NGA RICHARD LUKAJ
Së pari dua të shpreh mirënjohjen për ndihmën e madhe që i keni dhënë historikisht e vazhdoni t’i jepni vendlindjes suaj. Me anën e këtij mesazhi dua të kërkoj ndihmën tuaj për të mobilizuar të afërmit, miqtë e shokët tuaj që të dalin të votojnë për parti shqiptare dhe mos ta lënë që Ulqini të bjerë në duar të partive malazeze. Sikurse e dini mirë, për dekada me radhë ne jemi përpjekur si shqiptarë për të krijuar komunën e Tuzit, në zgjedhjet e nëntorit të vitit të kaluar, partitë malazeze morën shumicën dërrmuese të votave ndërkohë që partitë shqiptare morën më pak se gjysma e votave të popullit shqiptar. Duke gjykuar nga rezultati i zgjedhjeve parlamentare në Ulqin dhe presioni i madh që po iu bëhet votuesve tanë nga vizita të shumta të qeveritarëve të Podgoricës, e njëjta situatë mund të përsëritet në Ulqin në 4 shkurt.
Unë e di që partitë shqiptare kanë mangës e probleme, dhe se të gjithë kan bërë edhe gabime. Megjithatë nuk ka asnjë pikëpyetje që partitë shqiptare janë të vetmet ato që I mbrojnë interesat e kombit shqiptar. Megjithatë një politikan banor i Komunës së Ulqinit është gjithsesi më I përshtatshëm për të qeverisur komunën e këtushme se një bartës liste në Podgoricë. Ata vijnë këtu vetëm për ditën e zgjedhjeve dhe harrojnë për ekzistencën tonë deri në zgjedhjet e ardhshme. Janë politikanët shqiptarë ata që jetojnë këtu me hallet e problemet e Ulqinit dhe që kanë të njëjtat shqetësime dhe i kuptojnë më së miri problemet e banorëve. Për politikanët e Podgoricës ne jemi statistikë, për njëri tjetrin ne jemi motër e vëlla, kushërinj, nipër e mbesa, komshinj, kolegë, miq fëmijërie , bashkëpunëtorë partnerë në biznes, shok klase.
Politikanët e Podgoricës janë të pakapshëm e të pandjeshëm ndaj halleve të popullit shqiptar. Ata janë shkaktarët kryesor të gjendjes sonë të rëndë dhe për vite më radhë populli shqiptar është diskriminuar politikisht dhe ekonomikisht prej tyre. Ky diskriminim ka bërë që trojet tona të braktisen. Neve janë përpjekur të na përçajnë , të na ndajnë në krahina në fe apo në parti, dhe ia kanë dalë pjesërisht që të kenë sukses. Një pjesë e popullit tonë nën presion është asimiluar dhe sot Tivari, Rozhaja, Plava e Gucia po e humbasin tërësisht identitetin kombëtar. Në Ulqin dhe Tuz vazhdon emigracioni ndërkohë që po shtohet kolonizimi me boshnjakë të ardhur nga veriu i Malit të Zi. Ulqini është kalaja e fundit e fortë e identitetit kombëtar shqiptar në Mal të Zi.
Prandaj sot më shumë se kurrë nevojitet sërish ndihma e diasporës sonë patriotike. Ky është një moment historik për t’i bërë thirrje të gjithë familjarëve, të afërmve, miqve e njerëzve të tjerë që njohim e tek të cilët kemi ndikim, që të votojnë për parti shqiptare. Është sot momenti për t’i bërë thirrje votuesit që t’i bëj rezistencë presionit apo joshjes së politikanëve të Podgoricës e që mos t’iu vënë veshin mashtrimeve të tyre. Është koha për të votuar shqip këtë të dielë për të mbrojtur identitetin tonë kombëtar dhe të ardhmen tonë në trojet që na kanë lënë amanet të parët tanë.
Ju falënderoj për vëmendjen tuaj dhe angazhimin tuaj për mbrojtjen e interesave tona kombëtare.