Spec. dr. Erzen Elezi – Kryeshefi i Repartit te Urologjisë si dhe kuadër i Lëvizjes Demokratike emërohet drejtor i Spitalit Klinik të Tetovës.
Derisa mediat raportojnë se është shkarkuar drejtori i Spitalit të Tetovës, Agim Berisha, Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se kjo është bërë me marrëveshje poltike dhe në vend të tij është emëruar Erzen Elezi, raporton për TN, gazetarja Fatmire Krasniqi.
Agim Berisha është larguar nga detyra e drejtorit të Spitalit Klinik të Tetovës pak para se të bënte një vit në këtë detyrë, e cila u karakterizua nga akuzat për ndarje tenderësh për familjarët, një sërë mangësishë në spital dhe protestat e personelit mjekësor për vendimet e punës.
Në vend të tij është emëruar Erzen Elezi.
Erzen Elezi ka lindur në fshatin Gllogjë të Komunës së Tearcës, shkollën fillore e ka mbaruar në SHF „Asdreni“ në fshatin Gllogjë, shkollën e mesme në SHMKM „Nikolla Shtejn“ në Tetovë, shkollimin e lartë e kreu në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë dhe specializimin në Shkup.
I punësuar është që nga viti 2013 si mjek i përgjithshëm në Spitalin e Tetovës, në repartin e Kirurgjisë. Në repartin e kirurgjisë ka punuar deri në vitin 2017 dhe ka funksionuar edhe me kujdestari, pastaj ishin konkurset për specializim dhe fitoi specializimin e urologjisë, të cilin e kreu në Shkup dhe që zgjati 6 vjet, pastaj u kthye në Tetovë.
Me ndryshimet që u bënë në Spitalin Klinik të Tetovës u emërua si kryeshef i Urologjisë në vitin e kaluar.
Pas emërimit të spec. dr. Erzen Elezit si kryeshef i Urologjisë në Spitalin Klinik të Tetovës, në këtë repart u bënë reforma dhe u sollën pajisje të reja dhe moderne dhe tashmë pacientët me probleme urologjike gjejnë zgjidhje dhe nuk ka më nevojë të shkojnë në Shkup, Gjakovë e gjetkë.
Në Repartin e Urologjisë në Tetovë arritën Laparascop, instrumentet laparascopike, eho disgnostik, resectoscop dhe donacione të tjera.
„Kemi patur një bashkëpunim shumë të mirë me kolegët, mbështetje absolute prej gjithë kolegëve, kemi arritur të fitojmë besueshmërinë në Spitalin e Tetovës, kemi bërë shumë reforma, me donacione të ndryshme kemi bërë renovimin e repartit të urologjisë, kemi marrë instrumente duke filluar prej cystoskopit si më i thjeshti, 4 resectoscopë, e kemi marrë litotriptorin për thyerjen e gurëve, që për herë të parë vjen në Spitalin e Tetovës, kemi marrë komplet një laprascop për intervenime laparascopike. Me metodat e reja na është kërkuar që të furnizohet urologjia, i kemi marrë dhe i kemi vënë në funksion„- pati deklaruar atëherë spec. dr. Erzen Elezi
“Ky është një proces i vazhdueshëm, me marrëveshje të ndërsjellë kemi një ndryshim në ushtruesin e detyrës së drejtorit të spitalit në Tetovë, Agim Berisha. Në vend të tij është emëruar Erzen Elezi”, thanë nga Ministria e Shëndetësisë për Portalb.mk.
Drejtorët e Spitalit të Tetovës viteve të fundit janë ndryshuar shumë shpesh për shkak lëvizjeve politike, skandaleve dhe tragjedive në spital.
@tetovanews
@tn.lajmelokale