Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka ironizuar me protestën e opozitës, duke e quajtur atë qesharake.
Ai në facebook ka falënderuar të gjithë ata demokratë, të cilët nuk duan ta shohin me sy qeverinë, po e refuzuan ftesën për të marrë pjesë në babaleprotestën sa qesharake, aq edhe të pabesë ndaj çdo shqiptari e shqiptareje, që nuk pranon të dëmtojë Shqipërinë për babalepartinë.
Mbyllet pas dy orësh protesta e opozitës, regjistrohen incidente sporadike
Pas rreth dy orësh, ka përfunduar edhe protesta e opozitës, që pavarësisht tentative sporadike, mund të thuhet se u mbyll në mënyrë të qetë e paqësore.
Protestuesit u grumbulluan fillimisht në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, ku mbajti fjalën e tij edhe lideri i PD-së, Lulzim Basha. Ai bëri thirrje për t’u bashkuar kundër qeverisë në pushtet, që zhvat qytetarët dhe i shërben krimit e oligarkëve.
Më pas Basha ftoi protestuesit të marshojnë drejt qendrës së Tiranës, pranë ambienteve të Ministrisë së Brendshme, brenda të cilës ndodhej edhe ministri Fatmir Xhafaj.
Incidentet e para u regjistruan para kryeministrisë, teksa turma po largohej për te godina e Ministrisë së Brendshme. Disa protestuesë hodhën flakadanë dhe sende të tjera, drejt forcave të policisë, por që gjithçka përfundoi shpejt dhe qetësisht.
Më pas, protestuesit rrethuan godinën e Ministrisë së Brendshme, ku krahas thirrjeve “Xhafaj Ik!”, tentuan disa herë të çajnë kordonin policor, që ruante perimetrin e sigurisë.
Në momentin që situata po shkonte drejt agravimit, ishin deputetë të PD-së, me në krye liderin e opozitës, Basha, që u vunë në krye të turmës dhe ftuan protestuesit të largohen, drejt selisë së PD-së.
Pikërisht në ‘shtëpinë e opozitës’, Basha mbajti edhe nëj fjalim të fundit, ku falënderoi protestuesit dhe tha se bashkë me ta sot foli edhe Europa, që refuzoi hapjen e negociatave me qeverinë e krimit.
Aktualisht shumica e protestuesve janë shpërndarë, ndërsa një numër i konsiderueshëm e tyre, ndodhen ende në ambientet e selisë së Partisë Demokratike.