I cilësuar nga Donald Trump si ”poker” i nivelit të lartë botëror, presidenti kinez, Xi Jinping mund të jetë fituesi i kësaj loje, pas anulimit të samitit të parashikuar mes presidentit amerikan dhe numrit një koreano-verior, Kim Jong Un.
Në fillim të muajit mars, Pekini, aleati i vetëm i regjimit koreano-verior, përshëndeti publikisht perspektivën e takimit Trump-Kim, pas disa muajve kërcënimesh reciproke që mund të rrisnin frikën për një konflikt bërthamor në kufi.
“Por, afrimi që u shfaq mes Uashingtonit dhe Phenianit mund të varet edhe nga Kina”, nënvizojnë analistët.
Deri në momentin që Xi Jinping ndërmori një afrim spektakolar me Kim Jong Un, të cilin e priti dy herë në të paktën një muaj e gjysmë, ai e kishte injoruar plotësisht që prej ardhjes së tij në pushtet dhe i ishte bashkuar sanksioneve ndërkombëtare kundër programit bërthamor koreano-verior.
“Kina ka provuar, nga dy takime me Kim, të ushtronte presion mbi Korenë e Veriut që ajo të mos i nënshtrohej amerikanëve”, thekson kinologu, Jean-Pierre Cabestan, nga Universiteti i Hong Kongut.
“Oferta për denuklearizim nga diktatori i ri koreano-verior ka frikësuar drejtuesit kinezë që janë demaskuar totalisht”, thekson Cabestan.
Sipas tij, Pekini dëshironte një samit Trump-Kim, por me kusht që ai të ishte vetëm një fillim i dialogut pa angazhime të forta.
– ”Dredhi” –
Takimi i dytë Kim-Xi, më 7 maj në qytetin turistik kinez të Dalian duket se ka qenë një kthesë. Ai është pasuar nga një ashpërsim i papritur i qëndrimit koreano-verior, ashtu si e ka cilësuar Donald Trump disa ditë para njoftimit të anulimit të samitit.
“Gjërat kanë ndryshuar pas këtij samiti dhe nuk mund të them se kjo më ka lumturuar”, ishte shprehur presidenti amerikan para se ta cilësonte “mikun” e tij Xi Jinping si “lojtar pokeri i nivelit botëror”.
“Një akuzë e hedhur poshtë sot nga Pekini. Ne nuk kemi prapamendime”, theksoi zëdhënësi i diplomacisë kineze, Lu Kang.
Dyshimi për një lojë të dyfishtë synon të bëjë Pekinin “kokë turku” të një dështimi për të cilin “fajkonët” e administratës Trump janë përgjegjësit e parë”, thekson politologu kinez, Hua Po.
“Kjo është vetëm një dredhi. Mendoj se anulimi i samitit është i lidhur para së gjithash me mosmarrëveshjet e brendshme të SHBA-së për politikën që duhet të ndjekë ndaj Koresë së Veriut”, deklaroi ai.
“Pekini nuk ka asgjë për të fituar duke sabotuar samitin”, thekson nga Uashingtoni analistja, Bonnie Glaser, nga qendra për studimet ndërkombëtare dhe strategjike.
Sepse anulimi i takimit, që do të zhvillohej më 12 qershor në Singapor, rrit gjasat për një rikthim aktiv të SHBA-së në opsionin ushtarak kundër Koresë së Veriut”, thekson ajo.
Por, për Jean-Pierre Cabestan, drejtuesit kinezë kanë rikonfirmuar presionin ndaj Kim Jong Un në Dalian sepse në sytë e tyre, afrimi i tepërt i tij me SHBA-në luan një lojë balancimi të disfavorshme për Kinën.
– ”Shtet tampon” –
“Më tepër se arsenali bërthamor i Phenianit, frika e tyre është stabiliteti dhe qëndrimi i dy Koreve”, thekson kinologu.
“Kina kërkon të mbajë një shtet tampon që të jetë më pranë saj se SHBA-së.
Ashtu si Donald Trump, Xi Jinping është përpjekur t’i prishë mëndjen Kim Jong me një ndihmë ekonomike që mund t’i jepte vendit të tij, ndërkohë që Koreja e Veriut do të zhvillojë pronën e saj strategjike.
Duke reaguar për anulimin e samitit, diplomacia kineze ka nënvizuar se as Uashingtoni, as Pheniani nuk e kishin mbyllur portën për dialog dhe u kërkoi dy palëve të japin prova të vullnetit të mirë.
“Kina, me siguri, po përpiqet të vendosë samitin në shina”, thekson Bonnie Glaser.
“Nëse Xi Jinping zhvillon me sukses një ndërmjetësim mes Kim dhe Trump, ai mund të sigurojë një marrëveshje më të mirë tregtare me SHBA-në. Kjo do të ishte në fitore e siguruar për Pekinin”, shton ajo.
“Xi Jinping do të donte sigurisht të ishte organizatori i madh i një samiti Trump-Kim”, nënvizon Cabestan.
“Kina synon të vendoset në qendër të lojës”, shtoi ai./ATSH-AFP/