Të paraqitesh personalisht në një gjykatë në Rumani nuk është arsye e mjaftueshme për t’i bindur gjyqtarët që je gjallë. Historia në kufijtë e të pabesueshmes i ka ndodhur një burri në Rumani. Autoritetet gjyqësore në Vasului e kanë rrëzuar pretendimin e një 63-vjeçari, i cili në dokumente rezulton i vdekur. Constantin Reliu nuk mund të deklarohet i gjallë, sepse sipas gjykatës ai e ka apeluar me vonesë certifikatën e tij të vdekjes. Për më tepër, gjykata e cilëson këtë një vendim final.
Gjitçka nisi kur Reliu shkoi në Turqi në vitin 1992. Aty gjeti një punë si shef kuzhine, por familja e tij e pa për herë të fundit në vitin 1999, kur u kthye në Rumani për një vizitë të shkurtër. Pasi nuk pati më asnjë lajm prej tij pas këtij momenti, bashkëshortja kërkoi që ai të deklarohej i vdekur dhe ia doli të merrte një certifikatë vdekjeje të tij në vitin 2016.
Por ndërkohë, Reliu ishte shëndoshë e mirë në Turqi, deri në janar të këtij viti, kur autoritetet turke e dëbuan pasi leja e qëndrimit atje i kishte mbaruar. Ai u kthye në Rumani, ku zbuloi se ligjërisht rezultonte i vdekur. Dyshimet e para se diçka nuk shkonte i pati që në përballjen e parë me policinë kufitare, kur agjentët e pyetën disa herë për emrin e saktë.
“Mu desh kohë t’i bindja se nuk ishte një shaka. Tani jam zyrtarisht i vdekur, edhe pse jam gjallë. Nuk kam të ardhura, pasi rezultoj i vdekur. Nuk mund të bëj më asgjë”, thotë ai për AP.
Reliu thotë se është përpjekur të komunikojë me gruan dhe vajzën tashmë 39-vjeçare, por ato e kanë refuzuar. Pasi e çoi çështjen në gjykatë, atij i shpjeguan se në bazë të ligjit rumun, apelimi ishte bërë shumë vonë, rreth dy vjet pasi vdekja e tij ishte dokumentuar me certifikatë, dhe si rezultat pretendimi nuk merret parasysh nga gjykata.
Përgatiti: Gazmira Sokoli