Qeveria e Kosovës ka miratuar një platformë për dialogun politik me Serbinë. Kjo platformë do t’i procedohet Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe miratim në formë të rezolutës.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se hartimi i platformës ka pasuar takimet e shumta me presidentin Hashim Thaçi, kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli si dhe debatet e organizuara në lidhje me negociatat me Serbinë, ku kanë marrë pjesë edhe partitë politike.
Haradinaj tha se është me rëndësi që në Kuvendin e Kosovës janë të përfaqësuara të gjitha partitë, andaj edhe aty mund të zhvillohet debati gjithëpërfshirës rreth kësaj platforme.
“Ne vetëm e sponsorizojmë platformën, kurse Kuvendit i mbetet më pastaj që të vendos”.
“Ashtu siç do të vendos Kuvendi, ne do ta respektojmë. Andaj, iu lutem deputetëve që t’i përgjigjen kohës, etapës në të cilën ndodhemi, sepse ky dialog është shterrë dhe nuk po prodhon efekte, nuk po jep rezultate, kështu që duhet të kalojmë në fazën finale dhe ne duhet të insistojmë për këtë”, tha Haradinaj.
Po në lidhje me dialogun me Serbinë, një nga marrëveshjet që vazhdon të zvarritet sa i përket zbatimit është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Haradinaj, tha se Kosova është në proces e sipër të hartimit të statutit të këtij Asociacioni.
“Marrëveshja e Brukselit e ka paraparë që në fund të procesit, vlerësimin rreth harmonizimit të statutit me kushtetutën do ta jap Gjykata Kushtetuese e Kosovës”, theksoi ai, duke konfirmuar se në fund të procesit do të jetë edhe një vlerësim i Kushtetueses para se ky organ të themelohet.
Kohë më parë, përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës kishin paralajmëruar se do të formojnë njëanshëm Asociacionin, nëse një hap tutje drejt formimit të tij nuk e ndërmerr Qeveria e Kosovës.
Por, Haradinaj tha se ka kaluar koha e ultimatumit, ngase puna në draftimin e statutit tashmë ka filluar tashmë.
Në këtë frymë, edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të mërkurën në Beograd se përfaqësuesit e serbëve të Kosovës do të presin edhe tre muaj e gjysmë, duke respektuar kështu afatin e përcaktuar nga Bashkimi Evropian, për hartimin e statutit dhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Serbët s’do ta formojnë Asociacionin as nesër, e as pasnesër. Kemi pritur pesë vjet, do të presim edhe këta tre muaj, që askush të mos i akuzojë serbët se po i shkelin marrëveshjet dhe dakordimet ndërkombëtare”, pati theksuar Vuçiq.
Gjatë ditës, edhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës pritet të diskutojnë këtë çështje.