Ndërsa studentët e Fakultetit Filologjik në Shkup, katedra e gjuhës dhe letërsisë shqipe kryejnë studimet në gjuhën shqipe, punimet e magjistraturës dhe doktoratës vazhdojnë t’i shkruajnë dhe ti mbrojnë në gjuhën maqedonase, sepse kështu e kërkon ligji për arsim të lartë. Studentët që preken drejtpërdrejtë nga kjo çështje nuk deshën të flasin para kamerës se Alsat, por sqarojnë se përballen me vështirësi të mëdha, punë të dyfishtë dhe shpenzime shtesë. Këtë e dëshmon edhe profesori Asllan Hamiti I cili sqaron se shumë herë kanë ngritur zërin për ndryshime në Ligjin ekzistues por deri më sot çdo kërkesë e tyre ka hasur në veshë të shurdhër.
Assesi nuk kemi arritur që këtë punë ta përmirësojmë, përkatësisht të fitojmë të drejtën që ti shkruajmë dhe ti mbrojmë edhe në gjuhën shqipe. Ajo që ka kaluar deri më tani, koha që ecën nuk kthehet mbrapa por unë mendoj që tani do të ishte mirë që në propozimin e ligjit për arsimin e lartë atëherë të kemi kujdes që këto gjëra të përmirësohen, përkatësisht të ndryshohen në mënyrë që edhe ne të kemi mundësi që mbrojtjet dhe punimet ti dorëzojmë edhe në gjuhën shqipe – deklaroi profesor Asllan Hamiti,
Me vështirësi më të mëdha përballen studentët që vijnë nga Kosova, Presheva, Shqipëria të cilët nuk kanë aspak njohuri për gjuhën maqedonase. Sipas profesorit Hamiti, detyrimi I përkthimi të punimeve të tyre humb vlerën dhe shpesh herë kuptimin e temës së caktuar.
Origjinali megjithatë është origjinal, përkthimi asnjëherë ose shumë vështirë mund ti afrohet origjinalit dhe shpesh herë ne kemi vërejtje në këtë punën e përkthimit që bëhet sepse nuk jemi në gjendje ta shohim këtë origjinalin që kemi. Disa kandidatë të cilët janë më të kujdesshëm ata arrijnë ose na sjellin ne si anëtarë komisioni që jemi, na sjellin dy versione, në versionin zyrtar që e kemi në maqedonisht dhe në versionin tjetër që e kemi versionin e zemrës që e kemi në shqip – theksoi profesori Asllan Hamiti.
Hamiti apeloi deri tek institucionet kompetente dhe përfaqësuesit e partive politike shqiptare të përdorin çdo mundësi të tyre për avancimin e gjuhës shqipe njëjte me atë maqedonase, përfshirë edhe shkrimin e punimeve të magjistraturës dhe doktoratës si dhe mbrojtjen e tyre edhe në gjuhën shqipe, posaçërisht në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Fakultetin Filologjik.
Melihate Rustemi