Ballina Sport PSG i merr të gjitha: deri në 300 milionë të ardhura nga...

PSG i merr të gjitha: deri në 300 milionë të ardhura nga Champions dhe Botërori

PSG pa limite. Sezoni rekord i djemve të Luis Enrique po rishkruan historinë e klubit: nga ana sportive, duke mbushur vitrinën me trofe, por edhe nga ana ekonomike me të ardhura që këtë vit, vetëm nga Champions League dhe Botërori për Klube, mund të kapërcejnë kufirin e 300 milionëve.

150 MILIONË NGA CHAMPIONS: ËSHTË REKORD

Ajo që ka shtyrë të ardhurat e parisienëve ka qenë në radhë të parë Champions me formatin e ri. Dembelé dhe shokët me marshimin e jashtëzakonshëm që kulmoi me triumfin e Monakos kundër Inter-it, sollën në vitrinë trofeun që Nasser Al-Khelaifi e ndiqte që kur kishte ardhur në hijen e Kullës Eiffel dhe në arkat e klubit një shumë afër 150 milionëve.

Të ardhurat që do të vijnë nga UEFA janë strukturuar kështu:

Kuotë pjesëmarrjeje: 18,6 milionë
Pozicionim dhe performanca League Phase: 17,5 milionë
Kualifikim në playoff: 1 milion
Kualifikim në të 1/8-at: 11 milionë
Kualifikim në çerekfinale: 12,5 milionë
Kualifikim në gjysmëfinale: 15 milionë
Kualifikim në finale: 18,5 milionë
Fitore: 6,5 milionë
Kualifikim në Superkupën Europiane: 4 milionë
Të drejta TV UEFA dhe market pool: 34 milionë
Koeficienti dhjetëvjeçar UEFA: 11 milionë
TOTAL: 149,6 MILIONË

Me një total prej 149,6 milionë euro të arkëtuara, PSG ka vendosur rekordin e ri të të ardhurave nga një fushatë e vetme e Champions League. Rekordi i mëparshëm i përkiste Real Madrid-it që kishte arritur kuotën 138 milionë.

TË PAKTËN 100 MILIONË NGA BOTËRORI

Pasi pushtoi Europën, PSG zbriti në SHBA me dëshirën për të marrë botën. Luis Enrique dhe djemtë e tij fshinë të gjitha (ose pothuajse, shih humbjen me Botafogo-n) skuadrat që u shfaqën në rrugën e tyre. Demonstrata e fundit e forcës, gjysmëfinalja me Real Madrid-in e fituar 4-0, hapi dyert e finales dhe shtoi më tej arkën e francezëve që do të marrin nga FIFA një çek prej të paktën 100 milionësh.

Ja si janë strukturuar fitimet e PSG-së në Botërorin për Klube:

Kuotë Pjesëmarrjeje: 39,2 milionë
Performanca: 1,8+1,8+0 = 3,6 milionë
Kualifikim në të 1/8-at: 7,5 milionë
Kualifikim në çerekfinale: 13,1 milionë
Kualifikim në gjysmëfinale: 21 milionë
Kualifikim në finale: 30 milionë
TOTAL: 114,4

Kësaj shume, nëse fitohet finalja kundër Chelsea, do t’i shtoheshin edhe 40 milionë dollarë të tjerë që do ta çonin çekun e Infantino-s në kuotën 154 milionë. Një shi milionash që mund të përdoret për të përforcuar një makineri që duket tashmë perfekte. PSG i bën me dije botës: me një skuadër kaq të re, një trajner kaq të zoti dhe gjithë këta para për të shpenzuar në merkato mund të nisë një dinasti.