Është koha që Qeveria e re reformatore të merr iniciativën e bisedimeve me të gjithë faktorët relevantë shoqëror dhe nën mbështetjen e Akademisë së Shkencave të zgjedhin modelin adekuat të zhvillimit ekonomik të bazuar në resurset dhe sektorët konkurrues dhe më fitimprurës në RM e që do integroj ekonominë-vendin në BE
Nga Bilall KASAMI
Për këto gati tre dekada të transformimit të sistemit ekonomik, ekonomia e Maqedonisë në mënyrë të vazhdueshme po ballafaqohet me barriera të shumta, të cilat i ngadalësojnë investimet dhe rritjen e qëndrueshme ekonomike. Për një vend si Maqedonia, ofertat partiake në zgjedhje duhet të mbështeten në përpilimin e programeve që ofrojnë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, zhvillim ky që do të rriste pasurinë e përgjithshme kombëtare dhe me këtë do të rriteshin edhe mundësitë për uljen e varfërisë dhe zgjidhjen e problemeve tjera sociale.
Edhe përkundër faktit që gjatë gjithë kësaj periudhe nuk kemi pasur një rritje të madhe ekonomike, edhe ajo pak rritje ekonomike nuk është shoqëruar me progres të njëjtë në zhvillimin njerëzor dhe me këtë rast rritja ekonomike është realizuar me një çmim të një pabarazie të madhe shoqërore. Fatkeqësisht, edhe më tutje ai pak zhvillim ekonomik mbështetet në dy faktorë që janë në kundërshtim të plotë me konceptin zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Në njërën anë janë resurset e krijuara në të kaluarën si një pronë e përbashkët shoqërore, resurse këto që janë keqpërdorur në format më të ulëta deri edhe në vjedhje klasike dhe si pasoj edhe shkatërrimin e këtij kapitali të krijuar me dekada të tëra, në anën tjetër janë resurset natyrore të cilat po eksploatohen në format më të egra sikur këtu është fundi i historisë dhe nuk kemi nevojë që diçka me vlerë që na kanë lënë trashëgim paraardhësit tanë, ne këtë ta rindërtojmë dhe si një vlerë e re ta lëmë si trashëgim për pasardhësit tanë
Ajo që sot ofrohet në kuadër të modeleve bashkëkohore të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik mbështetet në ndërlidhjen në mes rritjes ekonomike dhe kushteve sociale dhe të mjedisit. Dhe kjo ndërlidhje thuajse asnjëherë nuk është marrë parasysh nga përpiluesit e politikave zhvillimore në të kaluarën, por fatkeqësisht një gjë të tillë ende nuk po e shohim as edhe nga bartësit e politikave ekonomike të qeverisë aktuale. Përderisa nuk kemi një marrëveshje shoqërore që institucionet të kujdesen për krijimin e një ambienti të shëndoshë ekonomik, ambient ky që do t`u mundësonte operatorëve ekonomik të krijojnë vlerë të re për gjeneratën të cilës i përkasin, po në asnjë moment duke dëmtuar gjeneratat që vijnë, ne do të përpëlitemi në këtë amulli që na ka kapluar.
Nuk është me rëndësi se ministër i financave, apo ai i ekonomisë dhe për më shumë në krye të bankës qendrore do të qëndroj një kuadër i një partie politike apo se cilit grup etnik i përket. Por, duket se të gjithë pajtohemi që në krye të këtyre, por edhe institucioneve tjera të rëndësishme për krijimin e ambientit ekonomik, që do të gjeneronte zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, duhet të qëndrojnë kuadrot më të mira që i kemi si shtet dhe shoqëri.
Balancimi i qëllimeve si dhe nevojave të gjeneratave të ndryshme por edhe grupeve të ndryshme shoqërore është një sfidë e madhe për një vend si Maqedonia. As që mund të dyshojmë se kryeministri që qeverisi vendin për këto dhjetë vitet e fundit, edhe pse me begraund ekonomik, as që e ka menduar parimin se gjeneratat e tanishme gjatë sjelljes së vendimeve duhet të kenë parasysh edhe faktin se me to nuk duhet ta rrezikojnë ekzistencën dhe mirëqenien e gjeneratave të ardhshme. Si mundet që një kryeministër, apo një qeveri të ketë parasysh këtë parim dhe të shpenzojë gati sa një të dhjetën e prodhimit bruto të vendit për projekte që nuk do t`ia kishin toleruar vetes as vendet dhe shoqëritë më të zhvilluara të globit. Këtu e kam fjalën për shpenzimet e qeverisë së kaluar në kuadër të projektit famoz “Shkupi 2014”.
Nëse e marrim dhe i analizojmë qeveritë e deritanishme në këto gati tre dekadat e kaluara do të vërejmë që gati se pa përjashtim kanë vepruar në kundërshtim të plotë me parimin e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Në fillimi ndodhi vjedhja dhe shkatërrimi e asaj që e krijuan me dekada të tëra paraardhësit tanë. Që pastaj, kur qeveria të kuptojë se më nuk ka mbetur diçka me vlerë për t`u plaçkitur, pardon privatizuar, vendosi që të shpik diçka që shpikësi i saj kush do qoftë ai lirisht mund të aplikojë për shpërblimin e inovacionit të shekullit. Shpiki projektin Shkupi 2014. Projekt i cili gati se nga të gjithë pa dallim u vlerësua si një projekt, vlera e vetme e të cilit ishte vjedhja e tani më ardhmërisë së gjeneratave që vijnë në emër të ndërtimit të një historie të rrejshme dhe identiteti fiktiv.
Pra, bartësit e politikave ekonomike, në kuadër të kësaj edhe të politikave zhvillimore, jo që nuk kanë pasur ide, por nuk kanë pasur vullnet që potencialin e tyre ta vendosin në shfrytëzim që shoqërisë duke përpiluar politika ekonomike dhe zhvillimore në interes të të gjithëve pa dallim. Bazuar në konceptin e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, bartësit e këtyre politikave do të duhej të kujdeseshin jo vetëm për gjeneratën të cilës i përkasin, por edhe për gjeneratat e ardhshme.
Fatkeqësisht, edhe nga qeveria aktuale nuk po shohim një vizion të qartë të zhvillimit të ekonomisë së vendit, vizion që duhet të mbështetet në përpilimin e një modeli të përshtatshëm të rritjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik nga i cili do rezultonte një performancë më e lartë e indikatorëve makroekonomik. Kryeministri i cili udhëheq me qeverinë aktuale duhet të tregohet më i guximshëm përballë këtyre çështjeve delikate. Sepse, ai si një ndërmarrës i suksesshëm në sektorin privat, duhet të kuptoj se pa një zhvillim të qëndrueshëm të ekonomisë së vendit edhe ato pak biznese të suksesshme individuale nuk kanë ndonjë perspektivë të sigurt.
Në kohën kur kryeministri është në bisedime për riformatim të kabinetit qeveritar, para se të vlerësoj rritjen e numrit të deputetëve që mbështesin qeverinë e tij, seriozisht duhet të vlerësoj ofertën kadrovike të partive me të cilët planifikon të zgjerojë bashkëpunim, duke mos harruar edhe vlerësimin më të drejtë të potencialit kadrovik të partisë së tij. E, si mundet që të flasim për performansë të qeverisë, kur në krye të një ministrie që është bartëse e politikave fiskale kemi një ministër që ndoshta e njeh mirë teorinë ekonomike, por pak mund të lavdërohet me përvojën e tij në drejtim të menaxhimit me institucionin që e drejton apo të ndonjë institucioni tjetër publik. Si mund të pretendojmë krijimin e një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik kur kemi një zv. kryeministër që kapitalin e tij e ka krijuar në kushte të qeverisjes së një qeverie që lirisht mund ta vlerësojmë si më të keqen në gjithë këtë periudhë të kaluar sa i përket zhvillimit ekonomik. Dhe mos të flasim për ministrin që udhëheq më një ministri që paraqet institucionin kryesor të ngarkuar me përpilimin dhe koordinimin e gati se të gjitha politikave zhvillimore në vend. Dhe, ky i ngrati, pra ministri i ekonomisë, veç kënaqësisë dhe plotësimit të epshit për të qenë ministër, mund edhe mos të ketë ndonjë pretendim tjetër e lëre më ta ketë idenë se në çfarë pozite të rëndësishme është për të tashmen dhe të ardhmen e të gjithë neve pa dallim.
Prandaj, për të mos qenë vonë, vlerësoj së është koha që Qeveria e re reformatore të merr iniciativën e bisedimeve me të gjithë faktorët relevantë shoqëror dhe nën mbështetjen e Akademisë së Shkencave të zgjedhin modelin adekuat të zhvillimit ekonomik të bazuar në resurset dhe sektorët konkurrues dhe më fitimprurës në RM e që do integroj ekonominë-vendin në BE. Mjaftë eksperimentuam duke vendosur në pozita kaq të rëndësishme, me kuadro të kësaj apo asaj fushe, njëherë profesor e herën tjetër menaxher dhe jo rrallë herë duke punësuar edhe të tillë që punësim të parë e kanë atë të ministri./koha.mk