Ballina Aktualitet Opinione Emri sllav i Maqedonisë-tapi për pronësinë maqedonase

Emri sllav i Maqedonisë-tapi për pronësinë maqedonase

Nga: Shaban MURATI

Euforia e tanishme e diplomacisë greke dhe maqedonase për zgjidhjen e konfliktit të tyre të vjetër për emrin, duket se bazohet në vullnetin e përbashkët për gjetjen e një emri, që fshin pjesën shqiptare të shtetit të Maqedonisë. Burime diplomatike bëjnë të ditur se gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kotzias, në Shkup në 22-23 mars, Athina dhe Shkupi më së fundi kanë rënë dakord për emrin sllav “Gorna Makedonija” dhe ky pritet të jetë propozimi i kompromisit, që dy kryeqytetet do t’i paraqesin ndërmjetësuesit të OKB, Metju Nimic, kur shefat e diplomacisë së dy shteteve do ta takojnë në Vjenë në 30 mars. Radio gjermane “Dojçe Welle” njoftonte në 22 mars se “Gorna Makedonija” është formula magjike e Athinës, që kërkon të zgjidh debatin 27 vjeçar midis Athinës dhe Shkupit”.

Emri sllav i Maqedonisë si “Gorna Makedonija” përfaqëson një pazar të diplomacisë greke dhe maqedonase në dëm të interesave të popullit shqiptar në Maqedoni. Duke i vënë emrin me fjalë maqedonase, në gjuhën maqedonase, të shkruar si një fjalë e vetme dhe të papërkthyer në gjuhët ndërkombëtare, siç ka kërkuar Athina, qeveria greke siguron qarqet e veta nacionaliste se shteti i Shkupit është vetëm sllav si brenda, ashtu dhe në arenën ndërkombëtare, dhe nuk paraqet rivendikim për Maqedoninë greke. Në të njëjtën kohë Athina i jep si shpërblim Shkupit tapinë mbi shtetin e Maqedonisë, i cili me këtë tapi të emrit sllav ligjëron pronësinë maqedonase të shtetit të Maqedonisë. Nga ana e vet Shkupi, duke pranuar formulën e diplomacisë greke për emrin sllav, realizon strategjinë e tij të vjetër që nga krijimi i shtetit në 1991, për fshirjen dhe mënjanimin zyrtar e ndërkombëtar të së drejtës së popullit shqiptar në Maqedoni për të qenë bashkëpronar dhe bashkëdrejtues i shtetit. Kryeministri maqedonas Zoran Zaev luajti bllofin duke bërë një gjysmë hapi me ligjin për avancimin e gjuhës shqipe, por pa i dhënë asaj statusin e gjuhës zyrtare në krejt territorin e shtetit njësoj si gjuha maqedonase, dhe tani vulos statusin e popullit shqiptar si popull i kategorisë së dytë. Emri sllav i Maqedonisë do të thotë se shqiptarët e Maqedonisë shpallen zyrtarisht se janë qiraxhinj në shtetin e Maqedonisë.

Athina, edhe Shkupi, po e trumbetojnë ndërkombëtarisht se zgjidhja e emrit është afër dhe siç tha Kotzias në 23 mars në Shkup “sot kemi rënë dakord në një shkallë të madhe”. Kjo zgjidhje me emër sllav po gjen mbështetje edhe nga disa qarqe diplomatike ndërkombëtare, të cilat janë në padurim të zgjidhet ky konflikt midis një shteti anëtar të BE dhe një shteti kandidat i BE, pavarësisht se kush e paguan koston brenda shtetit të Maqedonisë.

Në një situatë të tillë, ku e drejta e popullit shqiptar po bëhet kurbani i radhës i diplomacisë greke dhe maqedonase, nuk është normale që partitë politike shqiptare në Maqedoni, si ato në qeveri, ashtu dhe ato jashtë saj, të rrinë e të vështrojnë yjet dhe të mos ngrihen kundër të ashtuquajturës formulë magjike greke të emrit sllav. Në një korrespondencë me një nga intelektualët shqiptarë më në zë në Maqedoni lidhur me pesë opsionet e hedhura në tryezën diplomatike greko-maqedonase për emrin pas ardhjes së Zaevit në pushtet, në 14 shkurt i shkruaja se “Gorna Makedonija” është zgjidhja më negative.

Është përgjegjësi edhe e faktorit politik shqiptar në Maqedoni, nëse pranohet emri sllav për shtetin nga qeveria, ku bëjnë pjesë. Emri “Gorna Makedonija” është edhe më i keq se FYROM, sepse legalizon ndërtimin dhe funksionimin e paligjshëm të shtetit të Maqedonisë si shtet vetëm i popullit maqedonas. Nuk mendoj se është e logjikshme dhe e pranueshme që faktori politik shqiptar të qëndrojë në qeveri, nëse qeveria pranon emrin sllav të shtetit. Qysh në vitin 2013 në një analizë timen për qëndrimin e shqiptarëve lidhur me emrin, kam shkruar se “emri është çështje e shtetit dhe shqiptarët, duke qenë pjesë e rëndësishme ekzistenciale e atij shteti, kanë të drejtën dhe detyrën të jenë pjesë e vendimeve për zgjidhjen e tij”.(Libri “Shqiptarët e Maqedonisë-prioriteti i çështjes shqiptare”, viti 2016, fq. 216).

Është mendim i pranuar nga të gjithë se në parim zgjidhja e konfliktit të vjetër për emrin është një hap pozitiv, sepse i hap rrugën Maqedonisë për anëtarësim në BE dhe në NATO. Por këtu ka një hile nga diplomacia greke dhe maqedonase. Duke ditur sensibilitetin e diplomacisë euroatlantike për zgjidhjen e kofliktit të bezdisshëm për emrin, Athina dhe Shkupi e drejtuan rrugën e zgjidhjes jo tek emrat gjithëpërfshirës, por tek emri sllav, i cili neutralizon interesat e popullit shqiptar në Maqedoni, si dhe interesat e kombit dhe të faktorit shqiptar në Ballkan.

Është një manovrim i dëmshëm diplomatik greko-maqedonas, që prek më gjerë edhe interesat e Shqipërisë dhe të Kosovës. Çështja e emrit sllav është rast që Shqipëria të prononcohet me forcë për qëndrimin në mbrojtje të interesave të popullit shqiptar në Maqedoni. Shqipëria duhet të shprehet me forcë kundër çdo emri sllav të Maqedonisë. Është e pakuptueshme përse diplomacia shqiptare gjatë gjithë këtyre dekadave nuk është prononcuar kurrë se për çfarë emri është dakord ajo. Ka qenë një naivitet qëndrimi i disa ministrave të Jashtëm të Shqipërisë, të cilët i përmbaheshin pikëpamjes se emri është çështje e maqedonasve dhe e grekëve. Por emri i Maqedonisë është çështje edhe e popullit shqiptar në Maqedoni, i cili nuk mund të përjashtohet nga pronësia e shtetit dhe nuk mund të pranojë që tapia t’i jepet vetëm popullit maqedonas. Nuk qëndron as pikëpamja se prononcimi për çështjen e emrit mund të quhet ndërhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë. Emri i shtetit, në një kohë që ai shtet ekziston nga demografia, nga ekuilibri dhe nga pesha si shtet i përbashkët i popullit maqedonas dhe shqiptar, nuk është dhe nuk mund të jetë çështje vetëm e maqedonasve.

Diplomacia shqiptare duhet të marrë shembull nga Bullgaria, e cila vazhdimisht ka bërë të ditur qëndrimin e saj zyrtar lidhur me emrin e Maqedonisë. Në 16 shkurt 2018 presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, deklaroi: ”Pozicioni ynë është i qartë: zgjidhja e debatit për emrin nuk duhet të përmbajë ndonjë element gjeografik, i cili në vetvete aludon tek pjesë të territorit që i përket Bullgarisë”. Paraardhësi i tij, presidenti Georgi Purvanov, që në vitin 2011 e ka paralajmëruar Shkupin se për Bullgarinë emra gjeografikë si “Gorna Makedonija” apo “Severna Makedonija” janë të papranueshëm. Nuk kemi informacion se si do të veprojë Bullgaria tani që emri “Gorna Makedonija” është një emër gjeografik, por nuk duhet harruar se Sofja e ka bërë të qartë se do të përdorë të drejtën e saj të vetos në BE dhe në NATO, nëse emri i ri shkon ndesh me interesat bullgare.

Mendimi im është që diplomacia e Shqipërisë, ndonëse është vonë, duhet të shprehë zyrtarisht qëndrimin e saj kundërshtues ndaj një emërtimi sllav të shtetit të Maqedonisë. Duhet ta shprehë sa më parë, për të mbrojtur interesat e popullit shqiptar në Maqedoni dhe interesat e kombit shqiptar në Ballkan.

Euforia, që po fryjnë diplomacia greke dhe maqedonase për zgjidhjen e emrit, nuk duhet të pengojë as Shqipërinë, as Kosovën dhe as faktorin politik shqiptar në rajon, që t’i kundërvihen ofensivave të sllavizimit të dhunshëm të rajonit dhe të mos lejojnë nëpërkëmbjen e interesave shqiptare në rajon. Kjo i duhet bërë prezente edhe faktorit ndërkombëtar, i cili duhet të kuptojë se emri sllav i Maqedonisë, që i jep tapinë maqedonasve për shtetin, mund të mbyllë përkohësisht një plagë integrimi, por mund të krijojë plagë të tjera të nëndheshme në marrëdhëniet ndëretnike shqiptaro-maqedonase, të cilat mund të shpërthejë në një të ardhme. Asnjë pretekst nuk mund të përligjë sanksionimin zyrtar të pabarazisë midis popujve brenda një shteti.
Burimi: http://www.gsh.al/2018/03/26/emri-sllav-maqedonise-tapi-per-pronesine-maqedonase/