Presidenti i Filipineve Rodrigo Duterte ka tërhequr kritika pasi puthi në buzë një filipinase që punon jashtë vendit gjatë një aktiviteti të transmetuar drejtpërsëdrejti. Duterte po mbante një fjalim në Korenë e Jugut, kur thirri gruan në fjalë në skenë, dhe më pas e bindti që ta puthte. Skena u brohorit nga turma e njerëzve, shumë prej të cilëve punonjës filipinas. Por ajo u përshkrua nga grupet e të drejtave të njeriut si teatër i neveritshëm nga një president që paragjykon dhe shpreh tendenca urrejtjeje ndaj grave.
Kjo nuk është hera e parë që Duterte është akuzuar për sjellje të papërshtatshme ndaj grave. Në prill të 2016-ës, ai foli gjatë një mitingu për vrasjen dhe përdhunimin në Davao të një misionareje australiane në vitin 1989, kohë në të cilën ai ishte kryebashkiak i atij qyteti. “Isha i zemëruar sepse u përdhunua. Kjo është një gjë. Por ajo ishte aq e bukur. Kryebashkiaku duhet të kishte qenë i pari. Çfarë shpërdorimi! – tha ai në atë kohë. Zyra e tij kërkoi falje më pas për komentet. Ndërsa në fillim të këtij viti, Duterte u tha ushtarëve filipinas që t’i godisnin rebelet komuniste në organet gjenitale.