Nga Andon Andoni
Përfitimi i statusit të vendit kandidat të Shqipërisë për në BE dhe çështja e hapjes së negociatave në fund të këtij muaji, midis të tjerave, me gjasë do përvijojë edhe më tej “fajet” dhe sjelljet ndikuese negative të pozitës qeverisëse dhe opozitës në vend, çfarëdo të jetë vendimi i Komisionit Europian në lidhje me çeljen e negociatave.
Arsyet janë të ndryshme. Kjo lloj analize është bërë dhe do vijojë të bëhet më e plotë edhe pasi ky proces të jetë përmbyllur.
Në këto radhë nuk kemi fort synimin të merremi me këtë gjë, porse duke hedhur një sy në 100 vjet më parë, në verën e vitit 1918, duket qartazi se grindjet alla shqiptarçe do jenë edhe tani një nga arsyet kryesore të qëndrimit europian dhe me gjerë, ndaj këtij populli që nuk mundi dot kurrë të flasë me gjuhën e tij, por të një klase politike aspak përfaqësuese.
Në pranverën e 1918 shqiptarët e Amerikës, prej nga dirigjohej dhe tërë lufta dhe përpjekja për një mëvetësi shqiptare, ishte e ndarë në dy rryma, të cilat Kostë Çekrezi, përfaqësuesi “Vatrës” pranë Departamentit të Shtetit, dhe dy vite më vonë edhe i Qeverisë së Lushnjës, i emërtonte grupi Bashkimdashës (d.m.th që donte bashkimin me Partinë Politike të Kristo Dakos, nënkupto opozita e sotme,) dhe grupi Fanolist.
Nga burimet e ndryshme rezulton se këto dy grupe përfaqësonin dhe dy tendenca në vijën politike të “Vatrës” për sa i përket mbështetjes së vendit nga një fuqi e huaj. Rryma që kryesohej nga Çekrezi, ishte për një politikë më të moderuar, më tolerante ndaj Italisë. Ndërsa Noli, kishte mbajtur një qëndrim të prerë ndaj synimeve italiane, qëndrim i cili kishte shkaktuar dhe reagimin e diplomatëve italianë në Washington.
Ekzistencën e këtyre rrymave e provon vetë K. Çekrezi, i cili në raportin e tij mbi qëndrimin në Kuvendin e “Vatrës” kishte sulmuar memorandumin e marsit të “Vatrës” kundër protektoratit italian për “gjuhën e ashpër të tij” dhe e kishte detyruar komisionin Drejtues të “Vatrës” të bënte autokritikë për këtë “gabim”.
Por Çekrezi theksonte, gjithashtu, se dënimi i Komisionit të “Vatrës” nuk u shënua në rekordin (procesverbalin) e kuvendit “meqë delegatët kishin frikë se mos dukej që na pëlqen Protektorati italian”[1].
Ky pohim i dytë bën të qartë se të gjithë delegatët e “Vatrës” përfaqësues të shqiptarëve të Amerikës, ishin kundër protektoratit dhe aneksimit të Vlorës, por mendimet e tyre ndryshonin vetëm për qëndrimet taktike që do të mbaheshin ndaj kësaj politike të Italisë.
“Vatra” vazhdonte të insistonte në kërkesat e saj që qeveria italiane në radhë të parë të ndiqte një politikë të hapur ndaj Shqipërisë dhe, së dyti, ajo “të ndikonte që të ndreqeshin padrejtësitë e Konferencës së Londrës”.
Udhëheqësit e “Vatrës”, dhe ndër ta kryesisht Çekrezi, u shprehën për bashkëpunim me Italinë, në qoftë se kjo e fundit do të bënte një deklaratë formale ku të mbështeste një shtet të pavarur shqiptar, i cili do të përfshinte brenda kufijve të tij të gjithë territoret që dominoheshin nga populli shqiptar. Me “mashën italiane” donin të nxirrte nga zjarri “gështenjat e nxehta” shqiptare; dhe të bashkonin me mëmëdheun Kosovën dhe Çamërinë.
Si hap të parë të domosdoshëm në realizimin e programit të saj politik, “Vatra” konsideronte krijimin e një qeverie kombëtare, e cila do të përfaqësonte Shqipërinë në Konferencën Paqes[2]. Në një artikull redaksional të “Revistës Adriatike”, Çekrezi si kryeredaktor i saj, theksonte se “Puna e vërtetë për formimin e qeverisë filloi kur Mehmet Konica, delegati i “Vatrës” në Angli, shkoi në Shqipëri me qëllim që të konfirmohej me udhëheqësit e atjeshëm shqiptarë[3]. E kësaj kohe është dhe marrëveshjen që u arrit më qeverinë italiane për thirrjen e Kongresit të Durrësit dhe për formimin e Qeverisë së Durrësit.
Ishte koha kur Lufta e Parë Botërore kishte ulur siparin në 11 nëntor 1918, por shpresat dhe dëshirat e shqiptarëve për një pavarësi pas luftës, dhe me “ndihmën” italiane tashmë ishin edhe më të vagëlluara dhe të errëta.
Letrat ende nuk ishin hapur të gjitha dhe nën mëngën e diplomacisë botërore shiheshin ato më të rëndësishmet dhe më me peshë. Koha do tregonte se si do luheshin.
Pas përfundimit të luftës, shpresat e shqiptarëve të Amerikës ishin rritur shumë për rolin pozitiv që mund të luante tashmë diplomacia amerikane në drejtim të zgjidhjes së çështjes shqiptare. Pranë kauzës shqiptare ishin grumbulluar me dhjetëra personalitete të këtij vendi të madh të lirisë, që nga shkrimtarë e profesorë universitetesh dhe deri diplomatë të lartë të shtetit.
Kostë Çekrezi ishte një ndër më aktivët në ballë të përpjekjeve për të siguruar përkrahjen e shtetit amerikan.
Dashuria e vjetër italiane, ishte lënë pas në fund të 1918-ës. Sytë ishin kthyer nga Amerika, e cila ishte larg dhe nuk do kishte kurrë pretendime territoriale si fqinjët.
Dashuria shqiptare ishte e qartë. Në listën e kontributeve të dhëna nga emigrantët e kombësive të ndryshme që jetonin në SHBA, sipas dokumenteve të publikuara në atë kohë nga Departamenti i Thesarit i Qeverisë Amerikane, rezultonte se emigracioni shqiptar për nga sasia e kontributeve të dhëna, renditej në krye të 30 grupeve të emigrantëve të kombësive të tjera[4] , në blerjen e bonove të thesarit.
Shpresat e mëdha që kishin varur shqiptarët tek SHBA-ja u shprehën në fjalët historike të Nolit në Camps Devens: “Amerika ka patur në kohën e shkuar një Linkoln që s’mund ta duronte një komb gjysmë të lirë dhe gjysmë rob. Amerika ka tani një president që s’mund ta durojë një botë gjysmë të lirë dhe gjysmë rob”[5].
Por, megjithëkëtë, Italia fqinje kishte ende shumë në dorë. Shto këtu edhe shkopinjtë nën rrota që vendosnin vetë shqiptarët te njëri-tjetri, e bënte çështjen e njohjes një problem të koklavitur. Ajo u shtri dhe u gangrenizua edhe gjatë Konferencës së Paqes. Madje, deri pas krijimit të Qeverisë së Lushnjës më 1920. Çekrezi do të shkruante:
“Me të marrë kabllogramin Tuaj (të Mehmet Konicës-A. A.) më datë 7 të këtij, në të cilën kishit mirësinë të më jepnit informata, përmi komplotin e gatuar prej fqinjëve tanë, me Esatin si agjent, vajta që të piqnja sekretarin e Shtetit, pas instrukcjeve të juaja.
Por për fat zoti Colby, s’ishte në zyrën e tij atë ditë… por duke mos mundur të takoja zotin Colby më këshilluan që të fjalosem me asistentin e tij, Dr. Albert Shaw, të cilit i shfaqa me gojë punën…dhe pa pritur të mbaronja mirë më pyeti në është frika se mos përsëritët ai komplot?!
Kur i thashë se po, dhe se tërë këto ngjarje vijnë ngaqë Qeveria jonë nuk është e njohur nga ndonjë anë, Dr. Shaw me pyeti në kisha ndërmend ndonjë mënyrë përkrahje nga ana e shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe mu lut që t’ia shtronja përpara më të shkrojtur.
Si përfundim të këtij bashkëbisedimi, përgatita memoranden, një kopje e të cilës e gjeni këtu brenda të cilën ia dorëzova Dr. Shaw, që më siguroi se do t’ia parashtronte menjëherë sekretarit të Shtetit, zotit Colby”[6].
Edhe pse kërkuan një gjuhë të matur ndaj Italisë evropiane, për ta shfrytëzuar si një mundësi mbështetjeje, shqiptarët e Amerikës, u luhat herë-herë edhe për planin amerikan për paqen. Por ata, nuk kishin se si të informoheshin, se për Shqipërinë, nga vetë krerët e diplomacisë amerikane, fillimisht ishte projektuar një kundërshtim i sovranitetin dhe integritetin territorial të saj.
“Komenti zyrtar sekret që këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, E. House, u bënte 14 pikave të Willsonit në fund të tetorit 1918, miratonte synimet e Italisë për të vendosur protektoratin mbi Shqipërinë dhe linte të hapur njëkohësisht çështjen e kufijve jugorë, duke vënë në pikëpyetje vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të 1913…[7].
Çekrezi i kishte vënë Komisionit të Presidentit, që drejtonte Zoti Hous, në dispozicion një raport prej 80 faqesh për të drejtat e Shqipërisë, që fatkeqësisht nuk i mori parasysh dhe, në prill të 1919, bëri që presidenti Willson të bënte rekomandimin që Vlora t’i mbetej Italisë”[8].
Çekrezi u akuzua se kishte ndjekur besnikërisht linjën e delegatit të “Vatrës”, Mehmet Konicës, dhe Turhan Pashës, në përkrahjen e tezës së protektoratit italian, dhe u shigjetua nga Partia Politike si “delja e zezë”, si një nga kryesorët e shqiptarëve të Amerikës që mbrojti protektoratin: “Mehmet Beu… dërgoi edhe këtu në Amerikë urdhër, që “Vatra” të mos nxjerrë asnjë fjalë kundërshtimi kundër kërkimeve ngadhënonjëse që kishte shtruar Italia për të aneksuar Vlorën, qarkun e saj dhe për të vënë Shqipërinë e vogël nën protektoratin e saj.
Ndonëse nuk kemi mundur të gjejmë fakte të dukshme, logjika të çon në ekzistencën e mundshme të një nxitjeje të kësaj përçarjeje nga fuqitë e huaja. Ajo mund të këtë ardhur nga misionin diplomatik italian në SHBA[9]. Në një raport të dërguar nga Kostë Çekrezi për Mehmet Konicën, një vit më vonë, dhe ku tregohen përpjekjet e vazhdueshme dhe kontaktet e shpeshta të Çekrezit me ambasadën italiane në Washington për gjatë atyre dy viteve, kur vetë Çekrezi e kishte kthyer pllakën, dhe tani përkrahte Amerikën, thuhet:
“Me rastjen e ardhjes këtu të gjeneralit Scriven, i cili po përpiqet për neve me fuqinë që ka, vajtme tok te ambasadori i Italisë, duke qenë se desha t’i mbush mendjen Gjeneralit që italianët s’kanë qëllime të mira për neve. Bashkëfjalimi u bë më 2 të këtij. Gjenerali shfaqi hidhërimin e tij se përse shqiptarët dhe italianët të zihen në mes tyre, po ambasadori u përgjigj duke thënë se fajin e kemi neve shqiptarët, gjë të cilën e kundërshtova në mënyrë të atillë që gjenerali u bind prej argumenteve të mia. Pastaj ambasadori duke parë se ra jashtë në atë pikë, tha që Shqipërinë e mori më qafë Amerika, duke qenë se amerikanët dhe më tepër ata të Kryqit të Kuq, i shtyjnë shqiptarët kundra Italisë duke ju thënë se kanë me vete Amerikën, kurse Amerika po hiqet tani nga ngatërrimet e Europës, duke i lënë shqiptarët në baltë”[10].
Italianët kishin kohë që e lexonin më mirë se vetë shqiptarët mbështetjen që Amerika po i jepte kauzës së vendit të vogël malor në mes të Ballkanit. “Ambasadori(Italian, A.A) më tha një gjë të çuditshme;- shkruan Çekrezi,– që kishte vajtur në Departamentin e Shtetit dhe kishte protestuar tek sekretari Colby kundra propagandës që po bënte kryqi i Kuq Amerikan në Shqipëri përmes të cilës, Amerika do që të sigurojë mandatorin në Shqipëri”.
Xhelozia mes palëve të politikës shqiptare të kohës bënë që “Albania” e Kristo Dakos të shprehej; “Kur presidenti Willson bëri rekomandimin që Vlora t’i mbetej Italisë ishte nën përshtypjen se Kabineti i Turhan Pashës, anëtarët e “Vatrës” që formojnë shumicën e shqiptarëve të Amerikës edhe përfaqësonjësi i tyre, i përnderçmi Noli, të cilin pati interesin ta pjekë në vaporin Mayflower, nuk kanë asnjë kundërshtim që Vlora t’i jepet Italisë, edhe kështu e bëri rekomandimin që Vlora t’i mbetet Italisë”[11].
Efektet e përçarjes të diasporës shqiptare në Amerikë ishin me pasoja të cilat u ndjenë, më gjerë deri në mëmëdhe. së pari treguan ftohjen miqtë e Shqipërisë, disa nga personalitet e shquara albanofile të Amerikës krijuan opinionin se “për shkak të grindjeve, shqiptarët nuk do të ishin në gjendje të drejtonin vetë shtetin e tyre e, për pasojë, Shqipërisë i nevojitej një Protektorat i huaj”[12].
Këtë fakt e vinte në dukje Dr. Turtulli në letrën që i shkruante Nolit dhe ai i referohej mikut të madh të Shqipërisë, Carl Krane.
Të tilla zhgënjime dhe rrudhje buzësh nga të huajt, miq të Shqipërisë, shqiptarët do t’i vuanin gjatë. Që nga ajo kohë dhe deri në ditët e sotme, për shkak të grindjeve dhe konflikteve të klasës politike.
Me gjasë edhe në fund të këtij muaji, do të ndodhë e njëjta gjë si njëqind vjet më parë.
[1] Po aty, f. 209
[2]“Dielli”, dt. 9.12.1918, Delegatët tanë në Shqipëri.
[3]“Adriatik Review”, nr. 5-6, janar 1919
[4]Po aty f. 233
[5] Beqir Meta, “Federata pan shqiptare” Vatra”, “Globus R”,Tiranë 2002, cituar: Pozita e Shqipërisë, “Dielli”, dt. 30.10.1918.
[6]Raport i Kostë Çekrezit dërguar Mehmet Konicës, Ministër i Punëve të Jashtme, “Hotel Campbell”, Paris, 19 maj 1920, f. 2
[7]Haris Silajxhiç, “Shqipëria dhe SHBA në arkivat e Washingtonit”, “Dituria”, Tiranë 1999, f. 143
[8]The “Albania”, 10 maj 1919
[9] Po aty
[10]Raport i Kostë Çekrezit, dërguar Mehmet Konicës, Ministër i Punëve të Jashtme, Hotel Campbell, Paris, 19 maj 1920, f. 3
[11] The “Albania”, 10 maj 1919
[12] Beqir Meta, “Federata pan shqiptare” Vatra”, “Globus R”,Tiranë 2002, f. 186