Gazetari i mirënjohur Ferdinand Samarxhi, mbrëmë ka qëndruar në Tetovë, ku ka regjistruar pjesë të projektit “Gëzuar kombi ynë muajin e bekuar Ramazan” .
Përndryshe, për kontributin e mirënjohur si gazetar televiziv, përçues i realitetit dhe i ngjarjeve lidhur me besimet fetare në Shqipëri, duke promovuar vlerat e kësaj bashkëjetese të çmuar, në kuadër të unitetit kombëtar e paqes shpirtërore të popullit shqiptar, Ferdinand Samarxhi ka marrë titullin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.
Në vazhdim keni prononcimin e tij për Tetova News:
Ferdinand Samarxhi në Tetovë, flet për projektin “Gëzuar kombi ynë muajin e bekuar Ramazan”:
Në vazhdim mund ta lexoni një intervistë më të gjatë vitit 2015 të gazetarit të mirënjohur, ku jep detaje për projektin “Gëzuar kombi ynë muajin e bekuar Ramazan”:
Ferdinand Samarxhi bashkon të gjithë Ballkanin vizionar islam
Gazetari i mirënjohur, fituesi i “Antenës së Artë”, Ferdinand Samarxhi, bashkon të gjithë Ballkanin vizionar islam, në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, etj. Është kjo një ide që gazetari e promovon dhe e realizon këtë në gjithë Ballkanin, në trevat historike shqipfolëse si në: Prizren, Prishtinë, Ulqin, Shkup, Tetovë, etj. Pjesë e këtij projekti janë edhe programet që u realizuan në Shqipëri si në Shkodër, Krujë, Durrës, Elbasan, Berat, Vlorë, Gjirokastër.
Zoti Samarxhi, jeni promotor i të gjitha besimeve fetare në Shqipëri. Një propagandues i zjarrtë, një përçues i denjë dhe një mishërues për të gjitha ndodhitë dhe ngjarjet të të gjithave besimeve në Shqipëri. Që kur keni filluar ju të flisni dhe të propagandoni për besimet në Shqipëri?
Ishin vitet ’90, vitet që po tronditnin të gjithë sistemin komunist, vite të cilat po flladitnin epokën e ndryshimeve të mëdha botërore dhe që vala e tyre kishte filluar të ndihej pse jo dhe në Ballkan dhe më pas në Shqipëri. Në Rusi, Perestrojka kishte përçuar idenë e ndryshimeve, duke u përçuar më pas me ngjarjet në Rumani. Nuk do kishte si të ndodhte ndryshe dhe në Shqipëri një suferin e tillë po përgatitej. Në këto kushte, duke qenë se bazë e këtyre zhvillimeve politike do ishin në radhë të parë liria e fjalës, liria e shprehjes, liria e besimit, unë me nismën dhe iniciativën time këmbëngula, duke pasur edhe mbështetjen e disa deputetëve të Parlamentit të atëhershëm, munda që të hap në të vetmin ekran siç ishte RTSH për kohën. Kjo më dha një sadisfaksion aq të madh sa që unë t’i përkushtohesha me një dashuri të veçantë hapjes së kësaj rubrike, e cila për vite e vite me radhë përcolli fjalën e lirë të Zotit, bëri që Ezani të thirrej në të gjithë vendin, që fjala e altarit të shenjtë të dëgjohej në të gjitha vatrat tona, kudo ku banonte kombi ynë.
Me sa di unë, kjo rubrikë nuk ekziston më në RTSH. Ju jeni si moderator i këtyre besimeve vetëm për ngjarje të mëdha, siç janë festat e Krishtlindjes, të Pashkëve, të Bajrameve, të festave të besimtarëve bektashinj, Sulltan Novruzi dhe Hashures. Si shpjegohet kjo?
Duke qenë se në RTSH ekziston një ligj, i cili është hartuar nga njerëz me mentalitet komunist, ndalon pasqyrimin e veprimtarive fetare në ekran. Një ligj të cilit i ka ikur koha, por vazhdojnë ende pasojat e tij.
Keni besim se do të hapet kjo rubrikë, meqë siç kemi mësuar, jeni autor i hapjes së saj në vitin ’90-’91?
Desha të them pa diskutim dhe kam besim që ky ligj do ndryshojë. Qeveria e Rilindjes do ta rishikojë edhe këtë ligj, i cili bie ndesh me atë çka ne si komb kemi para gjithë botës, harmoninë, tolerancën dhe bashkëjetesën fetare, të cilën bota na e vlerëson dhe na respekton në mënyrë të veçantë si komb, me këto virtyte të rralla, por që në ekranin e TVSH ende nuk pasqyrohen. Rasti më i fundit është kur të gjithë televizionet e botës transmetonin manifestimin paqësor në rrugët e bulevardet e Parisit, të krerëve dhe përfaqësuesve të komuniteteve fetare, në RTSH nuk u zhvillua asgjë lidhur me këtë event të madh, ku mund të ishin organizuar një cikël bisedash, ku të zbërtheheshin këto vlera të mëdha të kombit tonë dhe vlerësimeve që u bëri bota.
Të kthehemi në temë, çfarë është ky projekt, pse ju e realizuat në të gjithë Ballkanin?
Unë dua të vlerësoj fort idenë se kombi ynë ka një histori të rrallë, që do ta dëshironin edhe shumë kombe të tjera, edhe pse sot janë më të zhvilluar ekonomikisht, politikisht dhe ushtarakisht. Kombi ynë është nga më të lashtët në Europë. Gjuha shqipe është më e vjetra në botë. Ky komb i vogël i ka dhënë Papatit të Romës shtatë Papë me më të shquarin Papa Klemendin. Asnjë komb nuk e ka këtë privilegj kaq dinjitoz. Historia na ka përkëdhelur shumë neve. Skënderbeu, siç e quajti papati, atleti i Krishtit, mbrojti civilizimin europian nga hordhitë osmane ishte shqiptar. Shumë shtete duan ta bëjnë atë me origjinën e vendeve të tyre. Nënë Tereza, nëna e botës, siç u quajt nga të gjithë, përsëri ishte shqiptare. Shekujt, rrebeshet e kohërave kundër synimeve grabitqare për aneksimin e tokave të kombit tonë, gatuan atë mrekulli tjetër që është nga më të vyerat për të gjitha kombet e botës dhe nuk besoj se do ta arrijnë edhe me zhvillimet e tyre: harmoninë, tolerancën dhe bashkëjetesën fetare.
Pra, Shqiptarët me këtë virtyt, me këtë botë, ditën të mbijetojnë para shumë kombeve të tjerë të mëdhenj, që edhe në kohërat e mëparshme ishin të tilla. Këtë harmoni, ata e panë si një shenjtërim të Zotit, si një adhurim për kombin dhe këtë e përcollën brez pas brezi. Ky komb me këtë histori të ndritur kombëtare asnjëherë nuk e humbi dashurinë për atdheun, por besoi dhe tek Zoti që e ka mëshiruar kombin tonë, me gjithë këto vlera të mëdha, të cilat na i kanë zili. Duke ditur historinë e kombit tonë, duke ditur gjithashtu se të gjitha faltoret tona edhe pse ishin shtëpi të Zotit qofshin këto teqe, xhami, apo kisha u bënë vatra atdhetare, kombëtare duke lidhur jetën e tyre me historinë e kombit, me fatet e tij.
Nuk do të harrohet kurrë thënia e Pashko Vasës, këtij patrioti të madh të Rilindjes Kombëtare, që kur ishte fjala për çështjen e atdheut, për të gjithë shqiptarët, feja e shqiptarëve ishte shqiptaria. Teqetë, xhamitë, kishat kanë një histori të mbarsur me episode nga më epiket, me fatet e luftërave të popullit tonë. Edhe këtë vit unë desha të ritheksoj fort këtë vlerë duke realizuar projektin “Gëzuar kombi ynë, muajin e bekuar Ramazan” në treva, vende dhe qytete historike që mbartin histori, flasin shumë sot për kohën dhe për të ardhmen.
Ky projekt është ideuar dhe realizuar nga ju, dhe në bashkëpunim me komunitetet fetare të Ballkanit?
Po, ky projekt është ideuar dhe i realizuar nga unë, me një bashkëpunim me titullarët dhe drejtuesit lider të bashkësive fetare të Ballkanit. Unë prej vitesh jam një zëdhënës i tyre dhe padyshim para se unë të filloj iniciativën time, bashkëbisedoj me ata me myftiun e Kosovës Naim Ternava, kryegjyshin botëror Haxhi Baba Edmond Brahimaj, kryetarin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, hirësinë e tij Haxhi Skënder Brucaj, kryetarin e Myshiatit të Maqedonisë Reis Haxhi Efendi Sulejman Rexhepi, zëvendëskryetarin e bashkësisë islame të Malit të Zi, hirësinë e tij Haxhi Omer Kajosha dhe myftiun e Ulqinit, hirësinë e tij Ali Bardhi. Duke kujtuar që ky është viti i 10, ky program është konturuar ndryshe, me shumë dimensione dhe ide, të cilat përcjellin muajin e Ramazanit si një muaj nga më të rëndësishmit e vitit, si një muaj universitet i jetës, si një muaj i dashurisë së pakufishme që Krijuesi i Gjithësisë fal dhe dhuron për njeriun.
Koncepti për projektin që unë që përfundova më udhëhoqi mua që të gjitha filmimet e këtyre programeve t’i realizoja me një konceptim më intelektual, më bashkëkohor, që bisedat të gërshetoheshin me filozofinë e skenografisë së realizimit të tyre. Kështu, pranë faltoreve të vjetra të qyteteve që mbartin histori për ngjarje e beteja në historinë e kombit, vendosëm të realizonim këto programe si mishërim i këtyre vlerave patriotike dhe fetare, për t’i bërë më domethënëse bisedat, programet. Ne u munduam t’i gërshetonim ato edhe me filozofinë e ngjarjeve të objekteve. Në Prizren çdokush mëson që faltorja islame së bashku me faltoren e besimeve të tjera të besimtarëve të krishterë janë fare pranë njëra- tjetrës, ashtu siç janë dhe besimet tona fare pranë njëra-tjetrës.
Në këtë qytet ku ne u instaluam me studion tonë, siç mëson për ngjarjen më të rëndësishme të historisë së vendit tonë, për kuvendin e Lidhjes shqiptare të Prizrenit, që u bë simbol i qëndresës së kombit tonë për moscopëtimin e tokave dhe trojeve tona, ashtu mëson dhe për atë harmoni të mrekullueshme tolerance dhe bashkëjetese fetare, e cila ndikoi në atë bashkim-vëllazërim të të gjithë prijësve tanë shqiptarë, që ideuan platformën për zhvillimin kombëtar. Vëllezërit Frashëri ishin ata bektashinj, që në harmoni të plotë me drejtuesit e besimeve të tjera, pjesëmarrës në këtë lidhje, ashtu siç ishin të vëllazëruar me botëkuptimet e tyre fetare, ashtu edhe simbolizuan dhe luftuan për kombin tonë. Një nga objektet e tjera në Shkup, ku ne u instaluam me studion tonë, ishte xhamia e Mustafa Pashës, e cila në kohëra dhe në vite luajti rolin e një qendre atdhetare për shumë patriotë dhe bija të kombit tonë.
Dhe nuk kish si të ndodhte ndryshe. Në vitin 1492 ku Ameriko Vespuci zbulonte Amerikën, në Shkup në vilajetin e tij hapeshin themelet për ndërtimin e kësaj faltoreje, pra paradoks i historisë. Ne shqiptarët kishim shtet, përfaqësonim kombin tonë, në këtë faltore ata organizonin tubimet për mbrojtjen e kombit të kulturës dhe dinjitetit tonë. Këtu në këtë faltore mëson sesi të parët tanë e ruajtën dhe e përcollën brez pas brezi këtë traditë atdhetare patriotike dhe kombëtare. Në këtë faltore, pranë saj me prezencën e skenografisë së bukur të një objekti është sa arkitektonik aq edhe kulturor. Ne organizuam dhe filmimin e disa programeve tona në biseda me Reis Haxhi Efendi Sulejman Rexhepin, dekanin e Fakultetit të Shkencave Islame në Universitetin e Shkupit, profesor Fahredin Ebibi, me profesor Nutfi Nexhipin etj.
Po në Mal të Zi, çfarë kishit ide të përcillnit?
Ulqini është një qytet që të inspiron shumë me historinë e tij ku rrebeshe, luftëra, beteja u përplasën në kalanë e këtij qyteti, por kalaja e shqiptarëve në bedena u bë më e fortë. Mesazhi i myftiut të Ulqinit, hirësisë së tij Haxhi Ali Bardhi përcolli edhe njëherë atë ndjenjë dashurie, të gërshetuar me dashurinë e Zotit për mëmëdheun e tyre, Shqipërinë. Faltoret e Ulqinit thërrasin këto ditë me Ezanin e tyre jo vetëm për dashurinë e tyre për krijuesin, por edhe për dashurinë e tyre për Shqipërinë, për flamurin tonë, për gjuhën tonë. Qyteti që flet shqip, kalaja që mbart histori, flamur krenar që valëvitet, mikpritje, dashuri, vëllazëri që e ndjen në çdo mjedis, në çdo ambient, në çdo bisedë, në çdo lutje që i drejtohet këto ditë Zotit. Ky do të ishte personifikimi i këtij qyteti këto ditë që muaji i bekuar i Ramazanit hapi dyert për të gjithë banorët e tij, që paqja, dashuria, vëllazëria e kombit ta udhëheq atë në jetën e tij, më pranë krijuesit e gjithësisë, më pranë dashurisë së mëmëdheut.
Edhe Tetova, qyteti i shqiptarëve këto ditë të befason me skenografinë e saj. Këtu muaji i Ramazanit ndjehet si një event i veçantë. Në të gjithë Maqedoninë, por edhe në Tetovë, muaji i Ramazanit krijon një atmosferë ndezëse. Xhamia e larme në qendër të këtij qyteti është një nga vatrat që luajti një rol të madh në kohë, ku pashallarët shqiptarë mblidheshin dhe kuvendonin për fatet e kombit. Sot, ashtu si dje që shqiptarët mblidheshin për dashurinë ndaj atdheut, bashkëkohësit e tjerë të këtij qyteti mblidhen për dashurinë jo vetëm për kombin, por edhe për Allahun, që fati i tyre një ditë t’i gjejë ata, si të gjithë shqiptarët e tjerë. Prishtina, një monument tjetër i kulturës sonë kombëtare, këto ditë është skenografuar ndryshe. Faltoret e vjetra që datojnë dhe mbajnë histori ashtu si dje që ishin siloge dhe kuvende të burrave të shquar të kombit, që mbanin lart flamurin me shkabën tonë dykrenare, sot presin dhe përcjellin lutjet dhe adhurimet e qindra besimtarëve që vijnë këto ditë më të përkushtuar, më të devocionuar për t’ju lutur krijuesit të gjithësisë.
Në bisedë me myftiun e Kosovës, hirësinë e tij Haxhi Naim Ternava, mësuam se Myftinia e Kosovës si rrallë ndonjëherë, këtë vit ka marrë masa më të forta për të bërë që të gjithë njerëzit, të gjithë besimtarët të jenë sa më pranë faltoreve, që ligjëratat e tyre kuranore të dëgjohen sa më shumë, që besimtarët të jenë sa më prezentë në to, që lutjet dhe adhurimet e tyre të jenë sa më të pranishme. Shqipëria, ashtu si Kosova, Maqedonia, Mali i Zi ishte në qendër të vëmendjes për realizimin e projektit “Gëzuar kombi ynë muajin e bekuar Ramazan”, këtë vit ndryshe nga vitet e kaluara, ne duke studiuar historinë e qyteteve tona, u ndalëm në disa prej tyre.
Pikë së pari në qytetin e Shkodrës, në qytetin që siç dihet, mbart një kulturë të madhe për kombin tonë. Në këtë vit menduam të jemi sa më pranë njerëzve, gëzimit të tyre, menduam të ishim sa më pranë mjediseve më të afërta të tyre. Kështu që kamerat tona i vendosëm në sheshin e qytetit, pranë faltores së madhe, xhamisë së qytetit, ku kamerat tona në sfond vizatonin po kështu dhe faltoren e krishterë. Jo pa qëllim e zgjodhëm këtë vend xhirimi. Edhe në kohëra të mëparshme bashkëjetesa dhe dashuria për komunitetin e besimeve të ndryshme ka qenë evidente.
Banorët e këtij qyteti kujtojnë vitin ’97, kur vendi ishte në kaos dhe ishte e mundshme një prag lufte civile, klerikët myslimanë dhe katolikë të hipur në një makinë manifestonin dashurinë për njëritjetrin, duke përcjellë mesazhin e madh në ato ditë të vështira që ne ishim vëllezër të një kombi, se ishim shqiptarë. Shkodra përjeton ditë nga më të devotshme, nga më ngazëllueset, nga më të adhuruara që këto ditë krijuesi i gjithësisë, Allahu i gjithëpushtetshëm, i gjithëmëshirshëm dhe i gjithë fuqishëm ia ka dhuruar krijaturës më të lartë, njeriut. Kruja me skenografinë e bisedës sonë na kujton historinë e kombit tonë, të kryeqytetit të parë të vendit tonë, 28 Nëntorit 1444, kur Gjergj Kastrioti me atë atdhetari që gjeti, që siç tha me fjalën e tij: ‘Lirinë e gjeta tek ju’, ngriti flamurin tonë kombëtar. Dhe biseda jonë që u zhvillua me sfondin e kalasë mëshiroi edhe përcolli këtë ide, që krahas dashurisë së besimtarëve për Zotin, ritheksuam dhe atë ç’ka kanë ata për historinë e tyre. Durrësi, qyteti i lashtë me faltoren dhe skenografinë e ditëve të sotme, xhamia simbol i jetës së këtyre njerëzve të besimit islam, edhe pse kohët kanë kaluar, faltorja mes qytetit më hijerëndë qëndron, simboli i saj më tepër rrezaton. Myftiu i Durrësit, Redi Qyku të flet me gëzim për ditët që përjetojnë besimtarët e këtij qyteti, për devotshmërinë që ata përcjellin. Elbasani, qyteti që me historinë e tij nis që nga antikiteti i lashtë.
Në kalanë e lartë e vendosëm studion tonë të xhirimit, jo më kot, por për të dhënë këtë peizazh të këtij qyteti. Dhe më mirë se kushdo këto vlera i përcolli djali i këtij qyteti, pedagogu Lauren Luli. Në qendër të vëmendjes tonë dhe si mesazh të parë drejtuar gjithë besimtarëve myslimanë dhe bektashi të kombit tonë, ne vendosim kryetarin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, hirësinë e tij, Skënder Brucaj dhe kryegjyshin botëror të bektashinjve, Haxhi Baba Edmond Brahimaj. Që të dy bashkë në sfond kryeqytetin, që të dy në sfond xhaminë e Ethem Beut. Mesazhi i tyre, mesazhi i madh, mesazh paqeje, mesazh dashurie, mesazh vllazërimi, mesazh sakrifice që kërkon ky muaj për të gjithë. Përgatitjet e kryeqytetit janë të gjithanshme. Hirësia e tij, Skënder Brucaj, entuziast për këto përgatitje, prezanton një program sa dinjitoz aq të organizuar, që ky muaj të përjetohet nga besimtarët më mirë nga vitet e kaluara, më me adhurime, më me lutje, më me shumë ibadete, më me shumë iftare të organizuara, më me shumë ndihma që ky muaj të përjetohet jo vetëm si një muaj i shenjtë, i përsosjes së vlerave morale, shpirtërore, edukative, sjelljes së mirë të gjithanshme të njeriut, por edhe të përjetohet si një muaj i mëshirës. Pjesë e këtij projekti “Gëzuar kombi ynë muajin e bekuar Ramazan” ishin për ne dhe pasqyrimi i muajit Ramazan tek besimtaret myslimanë bektashianë.
Këtë vit ata kanë fatin e tyre që këtë muaj të Ramazanit ta përcjellin dhe ndërmjet faltores së tyre të madhe, që është pothuajse gati në përfundim, por që në bisedë me kryegjyshin botëror, Haxhi Baba Edmond Brahimaj, mësuam se ajo është përgatitur për të kryer të gjitha adhurimet për këtë muaj. Në të gjitha vendet ku bektashizmi është i shtrirë si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Bosnje-Hercegovinë, SHBA, Greqi, Rumani, Bullgari, Rumani, Turqi, Iran, Europë, etj., janë bërë përgatitje dhe të gjithë po e përjetojnë këtë muaj si një dashuri të veçantë për Allahun.
Kush po e transmeton projektin tuaj “Gëzuar kombi ynë muajin e bekuar Ramazan”?
Në radhë të parë unë dua të falenderoj të gjithë ekranet e televizionit të Shqipërisë dhe Ballkanit që e përcjellin këtë projekt, ku jetojnë dhe banojnë besimtarët myslimanë dhe bektashianë në të gjithë botën. Në valë satelitore Radio Televizioni Publik Shqiptar, në valë tokësore dhe satelitore, Radio Televizioni Publik i Kosovës RTK1, në televizionet rajonale të Kosovës TV5, të Maqedonisë “TV Koha”, platforma “Alfa Digital”, TV “Shijak”, TV “One Channel” Shkodër, TV “Kanali 7” Lushnje, TV “Apollon” Fier, TV “Focus” Vlorë, TV “Real” Vlorë, TV “Jon” Sarandë, TV “Sarandë”, TV “Aristoteli” Gjirokastër, TVGJ TV “Tepelena”, TV “Lobi” Korçë, TV “Adriatik” Durrës.