Irakianët po votojnë në zgjedhjet e para parlamentare qëkur qeveria shpalli fitore mbi të ashtuquajturin Shtetin Islamik (IS) vitin e kaluar.
Rreth 7,000 kandidatë nga partitë rivale po konkurrojnë për vendet në asamblenë 329-anëtarëshe.
Iraku ende po lufton për tu rimëkëmbur pas katër viteve të luftës kundër militantëve të Shtetit Islamik, thotë një korrespondent i BBC.
Ai thotë se kushdo që fiton do të duhet ta mbajë unitetin e brishtë të Irakut përballë tensioneve sektare dhe separatiste.
Irakianët mund të votojnë për listat rivale të kandidatëve ku shumica e tyre janë kryesisht Shia apo Sunni, edhe pse kurdët kanë listat e tyre.
Qeveria e udhëhequr nga Shia ka fituar vlerësime për luftën kundër militantëve të ISIS dhe siguria është përmirësuar shumë në të gjithë vendin.
Por shumë irakianë janë të zhgënjyer nga korrupsioni i gjerë i qeverisë dhe një ekonomi e dobët, raporton për BBC, Martin Patience.
Votimi gjithashtu vjen vetëm disa ditë pasi Presidenti i SHBA Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e Iranit.
Disa irakianë kanë frikë se vendi i tyre mund të jetë edhe një herë viktimë në çdo luftë midis Amerikës dhe Iranit. (TemA TV)