Nga Xhelal Zejneli
Fjodor Mihajloviç Dostojevski është shkrimtar rus me prejardhje ukrainase. Ka lindur në Moskë më 11 nëntor të vitit 1821. Si romancier, novelist dhe publicist, disa kritikë letrarë e kanë vlerësuar si shkrimtarin më të rëndësishëm të historisë.
Në vitin 1867 u martua me Ana Grigoryevna Dostojevskaja (Shën-Peterburg, 1846 – Jaltë/Yalta, 1918). Ishte gruaja e dytë e Dostojevskit. Ishte autore memoaresh, stenografe dhe asistente.
Për prejardhjen e Dostojevskit flet vajza e tij Ljubov Fyodorovna Dostojevskaja (Dresden, Gjermani, 1869 – Bolzano, Itali, 1926) në librin “Babai im Fjodor Dostojevski”. Libri është botuar në gjuhën frënge në vitin 1921, me rastin e shënimit të 100-vjetorit të lindjes së shkrimtarit.
Midis tjerash ajo shkruan: “Duke lexuar biografinë e babait tim, gjithmonë më ka habitur fakti se si biografët e kanë paraqitur atë vetëm si rus, madje edhe rus shkuar rusit. Dostojevski ka qenë rus vetëm nga nëna, kurse paraardhësit e tij nga babai kanë qenë lituanë; Kur Rusia në shekullin e 18-të e anekson Lituaninë, Dostojevskët nuk kanë jetuar më atje. Ata kanë kaluar në Ukrainë; Shpesh kam mundur të dëgjoj babanë dhe xhaxhallarët të thonë: ‘Ne Dostojevskët kemi lituanë dhe jo polakë’. Dostojevskët kanë qenë katolikë…; Si katolikë të bindur, bijtë e tyre i kanë dërguar në shkollat latine të vendit. Të parët e babait tim kanë pasur arsimim latin të jashtëzakonshëm të cilin katolikët e kanë propaganduar kudo ku kanë qenë.”
* * *
Dostojevski ndoqi në Shën-Peterburg studimet ushtarake të inxhinierisë dhe i kreu. Herët vendosi t’i përkushtohet vokacionit të shkrimtarit. E përktheu romanin “Evgjeni Grande” (Eugénie Grandet, 1883) të shkrimtarit francez Honore dë Balzak (Honoré de Balzac, 1799-1850). Nën ndikimin e tregimtarit dhe komediografit rus me prejardhje ukrainase Nikolaj Vasileviç Gogol (1809-1852) e shkroi veprën e vet të parë, tregimin “Njerëz të mjerë” (1846). Është vepër epistolarë, d.m.th. e shkruar në formë letrash. Tregimi i sipërthënë e entuziazmoi kritikun rus më të rëndësishëm Visarion Grigorjeviç Bjelinskin (1811-1848), ndërsa Dostojevskit i mundësoi të depërtojë në qarqet letrare ruse. Në atë kohë ai hyri në qerthullin e socialistëve-utopistëve të cilët i udhëhiqte teoricieni utopist rus Mikhail Batusheviç-Petrashevski (Mikhail Batusheviç-Petrashevsky, 1821-1866). Veprimtaria revolucionare e tij përbëhej prej debateve private për të ardhmen e Rusisë, për reformën e sistemit shoqëror, për demokratizimin dhe çlirimin nga bujkrobëria.
Socializmi utopist i tij nuk i ndoqi doktrinat materialiste siç ishin ato të antropologut dhe filozofit gjerman Ludvig Fojerbah (Ludwig Feuerbach, 1804-1872), por mbiu prej koncepteve idealiste të filozofit francez Sharl Furie (Charles Fourier, 1772-1837) dhe të dramaturgut, poetit dhe eseistit gjerman Fridrih Shiler (Friedrich Schiller, 1759-1805). Më vonë ato pikëpamje i përqeshi, por ato nuk pushuan të jenë qendër e opsesioneve të tij.
Pasi u kthye në Shën-Peterburg, Dostojevski botoi romanin“Shënime nga shtëpia e të vdekurve” (1860-1862). Është një përshkrim i fiksionalizuar i robërisë së vet ku i pasqyron në mënyrë realiste bashkudhëtarët – robër. Romani korri sukses të madh dhe i solli autorit rehabilitim të pjesshëm nga Perandori.
Periudha e madhe e kreativitetit – Prej vitit 1864 filloi periudha më frytdhënëse e krijimtarisë letrare të tij. Atëherë e botoi romanin “Shënime nga nëntoka” (1864). Ky është një prej romaneve të shkurtra narrative më intensive. Është paraardhës i veprave të ngjashme të romancierit, eseistit dhe dramaturgut francez Alber Kamy (Alebrt Camus, 1913-1960), të shkrimtarit dhe enciklopedistit kroat Miroslav Kërlezha (1893-1981) dhe të prozatorit francez Luis-Fernand Selin (Louis-Fernand Céline, mbiemri i vërtetë Destouches, 1894-1961).
Në këtë vepër Dostojevski zbatoi një sërë procedimesh në të cilat e përtëriu prozën dhe caktoi modelin e romaneve të tij të mëdha të ardhshme: qërimin ideologjik të hesapeve me stereotipat utopistë dhe “humanistë” në përgjithësi; një sërë kapitujsh eseistikë që janë dialogë sokratianë të dramatizuar në thelb, të zhvilluar në një atmosferë të ngjeshur me pasione dhe skandale; stili zhurnalist qëllimi i vetëm i të cilit ishte kumtimi funksional i vizionit të autorit dhe jo përjetimi estetik, tipologjia psikologjike që i përfshin më së shpeshti të krishterët e përvuajtur dhe të përulur, siç janë Sonja Marmeladova, Aljosha Karamazov, princi Mishkin; cinikët nihilistë siç janë Svidrigajlov dhe Nikolaj Stavrogin; intelektualët radikalë në luftë kundër vlerave të njohura nga të gjithë apo “ateistët religjiozë” siç janë Rodion Raskolnikovi, Ivan Karamazovi, Kirilovi; fëmijët “e familjeve të rastësishme” dhe njerëzit të cilëve u është cenuar dinjiteti siç është heroi i romanit “I riu” (1875); romani “Shënime nga nëntoka” (1864).
“Shënime nga nëntoka” është një prej romaneve ekzistencialiste të para në historinë e letërsisë botërore. “Shënimet nga nëntoka” janë shënime të një rrëfyesi të hidhur, të izoluar dhe të pabesueshëm. I bazuar në unitetin e dy komplekseve kundërshtare, kompleksit të inferioritetit dhe kompleksit të superioritetit, njeriu i nëntokës në pikëpamje sociale është i papranueshëm, i parealizuar dhe i varfër, por në pikëpamje shpirtërore dhe intelektuale është superior ndaj të tjerrësve. Në të njëjtën kohë labil dhe arrogant, ai bën pjesë në radhët e antiheronjve më të admiruar të të gjithë personazheve të Dostojevski.
Shënim: Shumë kritikë letrarë Miroslav Kërlezhën e konsiderojnë si më të madhin shkrimtar kroat të shekullit XX.
* * *
Teknika e përroit të ndërgjegjes – Teknikën e përroit të ndërgjegjes Dostojevski e zhvilloi në veprat e veta shumë më herët se që u popullarizua në romanin angloamerikan të shekullit XX. Për këtë arsye e konsiderojnë zanafillës të romanit modern dhe psikologjik. Edhe pse realizmi letrar është periudha në të cilën krijoi ky autor, në veprat e tij ai shihet vetëm si shtresë e jashtme. Ai nuk mund të depërtojë në psiken e njeriut, në gjendjet, në mendimet e përshkuara nga simbolika filozofike shumëkuptimore, të formësuar nga fantastika. Këtë e arrin me një varg elementesh moderniste me të cilat, në mënyrë unike shmanget nga poetika e realizmit.
Ngjarjet e shumë romaneve të Dostojevskit zhvillohen në një atmosferë të zymtë të nëntokës metropolitane, d.m.th. të botës së krimit. Në qendër ndodhen ngjarjet shqetësuese të trashëguara nga romani trivial dhe nga kronikat e zeza, siç janë: vrasjet, atëvrasjet, krimi, vjedhja dhe llojet e ndryshme të skandaleve. Ato sillen rreth pyetjeve të mallkuara për njerëzimin, siç janë: natyra e së keqes, vuajtjet njerëzore, vdekshmëria dhe pavdekësia, ekzistimi dhe mosekzistimi i Zotit, lira e përgjegjësia, si dhe fati i Rusisë dhe i Perëndimit.
Roman i madh i Dostojevskit rëndom konsiderohet “Krim dhe ndëshkim” (1866). Është vepra teknikisht më e përkryer e tij. Flet për një vrasje të motivuar ideologjikisht me personazhin kryesor Rodion Romanovič Raskoljnikov, i cili është prototip i mbinjeriut të filozofit dhe poetit gjerman Fridrih Niçes (Friedrich Nietzsche, 1844-1900).
Në figurën e tij shfaqen edhe kontraste të caktuara nëpërmjet të cilëve vërehet ndikimi i romanit modern në një vepre letrare realiste. Këto kontraste shfaqen ndërmjet arsyes dhe ndjenjës përmes ëndrrës së Raskolnikovit përmes së cilës shfaqet dhe nënvetëdijes njerëzore e cila assesi s’mund të jetë element i asaj që është realiste. Pastaj midis Zotit dhe djallit i cili i mbisundoi ligjet hyjnore kur vendosi për ta vrarë Aljona Ivanovnën.
Kontraste paraqiten edhe në relacionin midis shoqërisë dhe individit i cili assesi nuk donte t’i respektonte normat shoqërore. Për këtë i shërbeu si shembull edhe perandori francez Napoleon Bonaparti (Napoléon Bonaparte, 1769-1821). Përveç kësaj, në rrafshin midis vuajtjes dhe protestës nuk lejoi t’i dorëzohet vuajtjes si të ishte një romantik, por e shikoi atë drejt në sy dhe e mposhti, edhe pse pak a shumë ishte i vetëdijshëm se për këtë do të paguante çmim të caktuar.
Ndërthurja e filozofisë, e fantastikës dhe e publicistikës – Romani përmban edhe elemente të filozofisë që vërehet qartë nëpërmjet mendjes së Raskolnikovit dhe një sërë ndryshimeve nëpër të cilat ka kaluar në roman. Kaloi nëpër ëndrra, halucinacione, çrregullime dhe situata të pasqaruara. Kaloi nëpër rrymimin e ndërgjegjes rrjedha e së cilës pak është e trazuar dhe pak e qetë, pastaj përsëri e trazuar dhe përsëri e qetë. Kështu, derisa nuk i njohu vlerat e vërteta të jetës.
Aty hasim edhe elemente të fantastikës që vërehet më së miri në vrasjen që e ka kryer. Penalisht, vepra mund të të ndjekë në mënyrë aq intensive saqë të bëhet diçka si këmbët dhe duart pa të cilat nuk mund ta paramendosh ditën. Të përcjell në ëndrra, të fanitet, e vëren te njerëzit që i takon e që i ndjek intuita e parandjenjës dhe racionalja e mekanizmit psikik. Ata zbulojnë se me ty diçka nuk është në rregull.
Romani ka edhe diçka publicistike që po ashtu është një karakteristikë e pazakonshme e letërsisë së realizmit. Kjo vërehet gjatë synimit të Raskolnikovit për të vrarë. Me anë të artikullit gazetaresk të tij të pabotuar, njerëzit i kishte ndarë në të zakonshëm dhe në të pazakonshëm. Me këtë akt synonte të arrijë fuqinë e njerëzve të pazakonshëm që janë në gjendje ta përcaktojnë fatin e botës dhe ligjet e saj.
Megjithëkëtë, nëpërmjet përshkrimeve të hollësishme dhe autentike të njerëzve, të hapësirave dhe të natyrës, disa personazheve tipike, shprehjes gjuhësore të rëndomtë, fabulës së bazuar në ngjarje të vërteta si dhe do elementeve dhe situatave të tjera – hasim edhe në elemente realiste.
Romani edhe më i njohur “Vëllezërit Karamazov” (1879-1880) është libri i fundit i këtij kolosi rus. Për ta shkruar këtë vepër autorit i duheshin gati dy vjet. Për herë të parë u botua në vazhdime në revistën “Русская газета”. Botimi përfundoi në nëntor të vitit 1880.
Është roman filozofik drame ku flitet për tema të ndryshme, siç janë Zoti, vullneti i lirë, morali, njeriu i papërsosur dhe shpagimi. Sipas këtij romani janë xhiruar disa përshtatje televizive dhe filmi. Një prej më të njohurve është filmi me të njëjtin emër i aktorit dhe regjisorit amerikan Riçërd Bruks (Richard L. Brooks, 1962- ) i vitit 1958.
Vepra përbëhet prej dymbëdhjetë kapitujve: Historia e një familjeje të vogël, Tubimi i pahijshëm, Prostituta, Thyerja, Për dhe kundër, Monarku rus, Aljosha, Mitja, Hetimi paraprak, Çunat, Vëllai Ivan Fjodoroviç, Gabimi i gjykatës dhe Epilogu.
Në vitin 2003 gazeta Observer romanin “Vëllezërit Karamazov” e renditi në vendin e 29-të të listës së romaneve më të mira të të gjitha kohërave, ndërsa aktorja amerikane Merilin Monro (Marilyn Monroe, emri i plotë Norma Jean Mortenson, 1926-1962) dikur shprehu dëshirën për të luajtur njërën nga personazhet e romanit, Grushenkën.
Pothuajse në çdo roman të realizmit rus e kemi edhe epilogun.
Dy burrat e moshuar në këtë rrëfim, Fjodor Karamazovi dhe Zosima përballen me njëri-tjetrin si model mimetikë negativë dhe pozitivë për brezin e ri, ndërsa autori i kritikon edhe idetë perëndimore që janë në modë, e që sipas tij, e prishin kulturën ruse.
Ishte planifikuar edhe pjesa e dytë e librit me titull “Jeta e mëkatarit të madh”, por Dostojevski vdiq para se ta shkruante atë.
* * *
Personazhet e veprave të caktuara të Dostojevskit enden në hapësirat e qytetit: në rrugët e errëta, në banesat e marra me qira, në mansarda dhe në sallat e gjykatave. Kryesisht janë njerëz të cilëve u është cenuar dinjiteti, ndaj për fyerjet dhe nënçmimet e përjetuara i hakmerren shoqërisë. Fati i tyre zgjidhet me kriza psikologjike, me vrasje dhe me vdekje. Ka edhe që pendohen.
Në romanet e tij kemi tre lloj karakteresh:
– rebelët në shoqëri ku bëjnë pjesë Raskolnikovi dhe Ivan Karamazovi;
– të krishterët e qetë, të urtë dhe modestë siç janë princi Mishkin, Sonja Marmeladova dhe Aljosha Karamazovi; dhe
– njerëzit e ligë cinikë dhe të shfrenuar siç janë princi Valkovski, Svidrigajlovi, Fjodor Karamazovi.
* * *
Monologët e brendshëm të personazheve shpeshherë kanë të bëjnë me botën shpirtërore të tyre.
@tetovanews
@tn.lajmelokale