Nesër në orën 10.30 në Sofje, në kuadër të Samiti të BE-së për Ballkanin Perëndimor, pritet që të mbahet takim i ri mes kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev dhe të Greqisë, Aleksis Cipras, për çështjen e emrit.
Sa i përket takimit, gjatë ditës së djeshme kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev tha se dëshiron që të arrihet marrëveshje për emrin por jo edhe me çdo kusht. Ai tha se në takimin me Ciprasin do të diskutojnë për atë se çfarë është punuar deri tani duke shprehur dëshirë që të arrihet marrëveshje.
Sot, zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakoski, i pyetur në lidhje me takimin e dy kryeministrave tha se takimi paraqet një hap drejt zgjidhjes përfundimtare të çështjes.
Mile Boshnjakovski, zëdhënës i Qeverisë
“Në lidhje me takimit e nesërm të kryeministrave Zaev dhe Cipras, kryeministri Zaev dje publikisht tha se është shumë herët të pritet diçka e tillë, por mendoj se ky takim është një hap drejt zgjidhjes përfundimtare”
Gjatë ditës së djeshme, kryeministri grek Cipras kishte bisedë telefonike me kryetarin e Këshillit Evropian, Donald Tusk, rreth përpjekjeve për gjetjen e zgjidhjes së emrit.
Qeveria e Greqisë
“Gjatë bisedës, presidenti Tusk i ka përshëndetur përpjekjet që i bën Qeveria greke për zgjidhjen e dallimeve me fqinjët e saj, që është një parakusht për të ardhmen e tyre evropiane. Kryeministri ka potencuar se Greqia çdoherë do të ketë rol konstruktiv për stabilitetin dhe perspektivën zhvillimore të Ballkanit”
Zëdhënësi i Qeverisë greke, Dimitris Xanakopulos gjatë ditës së djeshme ka deklaruar se është shënuar përparim në bisedimet por se ende nuk është arritur marrëveshje. Ai ka përsëritur qëndrimin se Qeveria e Greqisë vazhdon të mbroj linjën nacionale për emër të përbërë që do të vlejë për të gjithë dhe rishikim të Kushtetutës.
Gazeta greke “Katimerini” dje publikoi se në bazë të tre teksteve, dy të ministrave për punë të jashtme dhe një të ndërmjetësit Majtu Nimic, Athina dhe Shkupi, kërkojnë të gjejnë marrëveshje. Sipas gazetës asnjë nga këto tekste nuk është përfundimtarë dhe definitiv.
Gazeta greke “Kathimerini”
“Sipas informacioneve, në bazë të përgatitjeve që është bërë, skenari kryesor për bisedat e dy liderëve do të jetë ajo e nënshkrimit të marrëveshjes ndërkombëtare, që do të duhet të miratohet në parlamentet e dy vendeve. Në këtë tekst, sipas informacioneve do të ekzistoj kushtëzim për integrim të IRJM-së në NATO kur do të rishikohet Kushtetuta e vendit fqinjë dhe në këtë mënyrë do të garantohet erga omnes”
Në samitin në Sofje, përpos me Ciprasin, kryeministri i Maqedonisë, do të takohet edhe me kancelarin gjermane Angela Merkel, me presidentin e Francës, Emanuel Makron dhe të Holandës Mark Rute./SHENJA/