Sulmuesi me ngjyrë i Italisë, Mario Balotelli ishte i pranishëm në ceremoninë e prezantimit të një libri të titulluar “Demonët”, me autor Alessandro Alciato.
Ajo që ai di të bëjë më mirë është të luajë futboll, por në këtë libër ka një kapitull të dedikuar enkas atij, në të cilin rrëfen eksperiencën e tij të vështirë përballë racizmit me të cilin është ndeshur në jetë.
I pyetur nga shumë reporterë, një pyetjeje specifike mbi të ardhmen e tij i është përgjigjur me ironi: Ku do të më shihni të luaj? Pyesni avokatin Rigo (bashkëpunëtor i agjentit Raiola). Megjithëse, e dini se çfarë i kam thënë atij? Vetëm Salvini e di se ku do të shkoj të luaj… (qesh).
Me të kaluar notat e humorit ironik, Supermario kthehet me seriozitet e tregon sesa ka vuajtur përpara se të mbushte 18 vjeç, për faktin se nuk mundej të vishte fanellën e kombëtares së tij, “axurren” e Italisë.
“Ka qenë një moment tejet i vështirë për mua. E sigurisht do të doja të bëja një apel për të gjithë ju. Unë jam lindur në Itali, kam jetuar në Itali, kam studiuar këtu dhe fakti që nuk konsiderohesha italian deri në moshën 18 vjeç përbën pjesën më të errët të jetës sime. Ndaj, dua të ftoj politikanët që të bëjnë diçka me ligjet italiane”.
Përpara se të largohej nga salla, një falënderim dha për Mancinin, “një person special” për të, e sigurisht një batutë për të ardhmen e tij.
“Me të vërtetë që nuk e di se ku do të luaj, në Itali ose jashtë. Nëse më pëlqen Torino? Po, është një qytet i bukur”, tha sulmuesi i rikthyer tek Italia me ardhjen e Mancinit, e që po tentohet këtë verë nga shumë skuadra, mes të cilave edhe Torino./TCH/