Ambasadori i BE-së, Samuel Zhbogar pret implementim të plotë të marrëveshjes me Greqinë për emrin deri në fillimin e vitit të ardhshëm. Zhbogar shpreson që Maqedonia të marrë ftesë për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE në korrik të këtij viti. Ai nuk e komentoi qëndrimin e presidentit Ivanov i cili tha se nuk do e nënshkruaj ligjin për ratifikimin e marrëveshjes. Thotë se nuk mund të parashikojë hapat dhe aktivitetet që do të ndërmerreshin në të ardhmen.
Mendoj se marrëveshja e nënshkruar nga të dyja palët parasheh disa hapa lidhur me implementimin. Ne presim që nga fillimi i vitit të ardhshëm të shohim implementim të plotë të marrëveshjes. Unë besoj se marrëveshja e nënshkruar nga të dyja palët do të ndihmojë në krijimin e kushteve për qytetarët e këtij vendi të mbeten këtu, të krijojnë jetë dhe të ardhme më të mirë për ta. Mendoj se kjo është vlera më e madhe që e ka kjo marrëveshje. Javën e ardhshme pritet që vendet anëtare të BE-së të vendosin për datën e negociatave dhe shpresoj që vendet anëtare të rekomandojnë negociata. Nga ana tjetër, Komisioni Evropian para disa muajve rekomandoi hapjen e negociatave me vendin tuaj, por unë mendoj se me marrëveshjen e nënshkruar nga të dyja vendet, ato treguan përkushtim ndaj vlerave evropiane. Pres që vendet anëtare ta marrin në konsideratë këtë marrëveshje gjatë vendosjes së tyre për ndarjen e datës për negociata – deklaroi Samuel Zhbogar, ambasador i BE-së në Shkup./alsat-m