Ballina Aktualitet Kosovë Prokuroria po heton përplasjen mes Xhavit Halitit e Arben Gashit në Kuvend

Prokuroria po heton përplasjen mes Xhavit Halitit e Arben Gashit në Kuvend

Konflikti fizik mes deputetëve Xhavit Haliti dhe Arben Gashi, i cili erdhi pas konfliktit verbal, nuk ka kaluar pa vëmendjen e Prokurorisë.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka, tha se ka kërkuar nga Policia e Kosovës informata lidhur me përleshjen fizike në mes të deputetit të PDK’së, Xhavit Haliti dhe atij të LDK’së, Arben Gashit që ndodhi të premten në sallën e Kuvendit të Kosovës.

Konkretisht, kryeprokurori Beka tha se ka kërkuar të dijë se deri ku është arritur me hetime dhe tha se këtë informatë do ta ketë së shpejti.

“Kam kërkuar të di rezultatin e hetimeve deri më tani, pra deri ku është arritur me hetime”, tha Beka, për Kallxo.com.

Ndërsa Sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi i ka thënë se me rastet ku supozohet që mund të bien ndesh me ligjin, merret Prokuroria dhe Policia.

“Sipas praktikave të deritashme çdo gjë që ka rënë ndesh me ligjin, me të është marrë Prokuroria e Policia”, ka thënë Krasniqi.

Konflikti fizik i të premtes mes deputetëve Xhavit Haliti dhe Arben Gashi, i cili erdhi pas konfliktit verbal të një dite më parë, ndodhi në momentin kur deputetët po votonin për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Pamjet tregojnë se deputeti i PDK’së, Xhavit Haliti, pasi doli nga kabina e votimit me fletëvotim në dorë, ka shkuar drejt rreshtit të deputetëve ku gjendej edhe Arben Gashi. Në momentin kur i është afruar, Haliti shihet duke tentuar t’i bjerë me bërryl deputetit të LDK’së.

Pamjet e ofruara nga regjia e Kuvendit nuk shfaqin fjalët që mund të jenë thënë.

Në këtë moment, kolegët tjerë ndërhyjnë për të mos e lejuar eskalimin e mëtejmë. Pak sekonda më pas, deputeti i AAK’së, Gani Dreshaj, shihet në një polemikë me Arben Gashin, të cilit ia drejton gishtin si formë e tërheqjes së vërejtjes.

Një ditë pas Dreshaj tha se nuk kishte qëllim të qëronte hesapet me askënd.

Kjo ngjarje kishte ngjallur reagime të shumta nga vet deputetët, si dhe nga shoqëria civile të cilët kanë kërkuar që Haliti të shkarkohet nga posti i Nënkryetarit të Kuvendit.