Drejtuesit e autoshkollave në Tetovë janë ankuar se bëjnë pagesa të mëdha për shfrytëzimin e poligonit, ndërsa ankesat e tyre nuk përfillen aspak. Një kandidat për t’u futur në provim në pjesën e poligonit, duhet të paguaj 1 000 denarë, ndërsa po ashtu autoshkollat, për shfrytëzimin e poligonit paguajnë nga 5 500 denarë në muaj. Nga ana tjetër autoshkollat në Tetovë, nuk kanë të drejtën e zgjedhjes së një poligoni tjetër, por vetëm të atij që ka fituar tenderin në kuadër të qendrës së re për provime.
Ne si autoshkollë dhe si shoqatë jemi munduar ta heqim këtë barë, të paktën të paguajnë vetëm kandidatët ose vetëm neve, kjo punë nuk u bë. Ky është një lloj diktimi apo represioni ndaj shkollave. Shteti iu jep monopol atyre të manipulojnë dhe ne jemi shumë të pafuqishëm. Merreni shembullin në Shkup, çdo kandidat që shkon e bën ushtrimin e paguan 100 denarë ndërsa provimin e ka 180 denarë absurde është plus autoshkollat në Shkup nuk paguajnë mujore sikurse ne – thotë Raman Aliti, pronar autoshkolle.
Drejtuesit e autoshkollave thonë se kjo dëmton buxhetin e tyre dhe shteti duhet të ndihmojë në rregullimin e çmimit.
Është mbingarkesë, jo ngarkesë për neve dhe ne u munduan që ne si autoshkolla të paguajmë por jo edhe kandidati, por ata kërkojnë ekstra pagesë ditën që kandidati do jetë në provim do paguaj plus 1000 denarë – pohon Zeadin Musliu – instruktor.
Jemi ankuar por kot, vazhdon avazi i vjetër, neve veç duhet të luajmë “vallen” – tha Ali Alili – pronar autoshkolle.
Drejtuesit e poligonit nuk deshën të prononcohen para kamerave por, për Alsat thonë se autoshkollat kanë pranuar që të nënshkruajnë kontratë për shfrytëzimin e këtij poligoni ndërsa kërkesës së tyre për uljen e çmimit i janë përgjigjur njëherë duke e ulur për 2000 denarë edhe atë nga 7500 në 5500 denarë”.
Sipas pronarëve të auto-shkollave, defekti qëndron te ligji i cili mundëson që, një poligon të fitojë tenderin për mbajtjen e provimit ndërsa autoshkollat janë të obliguara që të kryejnë shërbimet tek ai poligon që do fitojë tenderin për mbajtje të provimeve./Alsat-M
Bashkim Sulejmani