Këshilli Etik i Prokurorisë Publike akoma pa detaje rreth mbledhjes së një dite më parë lidhur me distancimin e katër prokurorëve shqiptarë nga rikualifikimi i lëndës për rastin Almiri. Akoma nuk ka një vendim të prerë nëse prokurorët shqiptar, veçmas Kodit Etik kanë shkelur edhe subordinimin në Prokurori Publike. Kreu i këtij komisioni, prokurori nga Shtipi, Todor Vitarov nuk jep detaje të mbledhjes së djeshme duke kërkuar që të respektohet procedura deri atëherë kur Prokuroria do të dalë me detaje. Prokurori i Lartë, Bari Shabani, anëtar i vetëm në këtë Këshill i kontaktuar disa herë një ditë më parë dhe sot nga Alsat M, konfirmoi se është kundër kësaj iniciative, megjithatë ai akuzoi raportimin gazetaresk madje duke adresuar kërcënime ndaj gazetarit. Shabani me sjellje të pahijshme që nuk i ngjajnë një Prokurori, tha se mund të merremi vesh edhe ndryshe duke mos harruar në fund të adresoj edhe ofendime edhe pse rasti i Almir Aliut dhe rikualifikimi i aktakuzës është në fokus të opinionit që nga dita kur Prokurorja e lëndës, Suzana Kusigerska rikualifikoi veprën. Ndërkohë Kryeprokurori Publik, Ljubomir Joveski në konferencën e sotme shpjegoi se thirrja i Këshillit Etik nuk ka për qëllim shkarkimin e Prokurorëve shqiptar aq më pak ndarjen e prokurorëve në baza etnike.
Nuk e di se nga ku ju vijnë informacionet se shqiptarët, respektivisht Prokurorët do të largohen. Një procedurë e till deri më tani as që është ngritur. Tani për tani konstatohet nëse është shkelur Kodeksi i Prokurorëve Publik ose jo dhe nëse do të ngritët iniciativë ose jo do të vendos Këshilli – deklaroi Ljubomir Jovesi, Kryeprokuror.
Më 16 mars, katër Prokurorët Republikan: Xhelal Bajrami, Bashkim Besimi, Ismail Dardhishta dhe Ferat Elezi u distancuan nga qëndrimi i Prokurorisë Publike dhe asaj Themelore të Kumanovës, duke konstatuar se me rikualifikimin e veprës nga “vrasje” në “vepër të rëndë kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion”, përveç që është bërë shkelje e lirive dhe të drejtave të njeriut, është shkel edhe ligji mbi Prokurorinë Publike pasi që sipas tyre, aktakuza “vrasje” ka korresponduar plotësisht me veprimet e të akuzuarit Boban Iliq. Në të njëjtën ditë, kryeprokurori Joveski dënoi veprimin e kolegëve të tij dhe paralajmëroi masa disiplinore.
Pak ditë më pas, Joveski në një prononcim për Alsat M pranoi se vendimi për rikualifikimin e veprës është bërë para ardhjes tij dhe se pavarësisht kërkesës së Liljana Spasovskës e cila aso kohe ishte ushtruese e detyrës, që vendimi të merret pas ardhjes së kryeprokurorit të ri, Joveski kishte vlerësuar se nuk ka nevojë për kolegj të ri dhe se vepra duhet të rikualifikohet për shkak se tek i akuzuari nuk është konstatuar paramendimi gjatë kryerjes së veprës.
Rikualifikimi nxiti protesta dhe reagime. Opinioni kërkoi dorëheqjen e Joveskit, prokurores së lëndës Suzana Kusigerska dhe gjykatëses Maja Denokovsa. Seanca e radhës për rastin e Almirit është caktuar për 2 prill ku edhe do të jepen fjalët përfundimtare të palëve.
Adrian Kerimi