Ballina Aktualitet Lajme BEXHETI POROSI OSMANIT DHE LIKËS, “MBANI PREMTIMET QË I DHATË” (VIDEO)

BEXHETI POROSI OSMANIT DHE LIKËS, “MBANI PREMTIMET QË I DHATË” (VIDEO)

Kryetari i komunës së Sarajit, Blerim Bexheti, në emisionin Klik Plus, dërgoi kritika ndaj zëvendëskryeministrit për çështje evropiane Bujar Osmani. Ai e ka fajësuar atë se po merret vetëm me çështjen e emrit, ndërsa siç, tha ka harruar investimet në komunën e tij, duke përmendur ndërtimin e një klinike.

Bexheti i dërgoi porosi edhe zëvendës kryeministrit Hazbi Likës, dhe kërkoi nga ai që të mbajë premtimin e çerdhes në Kondovë.

“Ka një vendim të qeverisë së mëparshme, jo të kësaj, që në muajin e dytë të fillojë poliklinika. Unë personalisht kam komunikuar me Bujar Osmanin, zëvendëskryeministër, ai nuk është vetëm për eurointegrime, është anëtar i kabinetit qeveritar. Me Hazbi Likën, e çështjeve të implementimit të Marrëveshjes së Ohrit, për punën e çerdhes. Duhet të mbajnë përgjegjësitë e tyre, siç mbaj unë edhe ata duhet të mbajnë përgjegjësi nëse kemi vonesa të realizimit”, tha Blerim Bexheti, kryetar i Komunës.

Ankesat ndaj ministrave që njëkohësisht janë edhe bashkpartiak të tij nuk mbaruan me kaq. Për liqenin Treska, Bexheti kritikat i dërgoi në adresë të Ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

“Tetë muaj, nga ish-kryetari i Komunës, z.Murati, dy muaj para se ta mbarojë mandatin, ka kërkesë për shpallje të Liqenit Treska si zonë të lirë turistike. Tetë muaj të mos mund të kalojë vendimi në qeveri është e pajustifikueshme”, tha Bexheti.

Nga ministri i ekonomisë, Blerim Bexheti gjithashtu kërkoi të rinisë puna në xeheroren e Radushës, gjë që sipas tij do t’i sillte prespektivë banorëve të këtij fshati. Ai apelon të ministrat që të mos merren të gjithë me çështjen e emrit, sepse përveç kësaj qytetarët kanë nevojë edhe për projekte për një jetë më të mirë. Këto kritika Bexheti i bën sepse, siç tha, ka pritur angazhim nga disa ministra, pa fshehur lëvdatat për ministrinë e ambientit jetësor, ministinë e arsimit dhe byronë për zhvillim.