Emiratet e Bashkuara Arabe do të japin 50 milion dollarë për rindërtimin e një xhamie të rëndësishme në qytetin irakian të Mosulit, të hedhur në erë nga militantët e Shtetit Islamik.
Agjencia kulturore e OKB-së tha se një projekt pesëvjeçar do të restaurojë dhe rindërtojë Xhaminë e Madhe të al-Nurit dhe minaren e saj.
Kjo është xhamia ku udhëheqësi i ISIS, Ebu Bekr al-Bagdadi shpalli krijimin e një “kalifati” në vitin 2014.
Grupi xhihadist e shkatërroi atë tre vjet më vonë, ndërsa trupat irakiane u mbyllën brenda.
Gjithçka që ka mbetur është baza e minares dhe një kupë qiellore e mbështetur nga disa shtylla.
Në atë kohë, kryeministri i Irakut tha se shkatërrimi i xhamisë ishte një “krim historik” që përfaqësonte “deklaratën formale” nga IS të humbjes së saj në Mosul.
Beteja për qytetin zgjati pothuajse nëntë muaj, duke lënë zona të mëdha nën rrënoja, vrarë mijëra civilë dhe zhvendosur më shumë se 900.000 persona të tjerë.
Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (Unesco) tha të hënën se partneriteti i tij me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe qeveritë e Irakut ishte bashkëpunimi më i madh ndonjëherë për të rindërtuar trashëgiminë kulturore në Irak.
Viti i parë i projektit do të përqëndrohet në dokumentimin dhe pastrimin e vendit të Xhamisë së Madhe të al-Nurit, si dhe hartimin e planeve për rindërtimin e saj.
Katër vitet e ardhshme do të përqëndrohen në restaurimin dhe rindërtimin e minareve të famshme, sallën e lutjes dhe ndërtesave të afërta./oranews/