Kryeministri Zoran Zaev, po vazhdon praktikën e parardhësve të tij politik, për mbajtjen e qeverisë së centralizuar, thonë analistët politik. Mirijana Najçevska, thotë se tri janë shtyllat e besueshme të kryeministrit, me të cilët vendoset gjithçka në ekzekutiv. Koço Angjushev, Radmilla Shekerinska dhe Oliver Spasovski, sipas saj, janë garda e qeverisë, kurse ministrat tjerë vetëm zbatojnë urdhërat e shefit.
“Ajo që është problematike tek kjo qeveri vlen të theksohet ekipimi politik i të gjitha strukturave. Në një mënyrë, automatikisht pamundësohet shfrytëzimi i të gjitha potencialeve, të cilat i duhen institucioneve. Si ministritë, ashtu edhe strukturat e pavarura, të cilat në një mënyrë janë të lidhura me ministrinë. Nuk bëhet fjalë vetëm për centralizim të qeverisë, por vihet në dukje padituria e tyre sesi të shfrytëzohet në tërësi aparati shtetëror, andaj punohet me 2-3 njerëz të besueshëm për ta”, tha Mirjana Najçevska, analiste.
Ministrja e mbrojtjes Shekerinska dhe ministri i brendshëm Spasovski, janë edhe nënkryetarët e LSDM-së, parti e cila ka shumicën e mandateve në mazhorancë. Por, zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev, i cili erdhi në funksion nga fusha e biznesit, tha se brenda kabinetit qeveritar ka mendime të ndryshme, se përndryshe s’do të kishte demokraci.
“Unë nuk kuptoj se si mund të ketë demokraci në qeveri, nëse të gjithë kanë mendim të njëjtë për të gjitha çështjet. Ne, 11 vjet përjetuam një ekzekutiv të tillë. Për këtë arsye, unë çdoherë them se ne në kuadër të qeverisë dhe në kuadër të shoqërisë duhet të hapim shtegun për të gjitha çështjet”, u shpreh Angjushev.
Njëri nga gjashtë ministrat pa resorë, Edmond Ademi thotë se gjithçka varet nga kryeministri.
“Ai do të jetë vendim i kryeministrit, enkas meqë është shef i ekzekutivit, i cili emëron, zgjedh dhe propozon ministrat. Duhet vendimi i tij personal në kuptimin e asaj se a do të mbetem këtu, apo nuk do të jem fare në qeveri, apo do të lëvizi diku tjetër”, tha Ademi.
Kurse, ministrja e Arsimit Renata Deskoska, nuk shprehet e gatshme të japë përgjigje.
“E keni parë se në periudhën e shkuar, kur bëhej fjalë për rikonstruimin e ekzekutivit, madje edhe para formimit të qeverisë, gjatë gjithë kohës flitej, por vendimet nuk janë sjell që asnjë ministër as që do të mbetet e as që do të ndërrojë ministrinë. Kështu që nuk mund t’ju përgjigjem në këtë pyetje”, u shpreh Deskoska.
Në kabinetin qeveritar, përveç Angjushevit, Shekerinskës dhe Spasovskit, janë edhe dy zëvendës-kryeministra të tjerë. Bujar Osmani për eurointegrime dhe Hazbi Lika për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, plotësojnë mozaikun e pesëshes nga 24 ministra sa ka kjo qeveri.