Ballina Aktualitet Ekonomi Rrjeti i Bitcoinit konsumon energji vjetore sa e gjithë Danimarka

Rrjeti i Bitcoinit konsumon energji vjetore sa e gjithë Danimarka

Më shqetësuese për planetin është shpenzimi i energjisë që kërkohet për verifikimin e transaksioneve. Rrjeti i Bitcoinit thuhet se po konsumon energji vjetore prej 32TWh – pothuaj po aq sa e gjithë Danimarka

 

Eksperti Vivek Wadhwa shprehet se monedhat digjitale janë e ardhmja, por ka disa opsione të tjera më kuptimplota se sa Bitcoini. Merrni për shembull WeChat Pay dhe Alipay në Kinë, thotë ai.

Në fundin e viteve ’90, kapitalistët e Silicon Valley dhe bankierët e bankave të investimeve të qytetit të Nju Jorkut përdornin fraza si “kokërdhokë monetizues”, “palëvizshmëri” dhe “B2C”, për të justifikuar vlerësimet qesharake të kompanive të Internetit. Ata pretendonin se metodat tradicionale nuk ishin në gjendje që të vlerësonin kompanitë e dotcom-it – të cilat nuk kishin të ardhura – sepse ne po hynim në një ekonomi krejt të re.

Duke besuar këta njerëz, dhe të trembur se mos u shpëtonte kjo rendje e re drejt floririt, investitorët e vegjël, gjyshër dhe gjyshe, berberë dhe taksistë investuan kursimet e jetës në kompani të tilla si pets.com dhe eToys. Fluska plasi, dhe ata humbën gjithçka. Përmes një transferimi të pasurisë në nivele prej miliarda dollarë, nga Main Street në Wall Street, CEO e bankierë të paskrupullt ishin pasuruar, në kurriz të qindra-mijëra investitorëve të zakonshëm, duke i lënë ata në dëshpërim për të ardhmen.

Historia po përsëritet me Bitcoinin. Këtë herë nuk është vetëm Main Street USA që do të humbasë; humbje do të ketë edhe bota në zhvillim. Teknologjia ua ka bërë të mundur tipave në Silicon Valley, Kinë dhe Nju Jork që të grabisin këdo, dhe kudo, që ka një llogari bankare dhe lidhje në internet.

Historia që po u shitet viktimave të Bitcoinit është se, për shkak se nuk mund t’u besojmë kartëmonedhave që lëshon qeveria, Bitcoini është e ardhmja e parasë. Një investitor e quan Bitcoinin “dhuratë prej Zotit për të ndihmuar njerëzimin që të ndreqë kaosin e shkaktuar prej parasë”. Një drejtor në PayPal parashikon që çmimi i Bitcoinit do të arrijë 1 milion dollarë në 5-10 vitet e ardhshme; menaxherët e aseteve thonë që është floriri i ri.

E gjithë kjo është një marrëzi. Po, çmimi i Bitcoinit mund të dyfishohet apo edhe të katërfishohet – për shkak se çmimi i tij bazohet në spekulim të pastër, dhe histori të tilla po e nxisin këtë spekulim. Por çmimi i tregut i Bitcoinit është pothuaj e sigurtë që në një moment do të bjerë dhe digjet, ashtu si ndodhi me dotcom-et, dhe për të njëjtën arsye: sepse është e gjitha një sajesë e fryrë. Dhe kur të ndodhë, nuk do të kemi kujt t’i drejtohemi, sepse asnjë qeveri apo bankë nuk po e mbështet Bitcoinin; dhe njerëzit që po e fryjnë Bitcoinin do të kenë marrë paratë e do të jenë zhdukur me kohë.

Çmimi i Bitcoinit nuk është reflektim i rritjes së përdorimit të tij si monedhë; ai reflekton thjesht kërkesën për mirazhin e vlerës së saj spekulative. Çmimi po rritet vetëm sepse njerëzit në të gjithë botën po dëgjojnë histori se si të tjerët dyfishuan ose trefishuan paratë e tyre brenda një periudhe të shkurtër – dhe nuk duan t’u shpëtojë kjo gjë. Investitorë të pasofistikuar po marrin hua për të blerë Bitcoin. Ata që e kanë shpenzuar monedhën ndejnë keqardhje kur shohin që çmimi i saj rritet, kështu që vazhdojnë të grumbullojnë.

Bitcoini u shpik nga një person apo grup i panjohur, për të qenë një monedhë digjitale. Ajo lejon që paratë të transferohen direkt mes individëve duke përdorur kriptografinë. Libri i llogarive të bankës u shpërndahet të gjithë përdoruesve, dhe transaksione komplekse matematikore garantojnë integritetin e transaksionit. Një sistem i tillë ua bën të vështirë qeverive që të dijnë identitetet e njerëzve që shkëmbejnë paratë, kështu që, ai është shndërruar një parajsë për pastrim parash, trafik droge dhe korrupsion.
Përtej përdorueshmërisë së tij për krime, Bitcoini ka edhe të meta të mëdha në projektim.

Bitcoinet krijohen (ose “gërmohen”) në norma të paracaktuara e që ulen gradualisht, me një limit total prej 21 milion Bitcoinesh të përdorshme. Ritmi i rritjes së Bitcoineve në dispozicion nuk po ecën në ritëm me numrin e njerëzve që duan t’i blejnë, kështu që çmimi i Bitcoineve vazhdon të rritet. Për shkak se çmimi i tij rritet, edhe “gërmuesit”, kompjuterët e të cilëve bëjnë llogaritje komplekse për të fituar monedha, edhe ata që blejnë Bitcoine nga të tjerët hezitojnë që t’i përdorin si monedha, duke i shpenzuar.

Në vend të kësaj, ata i mbajnë monedhat e tyre ndërkohë që presin që çmimi të rritet më tej. Me ofertën për Bitcoine të shtrënguar dhe kërkesën në rritje, në vend që të funksionojë si monedhë, ajo është shndërruar në një aset spekulativ bosh.
Pastaj, ka probleme edhe me vetë teknologjinë.

Së pari, cilido që ka akses në një fjalëkalim Bitcoini (apo çelës privat), ka autoritetin të shpenzojë Bitcoinin që ka çkyçur; humbja e fjalëkalimit nënkupton humbjen e të gjithë Bitcoineve që lidhen me të.

Së dyti, rritja lineare në zinxhirin e blloqeve që formojnë Bitcoinin po rezulton në rritje eksponenciale në llogaritë që nevojiten për të procesuar dhe verifikuar transaksionet: Transaksione që dikur bëheshin për dhjetë minuta, tani duan orë të tëra. Së treti, me tarifat e transaksioneve në Bitcoin që shkojnë mbi 25 USD, një pagesë 5 USD tashmë kushton 30 USD. E qartë që kjo nuk është një monedhë digjitale funksionale.

Më shqetësuese për planetin është shpenzimi i energjisë që kërkohet për verifikimin e transaksioneve. Rrjeti i Bitcoinit thuhet se po konsumon energji vjetore prej 32TWh – pothuaj po aq sa e gjithë Danimarka. Secili transaksion konsumon 250KWh, që është energjia e mjaftueshme për të furnizuar një shtëpi në Perëndim për nëntë ditë me radhë. Kina është bërë shteti dominues i gërmimit të Bitcoineve, teksa provincat e saj u ofrojnë gërmuesve energji shumë të lirë.

Sigurisht që monedhat digjitale janë e ardhmja, por ka disa opsione të tjera më kuptimplota se sa Bitcoini. Merrni për shembull WeChat Pay dhe Alipay në Kinë, që tani procesojnë 5.5 trilionë dollarë pagesa. Apo Unified Payments Interface në Indi, që bën të mundur transferimin e parave mes njerëzve, brenda disa sekondave – pa asnjë pagesë. Kjo ndodh nga banka në bankë, ofron mbshtetje dhe siguri për klientin. Kështu që, ka mënyra më të mira dhe më të thjeshta.