“Pavarësisht gjallërimit të opozitës, presidenti i Turqisë mbetet një kandidat i fuqishëm dhe popullor”, shkruan në një reportazh nga Stambolli, e përditshmja “The Guardian” e cila sjell një panoramë të palëve pak përpara garës presidenciale.
Gjatë gjithë bulevardeve të Stambollit, dallojnë të mëdhenj posterët e Recep Tayyip Erdoğan. Për 16 vjet, ai ka qeverisur vendin e tij, fitimtar zgjedhje pas zgjedhjeje, duke u zotuar çdo herë se Turqia ndodhet në rrugën e arritjes së statusit të saj si fuqi e madhe në Lindjen e Mesme dhe përtej saj.
Qyteti më i madh i Turqisë është vend i një numri të madh e të larmishëm projektesh madhështore që përputhen me këtë vizion. Në tetor, qeveria ka planifikuar të përfundojnë punën në aeroportin e tretë të Stambollit, që do t’u shërbejë 90 milionë pasagjerëve në vit. Projekti i bypass-it të Bosforit me një rrugë ujore të re prej 45 kilometrash që lidh detin Marmara me detin e Zi – projekt i propozuar së pari në shekullin e 16-të – do të kushtojë miliarda dollarë.
Turqia është më pak se një javë larg nga zgjedhjet e saj ndoshta më të rëndësishme në historinë moderne. Fituesi i garës presidenciale do të marrë një post me pushtet të jashtëzakonshëm, që u miratua ngushtë në referendumin e vitit të kaluar, dhe do të drejtojë deri në vitin 2023 – vitin e 100-vjetorit të themelimit të republikës nga hiri i Perandorisë Osmane.
Partia qeverisëse e Erdogan, “Drejtësi dhe Zhvillim” (AK) përballet me perspektivën e humbjes së shumicës në parlament, por 64-vjeçari që ka kërkuar ta pozicionojë veten si lider i botës muslimane sikundër dhe i vendit të vet, parashikohet ta ruajë presidencën. Ai mbetet politikani më popullor dhe më i fuqishëm i Turqisë pavarësisht një opozite dinamike që nuk pritej.
“Ai është vërtet lider i madh”, thotë Rumeysa Kadak, kandidate për parlamentin nga AK, e cila ka gjasa të bëhet deputetja më e re e vendit. “Ne mund të shohim sesa shumë dhimbje ka në botë, dhe ai është lideri që thotë se bota është më e madhe se pesë (anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së), për t’i thënë ndal botës dhe ai është personi i parë që e thotë këtë”.
Sondazhet e pavarura sugjerojnë një fitore të lehtë në raundin e parë, edhe pse pa një shumicë të fortë, përpara se të mposhtë ngushtë sfiduesin e raundit të dytë.
Muharrem İnce, mësues fizike dhe kandidati kryesor i opozitës sekulare, ka më shumë gjasa të dalë në raundin final përballë Erdoğan. Fushata e tij e ethshme ka tërhequr me mijëra njerëz në tubime në gjithë vendin. Ai është zotuar të kthejë kufizimet mbi liritë fundamentale dhe të restaurojë sundimin e ligjit në Turqi.
Meral Akşener, lider i një partie nacionaliste rebele, ka energjizuar votuesit e rinj në përpjekjen e saj për të garuar me Erdoğan nga krahu i djathtë, ndërkohë që Selahattin Demirtaş, lideri karizmatik kurd, garon në fushatën presidenciale nga burgu në Edirne. Të hënën, ai dha një fjalim inovativ të regjistruar për televizion nga burgu ku apeloi votuesit të refuzojnë sundimin e një personi.
Sidoqoftë, Erdoğan, shpesh i klasifikuar nga fushatuesit e të drejtave të njeriut si lider i fortë përkrah Donald Trump, Vladimir Putin dhe Viktor Orbán, ka gjasa të rizgjidhet. “Turqia e Madhe kërkon një lider të fuqishëm”, thuhet në osterët e tij të fushatës.“Ka dy Turqi, besoj unë: një Turqi e imagjinuar nga shkrimtarët perëndimorë, dhe një Turqi reale, këtu, dhe ne jemi dëshmitarë të kësaj Turqie”, thotë Fahrettin Altun, ekspert në Fondacionin për kërkime ekonomike, politike dhe sociale, një kompani me lidhje me qeverinë. “Votuesit besojnë se një Turqi e fuqishme mund të arrihet nga lidershipi i Erdoğan dhe ata besojnë se Erdoğan është simbol i Turqisë së shumicës. Erdoğan është zëri i shoqërisë turke”.
Pretendimi i fundit është i debatueshëm. Në votimin e fundit të madh – referendumin për fuqitë presidenciale – Erdoğan fitoi me një diferencë të vogël ndërsa pati akuza për manipulim.
Altun thotë, sidoqoftë, se përpjekjet e lidërve të opozitës për të imituar Erdoğan, provojnë se ai ofron përfaqësimin e mirë të shoqërisë turke.
Kandidati İnce ka qasje populiste në fjalimet e tij dhe me raste ai përshtat edhe tonalitetin e kënaqjes së turmës, slogane anti-perëndimore, të tilla si zotimi për të mbyllur bazën ajrore İncirliktë përdorur nga Shtetet e Bashkuara, nëse Uashingtoni nuk ekstradon Fethullah Gülen, predikuesin me bazë në Pensilvani i cili akuzohet si mendja pas grushtit të shtetit të vitit 2016. Duke imituar devocionin fetar të presidentit, si kandidati Akşener ashtu edhe İnce kanë theksuar se ata janë personalisht të devotshëm.
Premtimi i Erdoğan dhe partisë AK ndaj votuesve shpesh është mbështetur mbi dy kollona: rritje ekonomike dhe demokratizim, që në fakt duan të thonë një zë më i madh për bazën e tyre, dikur të lënë padore. Mbështetësit e presidentit admirojnë devocionin e tij publik, më së shumti pasi kjo u ka lejuar atyre që e identifikojnë veten si muslimanë të devotshëm, të jenë pjesë e shoqërisë së vendit pas dekadash përgojimi nga ana e grave dhe burrave sekularë të vendit të tyre.
Nën lidershipin e Erdoğan, shamitë lejohen në parlament, në universitete dhe në ndërtesat publike, një transformim që shumë pak mbështetës të tij ka gjasa të harrojnë. “Si adoleshente në Ankara në vitet 1980, ne nuk mund të mbanim shaminë në shkollë”, tregon Ravza Kavakçi, deputete e partisë AK. “Kështu që gjatë fundjavave ose jashtë shkolle, nëse njerëzit nuk do të më fyenin, e ndjeja veten të padukshme, shqetësohesha se ata nuk më shihnin”
“Por me demokratizimin, unë u pranova si një qenie njerëzore. Si myslimane, nuk kishte rëndësi se çfarë thonin apo bënin të tjerët, unë u pranova ashtu si isha”.
Ekonomia, ndërkohë, ka pësuar disa tronditje. Papunësia mes të rinjve mbetet e lartë, dhe vlera e lirës turke ka rënë ndaj dollarit. Por, imazhi i liderit të fortë i ka lënë pjesën më të madhe të votuesve të bindur se vetëm Erdoğan mund të rregullojë ato që trazojnë Turqinë.
Kiraz, një votuese 55-vjeçare e partisë AK, thotë se nuk ka durim për liderët e opozitës që pretendojnë se janë fetarë apo se dëshirojnë të shpëtojnë vendin. Ajo qëndron e ulur me shoqet e veta në oborrin e xhamisë Fatih në Stamboll, që ka marrë emrin nga Mehmet Pushtuesi, i cili vuri në kontroll Konstandinopojën nga Bizanti.
Ajo e quan kandidatin presidencial të opozitës, İnce “një gënjeshtar që do të shkatërrojë çdo gjë”.
“Nuk ka radhë në spitale, kemi rrugë, parqe, çdo gjë, çfarë duam më shumë”, pyet ajo.(tesheshi)