Ballina Bota NETANYAHU DËSHTOI TË BIND KANCELAREN MERKEL PËR IRANIN

NETANYAHU DËSHTOI TË BIND KANCELAREN MERKEL PËR IRANIN

Kancelarja gjermane Angela Merkel riafirmoi angazhimin e Gjermanisë ndaj marrëveshjes me Iranin, pavarësisht pretendimeve izraelite se Teherani po mashtronte mbi marrëveshjen, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ne (evropianët) besojmë se JCPOA është një mundësi për të mbajtur nën kontroll aktivitetet bërthamore të Iranit për një kohë të caktuar dhe për të parandaluar një Iran të armatosur me armë bërthamore”, tha Merkel në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, pas takimit të tyre në Berlin.

Merkel tha se muajin e kaluar ata ishin afër një marrëveshjeje me kryeministrin izraelit për nevojën për të parandaluar një Iran të armatosur me armë bërthamore, por se kishin qëndrime të ndryshme mbi mënyrën më të mirë për të arritur këtë.

Presidenti amerikan, Donald Trump, muajin e kaluar u tërhoq nga marrëveshja bërthamore me Iranin, duke pretenduar se Irani po drejtonte një program sekret për të ndërtuar armë bërthamore.

Marrëveshja bërthamore e Iranit, e njohur si Plani i Përbashkët i Veprimit (JCPOA) u nënshkrua midis Teheranit dhe fuqive të mëdha botërore, Kinës, Rusisë, Francës, Britanisë së Madhe, SHBA-ve si dhe Gjermanisë.

Merkel dje theksoi se marrëveshja bërthamore me Iranin deri më tani ka siguruar shumë transparencë në aktivitetet bërthamore të Teheranit.

Por, ajo po ashtu u kërkoi mbikëqyrësve bërthamorë të OKB-së të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) që të shqyrtojnë me kujdes materialet e fundit të paraqitura nga Izraeli, dyshimet mbi programin e fshehtë të Iranit.

“Unë besoj se kjo është absolutisht thelbësore për transparencë më të madhe”, u shpreh Merkel.

Muajin e kaluar, Izraeli tha se shërbimet e tij të inteligjencës kishin siguruar 55 mijë faqe të dokumenteve iraniane duke zbuluar se si Teherani gjoja gënjeu para botës pas nënshkrimit të një marrëveshjeje të rëndësishme në vitin 2015 për të frenuar programin e saj bërthamor.