Spekulimet rreth një sulmi izraelit ndaj centraleve bërthamore të Iranit kanë qarkulluar prej vitesh, por ato u intensifikuan ndjeshëm ditët e fundit. Kështu shkruan gazetari Raffi Berg në një artikull të botuar në të përditshmen BBC.
Izraeli ka qenë i shqetësuar se bisedimet midis SHBA-së dhe Iranit (të cilat kanë vazhduar që nga prilli) mbi një marrëveshje të re bërthamore mund ta lënë Iranin me një program bërthamor – diçka që Izraeli ka thënë se nuk mund ta pranojë në asnjë formë.
Ka paralajmëruar për vite me radhë për atë që e percepton si një kërcënim ekzistencial nga programi bërthamor i Iranit.
Irani ka mohuar vazhdimisht se synon të ketë armë bërthamore, duke këmbëngulur se programi i tij bërthamor është vetëm për qëllime paqësore dhe civile. Por fuqitë perëndimore dhe organi global bërthamor, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA), nuk janë të bindura.
Të enjten, IAEA miratoi një rezolutë, për herë të parë në 20 vjet, duke e deklaruar Iranin në shkelje të detyrimeve të tij bërthamore.
@tetovanews Footages from recent #Israeli attacks in #Tabriz, #Iran ♬ original sound – Tetova News
Duke folur ndërsa sulmet po kryheshin, Netanyahu tha se Irani kishte prodhuar material të mjaftueshëm për nëntë bomba bërthamore, diçka në përputhje me një vlerësim të kohëve të fundit të IAEA-s. Sipas Netanyahut, Irani, kërcënonte “vetë mbijetesën” e Izraelit.
Duket se, duke vendosur të sulmojë tani, Izraeli po shfrytëzon një mundësi: Irani ende nuk i ka rindërtuar mbrojtjet ajrore të cilat u degraduan nga një sulm izraelit në tetor dhe një sulm parandalon raundin tjetër të bisedimeve bërthamore që do të zhvillohen të dielën.
Sulmet e Izraelit, mbi 20 komandantë të vrarë, mes tyre shefi i Gardës Revolucionare të Iranit/ Kush është Hossein Salami, i sanksionuar nga OKB dhe SHBA
Shefi i Gardës Revolucionare të Iranit, Hossein Salami, është vrarë në një sulm izraelit, sipas raportimeve të mediave shtetërore iraniane.
Ai është në mesin e të paktën 20 komandantëve të lartë iranianë që u vranë në sulmet ajrore të Izraelit ndaj Iranit të premten.
Fereydoon Abbasi, ish-kreu i Organizatës për Energji Atomike, është vrarë gjithashtu, kanë raportuar mediat shtetërore.
Një zyrtar izraelit tha se sulmet kishin në shënjestër “programin bërthamor të Iranit dhe objektiva të tjerë ushtarakë”.
Hossein Salami, komandanti i Gardës Revolucionare Islamike, është ndoshta udhëheqësi më i lartë iranian që është vrarë nga sulmet izraelite.
Salami u bashkua për herë të parë me Gardën Revolucionare në vitin 1980, gjatë shpërthimit të Luftës Iran-Irak.
Ndërsa ngjitej në hierarkinë ushtarake, ai u bë i njohur për retorikën e tij të ashpër kundër SHBA-së dhe aleatëve të saj.
Që nga vitet 2000, ai është sanksionuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së dhe nga SHBA për përfshirjen e tij në programet bërthamore dhe ushtarake të Iranit.
Ai ishte drejtuesi i Gardës Revolucionare në vitin 2024 kur Irani ndërmori sulmin e tij të parë të drejtpërdrejtë ushtarak ndaj Izraelit, duke lëshuar mbi 300 dronë dhe raketa.
Ndërsa tensionet me Izraelin u rritën në ditët e fundit, Salami deklaroi të enjten se Irani ishte “plotësisht i gatshëm për çdo skenar, situatë dhe rrethanë”.
“Armiku mendon se mund të luftojë Iranin në të njëjtën mënyrë siç lufton palestinezët e pambrojtur që janë nën bllokadën izraelite,” tha ai. “Ne jemi të kalitur në luftë dhe me përvojë.”
Hapësirat ajrore të Iranit, Irakut, Jordanisë dhe Izraelit janë mbyllur! Kompanitë ajrore ndryshojnë itinerare ose anulojnë fluturimet
Hapësira ajrore kombëtare e Izraelit, Iranit, Irakut dhe Jordanisë është mbyllur pas sulmit masiv izraelit ndaj objektivave në Iran, sipas të dhënave të Flightradar24.
Linjat ajrore kanë ridrejtuar ose anuluar fluturimet për të farantuar sigurinë e pasagjerëve dhe ekuipazhit.
Aeroporti Ndërkombëtar Ben Gurion i Tel Avivit është mbyllur deri në njoftim të mëtejshëm, ndërsa forcat kundërajrore të Izraelit janë në gatishmëri të lartë pasi pritet një përgjigje iraniane ndaj sulmeve izraelite.
Kompania ajrore izraelite El Al Airlines njoftoi se ka pezulluar fluturimet për në Izrael dhe nga Izraeli.
Hapësira ajrore iraniane është mbyllur deri në njoftim të mëtejshëm, sipas medias shtetërore.
Air India, avionët e së cilës fluturojnë nëpër hapësirën ajrore iraniane drejt Evropës dhe Amerikës së Veriut, tha se shumë fluturime po devijoheshin ose po ktheheshin në aeroportet e tyre origjinale.
Këto përfshinin fluturime nga Nju Jorku, Vankuveri, Çikago dhe Londra. Emirates dhe Lufthansa nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment.
Iraku njoftoi herët të hënën se kishte mbyllur hapësirën e tij ajrore dhe kishte pezulluar të gjitha fluturimet për në dhe nga aeroportet e tij, raportuan mediat shtetërore.
Iraku Lindor, pranë kufirit me Iranin, është një nga rrugët ajrore më të ngarkuara, me dhjetëra fluturime nga Evropa dhe Gjiri që kalojnë nëpër të.
Jordania, e cila shtrihet midis Izraelit dhe Irakut, mbylli hapësirën e saj ajrore disa orë pasi filluan sulmet izraelite.
“Situata po evoluon, transportuesit ajrorë duhet të tregojnë kujdes ekstrem në zonë në këtë kohë”, sipas Safe Airspace, një faqe interneti e drejtuar nga OPSGROUP që ndan informacion mbi rreziqet e fluturimit.
Sulmi i Izraelit në Iran trondit ushtrinë, por mund t’i forcojë ambiciet bërthamore të Teheranit
Sulmi i gjerë izraelit kundër Iranit duket se ka befasuar udhëheqjen ushtarake iraniane dhe mund ta ketë vonuar një kundërpërgjigje të menjëhershme.
Por, mbetet e paqartë nëse ka arritur qëllimin kryesor: dëmtimin e programit bërthamor të Iranit, për të cilin Izraeli pretendon se është pranë prodhimit të armëve, pavarësisht se Irani këmbëngul se ai është vetëm për qëllime civile.
Kryeministri Benjamin Netanyahu dhe zyrtarë të tjerë izraelitë kanë pohuar se Irani, kohët e fundit, ka përshpejtuar përpjekjet e pasurimit të uraniumit deri në atë pikë sa mund të prodhojë armë bërthamore brenda muajsh – ose edhe ditësh.
Operacioni “Luani që ngrihet”, siç e quajti Izraeli, kishte në shënjestër komponentë të rëndësishëm të infrastrukturës bërthamore të Iranit – përfshirë objektin e pasurimit në Natanz – si dhe instalime ushtarake brenda dhe rreth Teheranit.
Avionët luftarakë izraelitë goditën, gjithashtu, fabrika për prodhimin e raketave dhe ndërtesa banimi, ku dyshohej se strehoheshin zyrtarë të lartë ushtarakë dhe shkencëtarë bërthamorë.
Ndër të vrarët thuhet se është edhe Hossein Salami, komandanti i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), megjithëse Irani nuk e ka konfirmuar vdekjen e tij.
Sipas zyrtarëve izraelitë, qëllimi ishte të dëmtohej si programi bërthamor i Iranit, ashtu edhe aftësia e tij për t’u kundërpërgjigjur me arsenal të gjerë të raketave balistike – që për Izraelin janë kërcënimi më i madh pas një Irani me armë bërthamore.
“Netanyahu ka hapur një kapitull të ri në Lindjen e Mesme – një epokë të luftës bërthamore izraelite-iraniane”, shkroi Eran Etzion, ish-zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Izraelit, në platformën X.
“Një luftë që synon ndalimin e programit bërthamor të Iranit, por që, në fakt, duket se ka për qëllim goditjen e bazave themelore të vetë regjimit iranian”, sipas tij.
Bast me rrezik të lartë
Analistët e sigurisë e përshkruajnë operacionin si një bast parandalues, apo një përpjekje për të shmangur atë që Izraeli e sheh si kërcënim ekzistencial, por që rrezikon të ndezë një luftë rajonale, të pengojë diplomacinë dhe, madje, t’i përshpejtojë ambiciet bërthamore të Iranit.
Danny Citrinonwicz, bashkëpunëtor i lartë në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare në Tel Aviv, tha se sulmi i dha një goditje të madhe prestigjit të Iranit, duke depërtuar në mbrojtjen e tij ajrore dhe duke i eliminuar komandantë të lartë.
Megjithatë, ai tha se ndikimi në programin bërthamor të Iranit është “i kufizuar”, pasi objektet kyçe, përfshirë edhe vendin e fortifikuar mirë, Fordov, mbeten të paprekura.
“Kjo është vetëm faza fillestare e një fushate më të gjatë”, shkroi Citrinonwicz në X.
“Duket se Izraeli po ruan disa karta për përshkallëzimin e mundshëm që pritet”, shtoi ai.
Cilat janë opsionet e Iranit?
Rundi i gjashtë i bisedimeve bërthamore mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, i planifikuar për datën 15 qershor, tani duket se është e pamundur të zhvillohet.
Me diplomacinë që duket se ka dështuar, çdo reagim i Iranit rrezikon t’i përshkallëzojë edhe më tensionet.
Reagim i menjëhershëm i Iranit ishte lëshimi i rreth 100 dronëve Shahed drejt Izraelit – shumica e të cilëve u neutralizuan jashtë hapësirës ajrore izraelite.
Udhëheqësit iranianë përsëritën paralajmërimet për hakmarrje ndaj Izraelit dhe forcave amerikane në rajon.
Edhe pse Uashingtoni e mohoi përfshirjen në sulm, Irani mund ta mbajë përgjegjës.
Nëse Teherani e realizon kërcënimin e tij, duke goditur bazat ushtarake amerikane, një gjë e tillë do të mund ta tërhiqte Uashingtonin në një konflikt më të gjerë.
Sipas vlerësimeve të inteligjencës amerikane, Irani zotëron rreth 2.000 raketa – shumë prej të cilave të afta të mbajnë koka luftarake me mbi 900 kilogramë eksploziv – dhe prodhon rreth 50 raketa balistike në muaj.
Nuk është ende e qartë se sa janë dëmtuar këto kapacitete nga sulmi izraelit.
Grupet aleate të Iranit në rajon janë dobësuar ndjeshëm.
Lufta në Gazë e ka goditur rëndë Hamasin – grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera – ndërsa Hezbollahu libanez nuk e ka marrë ende veten pas përplasjeve me Izraelin.
Aktualisht, aleatët më të fortë të Teheranit mbeten rebelët Huthi në Jemen.
Irani mund ta shqyrtojë edhe largimin nga Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT).
Edhe pse SHBA-ja – ndryshe nga Izraeli – beson se Irani nuk po zhvillon në mënyrë aktive armë bërthamore, sulmi i fundit mund t’i shërbejë Teheranit si arsye për të hequr dorë nga traktati dhe për të nisur hapur rrugën drejt armatosjes.
“Qeveria e Netanyahut mund t’i ketë dhënë regjimit iranian legjitimitet – si të brendshëm, ashtu edhe ndërkombëtar – për të prodhuar armë bërthamore”, paralajmëroi Etzion./rel
Izraeli thotë se ka ndërmarrë sulme ndaj objekteve bërthamore në Iran më 13 qershor. Sulmet ndodhën gjatë natës dhe u raportuan edhe në kryeqytetin Teheran. Fotografitë dhe pamjet nga vendngjarja tregojnë shpërthime dhe ndërtesa të dëmtuara.
@tetovanews
@tn.lajmelokale