Qeveria ende nuk ka përcaktuar se cili do të jetë pragu i të ardhurave mbi të cilin qytetarët do të paguajnë një tatime më të larta. Pas reagimeve në publik se për të ardhurat mbi 1,000 euro qytetarët do të paguajnë tatim prej 18%, kryeministri Zoran Zaev pohon se kufiri i tatimit progresiv nuk është përcaktuar, por se reforma tatimore do të bëhet me debat publik ku qytetarët do të kenë votën e tyre. Megjithatë, ai përsëriti se ata që kanë të ardhura më të larta duhet të paguajnë tatim më të lartë.
Radha është që gjithë qytetarët që kanë të ardhura më të larta, sidomos më të larta se 1.500, 2.000, 3.000, 5.000 euro, të paguajnë më shumë. Dhëntë Zoti që të gjithë të kemi më shumë, dhe të gjithë të paguajmë më shumë tatim ndaj shtetit- deklaroi kryeministri Zoran Zaev.
Por, Kryeministri vlerëson se tani nuk është moment i përshtatshëm për t’u hapur debati për reformën e tatimeve, sepse fokusi i qytetarëve është në zhvillimet politike në vend. Ai thotë se para 1 janarit 2019 nuk do të ketë tatim progresiv. Këto ditë, në opinion jozyrtarisht qarkullon version jozyrtar i punës në ndryshimet e ligjit për tatim personal. Sipas informacioneve, reforma tatimore e Qeverisë parashikon që qytetarët të cilët gjatë vitit kanë pasur të ardhura mbi 720,001 denarë ose më shumë se 1,000 euro në muaj, të paguajnë tatim personal prej 18%, në vend që paguajnë tani 10%.Të ardhurat që rrjedhin nga prona intelektuale, qiraja, fitimet kapitale, lojërat e fatit dhe sigurimit do të tatohen me një normë prej 15.Me tatim prej 15% do të tatoheshin edhe normat që qytetarët i kanë marrë nga kursimet në banka, e që janë mbi 15,000 denarë në vit. Sipas informacioneve të Alsat M, nga Komisioni që punon në reformën e tatimeve ende nuk ka një zgjidhje konkrete se çfarë lloj i tatimit progresive do të aplikohet. Ka më shumë propozime dhe zgjidhje, por nuk ka pajtueshmëri nga të gjitha palët për atë se në cilin drejtim duhet të lëvizë reforma tatimore. Mospajtimet janë shfaqur pasi të dhënat mbi zbatimin e buxhetit tregojnë rritje të të ardhurave, veçanërisht nga mbledhja e taksave.
Aleksandra Spasevska