Nga Eduard Zaloshnja
Fodullëku ka të bëjë me budallallëkun e atij që e shfaq. Arroganca ka të bëjë me pafuqinë e atyre që e rrethojnë arrogantin. Arroganti e ka të lindur prirjen për të qenë i tillë, por ndryshe nga fodulli, është aq i zgjuar sa të mos gafurret, kur ka përballë dikë po aq të fuqishëm sa vetja ose edhe më të fuqishëm se vetja.
Para marrëveshjes Rama-Basha të 18 majit 2017, ky i fundit kishte pas drejtuar një fushatë elektorale ku, kandidatët e tij për kryebashkiakë kishin marrë 670 mijë vota. Ndërkohë, LSI-ja ishte një parti që kishte marrë 260 mijë vota, për këshilltarët e saj bashkiakë.
Në ato kushte, Rama nuk e kishte luksin të tregonte arrogancë, megjithëse prirjen për arrogancë e ka të lindur. Një koalicion parazgjedhor i PD-së me LSI-në, mund të rezultonte fatal për karrigen e tij (falë avantazhit që i jep sistemi elektoral shqiptar koalicioneve paraelektorale). Prandaj, Rama futi me zgjuarsi një pykë në mes të PD-së dhe të LSI-së, duke çuar Metën në Presidencë dhe duke i shkelur syrin Bashës, për një bashkëqeverisje të madhe pas zgjedhjeve.
Duke përhapur fjalë gjatë fushatës se, pas zgjedhjeve, do të krijohej një Große Koalition i PS-së me PD-në (sipas modelit gjerman), Rama kishte një synim perfid elektoral – mpirjen e elektoratit të djathtë. Fjalët e përhapura prej tij, përforcoheshin edhe nga futja në qeverinë parazgjedhore të gjashtë ministrave të propozuar nga PD-ja.
Nga ana tjetër, Basha nuk lëshoi ndonjë mesazh konsistent gjatë fushatës së qershorit 2017, përmes të cilit të mohonte vazhdimisht e në mënyrë kategorike, një koalicion të mundshëm paszgjedhor me Ramën. Ai, pasi la jashtë listës së kandidatëve disa politikanë e figura të djathta me peshë në elektorat, u fokusua te fushata e tij e qetë me premtime ekonomike, si dhe tek shigjetimet ndaj LSI-së dhe PDIU-së. Ndërkohë, Rama bridhte me çitjane nëpër Shqipëri, e fliste për timonin dhe tepsinë…
Nuk është bërë, deri më sot, ndonjë vrojtim statistikor rreth shkaqeve që sollën tkurrjen gjigante elektorale të PD-së, por korrelacioni i dukshëm mes rënies së pjesëmarrjes (me 150 mijë zgjedhës) dhe tkurrjes 220-mijëshe të votave të djathta, të bëjnë të mendosh se rrjedha e ngjarjeve nga 18 maji deri më 26 qershorin e vjetshëm, përbëjnë shkakun kryesor të saj. Gjë që i dha mundësinë PS-së të siguronte 74 mandate, megjithëse mori vetëm 95% të votave që kishin marrë më 2013-ën, të gjitha partitë e majta së bashku (përjashtuar LSI-në dhe PBDNJ-në).
Me 74 mandatet e PS-së, të përforcuara edhe me 4 mandatet e PDIU-së dhe PSD-së, Rama e ndjeu veten mjaftueshëm të fuqishëm, sa të rishfaqte arrogancën e tij karakteristike. Ai filloi të tregohej arrogant ndaj PD-së e LSI-së, si edhe ndaj të gjitha mediave (edhe ndaj atyre që kanë qenë zakonisht miqësore ndaj tij).
Duke qenë i fiksuar pas sondazheve, Rama patjetër ka pajtuar dikë për t’i zhvilluar sondazhe të përmuajshme. Dhe sondazhet e tij duhet të jenë goxha më të detajuara se sondazhet mujore që bëj unë, për një revistë që botohet këtu në anglisht.
Nga sondazhi i fundit që zhvillova këto ditë, për shembull, më rezultoi se vetëm 500 mijë banorë të rritur janë gati ta votojnë sot PD-në (për krahasim, PD-ja mori 600 mijë vota edhe në 1997-ën, kur nuk bënte dot fushatë në jug të Shkumbinit). Ndërkohë, në sondazhin tim, LSI-ja ishte në kuotën e 180 mijë votave. Pra, të dyja bashkë mund të shkojnë te 680 mijë votat – që nuk janë të mjaftueshme për të mundur koalicionin PS-PDIU-PSD…
Në një sondazh të disa muajve më parë rreth figurave politike kryesore, Basha më dilte 20 pikë poshtë Ramës dhe 13 pikë poshtë Berishës. Nuk e di se ç’rezultate ka Rama në sondazhet e tij, por besoj se duhet t’i ketë të ngjashme me të miat (sepse realiteti i matur nga sondazhet, është i njëjtë).
Me pak fjalë, për sa kohë të jetë i bindur se, partitë opozitare (dhe Basha në veçanti), kanë kuota të ulëta në opinionin publik, Rama do të vazhdojë të tallet me përgjimet dhe protestat e tyre. Nga “revolta popullore” e opozitës, ai nuk ka frikë, sepse e di që qeveria nuk i bie prej saj, për sa kohë kancelaritë perëndimore duan stabilitet në Shqipëri (ai e mban mend mirë precedentin e 1998-ës…).
Rama mund ta heqë kostumin e arrogantit, në qoftë se në krye të PD-së vjen një lidership i ri, që mund ta çojë atë parti të paktën në nivelin e 700 mijë votave. Përndryshe, ai mund të heqë dorë nga arroganca, vetëm nëse bën vaki që t’i plasë ndonjë bombë nga jashtë. Siç i plasi Tahirit nga përgjimet e prokurorisë së Katanias, ose siç i plasi Gruevskit nga përgjimet e shërbimeve sekrete perëndimore…(AFP.al)