Maqedonia dhe Greqia janë larg zgjidhjes së kontestit të emrit. Është ky qëndrimi i ish-ambasadorëve të kontaktuar nga Alsat-M, të cilët thonë se takimi në Nju Jork mes Dimitrovit dhe Kociasit është vetëm vazhdim i bisedimeve dhe se nuk pritet ndonjë zgjidhje konkrete. Ish-ambasadori Risto Nikovski vlerëson se emrat të cilët kërkohen nga pala Greke janë të papranueshme për partitë politike vendase. Sipas tij, zgjidhja do të vonojë, por kur të vij, do të jetë në favor të Greqisë.
Tani grekët kanë një pozitë shumë të mirë, për ta Erga-omnes tani më është realitet dhe i pranueshëm nga ana jonë, ndërsa tani ata po kërkojnë që të na e imponojnë një emër. Mendoj se hapësira për manovrim është shumë e ngushtë. Mundësia për të dalë nga kjo gjendje është thuajse e pamundur. E gjithë kjo na shpie në atë që marrëveshja është thuajse e pamundur. Mendoj se ana jonë në asnjë rast nuk mund të pranojë as Maqedonia e Vardarit apo Maqedonia e Re sepse kjo do ishte e papranueshme absolutisht jo vetëm nga të gjitha partitë tjera politike por edhe nga vetë qytetarët – deklaroi ish-ambasador Risto Nikovski.
Propozimet nuk duhet të jepen nga palët negociuese por nga ndërmjetësi Nimitc, thotë ish-ambasador Alajdin Demiri duke theksuar se takimi në Nju Jork ka të bëj vetëm me kthimin e emrave të vjetër në tavolinën e bisedimeve.
Vendimtare nuk besoj se do të jetë për arsye se propozimi që u hodh nga ana e grekëve do të kërkojë ri-formatim të propozimeve dhe është e pakuptimtë që propozimet të dalin nga palët. Propozimet duhet të dalin nga ndërmjetësuesi. Unë mendoj se në këtë takim në SHBA do të merren vesh për rikthim në propozimet e vjetra në ato 5 ose 4 që ngelën nga propozimet e Nimicit. Kjo do të jetë e arritura. Rezultat nuk pritet këtë herë. Do të vazhdojnë bisedimet me propozimet e Nimicit për arsye se propozimet e palëve gjithsesi se nuk do të pranohen – deklaroi ish ambasadori Alajdin Demiri.
Se në tryezën e bisedimeve janë kthyer përpsëri disa nga propozimet e Metju Nimitc, e tha edhe kryeministri i Greqisë Aleksis Cipras. Ai duke u përgjigjur në akuzat e opozitës Greke, tha se diplomatët grek po negociojnë duke u bazuar në katër propozimet nga OKB-ja, duke hedhur poshtë kështu propozimin që bëri bujë Republika e Maqedonisë së Ilindenit.
Besian Leka