Një turmë e madhe njerëzish të dëshpëruar sulmuan një depo ushqimore në Gazën qendrore të enjten, tha Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së, ndërsa situate për popullsinë e Rripit mbetet e tmerrshme.
Pamjet filmike treguan mijëra njerëz që sulmuan depon e Al-Ghafari në Deir al-Balah dhe morën qese me miell dhe kuti me ushqim.
Në ato momente u dëgjuan të shtëna me armë zjarri, por nuk është e qartë se nga erdhën.
Sipas mediave të huaja, dy persona u vranë nga të shtënat me armë zjarri dhe dy të tjerë humbën jetën pasi u shkelën nga turma, ndërsa shumë të tjerë u plagosën në incident.
Në një deklaratë, Programi Botëror i Ushqimit tha se nevojat humanitare në Gaza kishin “dalë jashtë kontrollit” pas bllokadës gati tre-mujore izraelite, megjithëse ajo u lehtësua pak javën e kaluar.
Autoritetet izraelite thanë të mërkurën se 121 kamionë që i përkisnin OKB-së dhe bashkësisë ndërkombëtare, të cilët transportonin ndihma humanitare, përfshirë miell dhe ushqime, u transferuan në Gaza.
Një zyrtar i lartë i OKB-së u tha gazetarëve të mërkurën se turma të dëshpëruara po plaçkitnin ngarkesën nga kamionët me ndihma të OKB-së.
Izraeli filloi të lejojë një sasi të kufizuar ndihmash në Gaza javën e kaluar. Megjithatë, e dërguara e OKB-së për Lindjen e Mesme, Sigrid Kaag, i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së se kjo ishte “si një pikë uji në oqean”, pasi të gjithë në Gaza po përballeshin me rrezikun e urisë./vizionplus.tv
@tetovanews
@tn.lajmelokale