Të dënuarit në burgun e Kosovës në Lushnje janë të anagzhuar gjatë gjithë kohës me kurse të ndryshme profesionale. Në fund, ata pajisen me një certifikatë që iu shërben jashtë qelive.
Duket sikur kohën në burg nuk po e kalojnë kot. Po mësojne të bëhen hidraulikë ose elektriçistë. Këtu në burgun e Kosovës gjërat duken ndryshe. Jo si mure ku të është marrë liria.
“Kurset janë shumë të vlefshme pasi mësojmë diçka. Kur të dalim jashtë jemi të përgatitur për të mos bërë të njëjtat gjëra që kemi bërë më para”.
Këta të denuar po punojnë një varke me spango dhe shkopinj. Të vetmet materiale që u lejohen brenda qelive. Ata argëtohen si pjesa tjetër e bashkëvuajtësve për t’u bërë pjesë e një koncerti që po zhvillohet në zonen e ajrimit.
Disa këngëtarë dhe humoristi Cekja i Beratit kanë ardhur për të argëtuar të burgosurit. Sëbashku me ta edhe policët roje, nga kulla e vrojtimit po ndjekin shfaqjen brenda rrethimit me tela.
“Me humorin tim do përpiqem t’u shkaktoj të qeshura sepse në fund të fundit, jeta vazhdon, secili bën gabime”.
Kushtet në të cilën mbahen të dënuarit në Kosovë, ndoshta nuk janë më të mirat në vend, por kurset kanë ndryshuar jetët e shumë prej tyre. Ky i dëmuar me 18 vjet për vrasjen e policëve në Qafë-Gjashtë në vitin ‘97, ka përfunduar kohën e kurseve, por jo dënimin.
Janë rreth 180 të burgosur në Kosovë të Lushnjes me dënime nga tre muaj deri në 25 vjet. Ky është burg i sigurisë së zakonshme, ku 50 prej të dënuarve ndjekin rregullisht, kurse profesionale, dhe pajisen me një certifikatë, të vlefshme për t’u punësuar jashtë hekurave./abcnews.al