedrich Merz, akuzoi Melonin për përhapje të dezinformatave.
“Diskutimi ishte për një armëpushim, të mos përhapim informacione të rreme. Ka mjaftueshëm nga ato që vijnë nga Rusia,” tha presidenti francez.
Meloni u takua me kancelarin Merz në Romë, një ditë përpara inaugurimit të Papës Leon XIV, në një përpjekje për të zbutur tensionet.
Megjithatë, pas takimit ajo u bëri thirrje të gjithë liderëve të “lënë mënjanë egoizmin” dhe të përqendrohen në ndërtimin e një fronti të bashkuar për një marrëveshje paqeje që nuk nënkupton dorëzimin e Ukrainës.
Mediat italiane e përshkruan mungesën e kryeministres nga telefonata në samitin e Shqipërisë si një përjashtim të qëllimshëm, duke sugjeruar se Macron nuk kishte dëshiruar pjesëmarrjen e saj.
Të shtunën, Meloni tha për gazetarët se Italia është e gatshme të bashkohet me çdo format ndërkombëtar që synon t’i japë fund luftës, por paralajmëroi kundër përçarjeve brenda Perëndimit.
“Uniteti perëndimor ka qenë forca jonë më e madhe që nga fillimi i pushtimit rus,” tha ajo. “Në një moment kaq delikat, është e rëndësishme të lëmë mënjanë çdo dallim personal që mund ta minojë atë unitet.”
Në takimin në Romë, kancelari Merz tha: “Nuk duhet të lejojmë që të përçahemi.”
Ai shtoi: “Do të zhvilloj bisedime në BE gjatë ditëve në vijim dhe do të përfshij Italinë në të gjitha përpjekjet tona për të zgjidhur këtë konflikt.”
Raportet mes Melonit dhe Macron-it janë prej kohësh të ftohta. Meloni është kapur edhe nga kamerat duke rrotulluar sytë pasi i ka dhënë dorën presidentit francez në takime të mëparshme.
Kryeministrja italiane ka qenë një mbështetëse e fortë e Ukrainës dhe ka ndërtuar gjithashtu marrëdhënie personale të afërta me Donald Trumpin. Por ajo ka qenë shumë kritike ndaj planeve për të dërguar trupa në Ukrainë si paqeruajtës për të monitoruar një armëpushim të përhershëm.
Prej disa ditësh, Meloni është nën presion të madh nga opozita dhe kritikët në Itali, të cilët thonë se ajo po anashkalohet nga udhëheqësit europianë.
Presioni ndaj Shtëpisë së Bardhë
Ndërkohë, kancelari gjerman Merz, presidenti Macron dhe kryeministri britanik Starmer po shtyjnë përpara diskutimet me Shtëpinë e Bardhë lidhur me Ukrainën.
Fillimisht ishte një udhëtim me tren drejt Kievit, më pas të premten një takim dhe në fund një telefonatë e përbashkët me Trump, në margjinat e samitit të Komunitetit Politik Europian në Tiranë, ku morën pjesë 40 udhëheqës europianë.
Telefonata me Trump-in u bë pasi bisedimet për paqe mes Rusisë dhe Ukrainës dështuan në Stamboll po atë ditë. Grupi që mori pjesë në bisedë, i cili përfshinte edhe presidentin ukrainas Zelensky, por jo Melonin, publikoi më pas një deklaratë ku kërkesat e Rusisë u cilësuan si të papranueshme.
Trump pritet të flasë me presidentin rus Vladimir Putin të hënën, pasi zëvendëspresidenti i tij zhvilloi një bisedë direkte me Zelensky-n në margjinat e meshës së Papës të dielën.
Putin deklaroi të dielën se Rusia ka “forcën dhe burimet” për ta përmbyllur atë që nisi me pushtimin e Ukrainës.
“Ne kemi mjaftueshëm forcë dhe burime për ta çuar në një përfundim logjik atë që nisi në vitin 2022, me rezultatin që i nevojitet Rusisë,” tha ai, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Po të dielën, Rusia nisi sulmin më të rëndë me dronë ndaj Ukrainës që nga fillimi i pushtimit në vitin 2022, duke lëshuar gjithsej 273 dronë gjatë natës, sipas forcave ajrore ukrainase. / The Telegraph – Syri.net
@tetovanews
@tn.lajmelokale