Një delegacion i Bashkimit Evropian (BE) do të vizitojë Turqinë të enjten për të diskutuar marrëveshjen e udhëtimit pa viza për shtetasit turq dhe çështjen e refugjatëve, njoftuan burime të BE-së.
Delegacioni i BE-së do të qëndrojë në kryeqytetin Ankara të enjten dhe të premten dhe do të mbajë takime me Ministrinë e Çështjeve të BE-së, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Ministrinë e Brendshme pas vlerësimit të listës së kritereve që Turqia duhet të përmbushë për të marrë liberalizimin e vizave, transmeton AA.
Një plan pune që qytetarët turq të udhëtojnë në vendet e Shengenit pa viza, i cili u paraqit nga Turqia në Bruksel në muajin shkurt, është duke u shqyrtuar.
Delegacioni teknik i Komisionit Evropian do të përcjellë pikëpamjet e tij mbi shtatë kriteret e pazgjidhura nga gjithsej 72 që Ankaraja pritet të përmbushë.
Më 4 prill, Ministri i Çështjeve të BE Omer Çelik u tha ligjvënësve në komisionin e çështjeve të jashtme të parlamentit se tashmë kishin diskutuar propozimin për udhëtim pa viza me nënkryetarin e parë të Komisionit Evropian, Frans Timmermans.
Në vitin 2016, Turqia dhe BE-ja nënshkruan një marrëveshje që synon të frenojë valën e migrimit të parregullt përmes Detit Egje, duke marrë masa më të rrepta kundër trafikantëve të qenieve njerëzore dhe duke përmirësuar kushtet për rreth tre milionë refugjatë sirianë në Turqi.
Marrëveshja gjithashtu mundëson përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Turqisë në BE dhe udhëtimit pa viza për shtetasit turq brenda zonës Shengen, me kusht që Ankaraja t’i plotësojë të gjitha 72 kërkesat e parashtruara nga BE.
Turqia prej një kohe të gjatë është ankuar se BE-ja ka qenë e ngadaltë për të ofruar fondet e premtuara për refugjatët dhe nuk ka përkrahur përfundimin e marrëveshjes në lidhje me udhëtimin pa viza.