Qeveria në detyrë e Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë gatishmërinë për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lidhur me pranimin dhe zhvendosjen e përkohshme të shtetasve të vendeve të treta. Lajmin e bëri të ditur zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
“Përgjatë një periudhe njëvjeçare, deri në pesëdhjetë persona mund të zhvendosen përkohësisht, me qëllim të lehtësimit të kthimit të tyre të sigurt në vendin e prejardhjes. Qeveria ka shprehur gatishmërinë që të angazhohet, me mundësinë për të përzgjedhur individë nga një listë e propozuar, për aq sa ata i plotësojnë kriteret e caktuara lidhur me sundimin e ligjit dhe rendin publik”, tha zëdhënësi i qeverisë së Kosovë, Përparim Kryeziu.
Ndërkohë ai theksoi se të tjera informacione do të jepen më vonë. Disa ditë më parë Departamenti Amerikan i Shtetit ka konfirmuar se vendet e rajonit të Ballkanit janë përfshirë në kontaktet brenda një strategjie më të gjerë amerikane për dëbimin e shtetasve të huaj pa status të rregulluar.
Nga DASH-i theksuan, gjithashtu, se bashkëpunimi i vazhdueshëm me qeveritë e huaja është kyç për parandalimin e emigrimit të paligjshëm dhe masiv, si dhe për sigurinë kufitare.
Sakaq Qeveria në detyrë e Kosovës ka shprehur gjithashtu gatishmëri për të diskutuar edhe me Mbretërinë e Bashkuar, propozimin për ngritjen e “qendrave të kthimit” në Kosovë për azilkërkuesit e refuzuar nga ishulli britanik./vizionplus.tv
@tetovanews
@tn.lajmelokale