Ballina Kronika Ky është nënoficeri i ARM-së që u vra sot në Batincë të...

Ky është nënoficeri i ARM-së që u vra sot në Batincë të Shkupit

Agim Muaremi, nënoficer i Armatës së Maqedonisë së Veriut është viktima që u vra sot në hyrje të fshatit Batincë të Shkupit, përcjell INA.

Viktima është identifikuar dhe bëhet fjalë për 50-vjeçarin, Agim Muaremi, që është pjesëtar i Armatës së Maqedonisë së Veriut.

Sipas informacioneve paraprake nga Ministria e Punëve të Brendshme, rasti është raportuar në Polici rreth orës 10:15. Sipas njoftimit zyrtar, një person ka qëlluar me armë zjarri ndaj një tjetri në hyrje të fshatit Batincë.

Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po kryen hetimet për zbardhjen e plotë të rastit, ndërkohë që motivet dhe rrethanat e kësaj vrasjeje mbeten ende të paqarta.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë dhënë detaje shtesë nga gjuajtja me armë në Batincë të Shkupit, ku mbeti i vrarë 50-vjeçari A.M., pjesëtar i Armatës, përcjell TV21. Sipas denoncimit në polici, personi M.Xh. ka gjuajtur me armë në drejtim të veturë “Kia”, ku ndodhej 50-vjeçari.

“Sot (11.07.2025) rreth orës 10:15 në SPB Shkup, M.E. ka raportuar se në hyrje të fshatit Batincë, në rrethinën e Shkupit, M.Xh. ka qëlluar me armë zjarri ndaj një automjeti në lëvizje të markës “Kia”. A.M. (50) ka pësuar plagë me armë zjarri në zonën e kraharorit dhe është dërguar në Spitalin e Përgjithshëm “Shën Naum i Ohrit” për ndihmë mjekësore, ku në orën 11:00 mjeku ka konstatuar vdekjen”, thonë nga MPB.

Nga Armata e Maqedonisë së Veriut kanë konfirmuar se personi i vrarë sot në Batincë të Shkupit është pjesëtarë i Armatës, përcjell TV21. Armata shpreh ngushëllime për familjen e 50-vjeçarit, ndërkaq thekson se tashmë i ndjeri, nuk ishte në detyrë gjatë ngjarjes tragjike.

“E njoftojmë opinionin publik se personi me inicialet A.M. nga fshati Batincë i Shkupit, i cili pas ngjarjes tragjike të ndodhur sot iu nënshtrua plagëve, ishte pjesëtar i Ushtrisë. Shprehim ngushëllime të thella për familjen e të ndjerit. Gjatë ngjarjes tragjike, personi nuk ka qenë në detyrë ushtarake, por ka qenë duke shfrytëzuar një ditë të lirë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori publik, organet e MPB-së dhe shërbimi kujdestar i Policisë Ushtarake”, thonë nga Armata.

Me zemra të thyera dhe me dhimbje të thellë, sot u përballëm me një humbje të madhe në fshatin tonë, thuhet në faqen Fsh. Batincë në facebook.

Na la pa fjalë, pa përgatitje, vdekja e papritur e Agim Muharemit, njeri i dashur dhe i respektuar nga të gjithë. Ai ishte shembull i mirëfilltë i burrërisë, respektit dhe dashamirësisë, gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar dhe për të dhënë një fjalë të mirë.
Sot, në këtë ditë xhumaje, Zoti e mori pranë Vetës një nga njerëzit më të dashur të vendit tonë. Një plagë e madhe për familjen, farefisin dhe gjithë fshatin që e deshi dhe e nderoi.
Agim Muharemi nuk ishte vetëm emër, por zemër e hapur për të gjithë. Ai la pas kujtime të paharrueshme dhe një boshllëk që nuk mbushet lehtë.
Lutemi që Allahu ta mëshirojë, ta bëjë banor të Xhenetit dhe ta shpërblejë për çdo të mirë që ka bërë në këtë jetë.
Amin.
️ Të qoftë i lehtë dheu, Agim.
Do të mungosh shumë.