Ballina Bota Trump: Koreja e Veriut vazhdon të mbetet kërcënim madhor për SHBA-në

Trump: Koreja e Veriut vazhdon të mbetet kërcënim madhor për SHBA-në

Edhe pse shtrëngoi duart me Kim Jong Un në samitin historik të 12 qershorit në Singapor, dhe vetëm pak ditë pasi pohoi se programi bërthamor i vendit komunist nuk përbën më rrezik, Donald Trump ka dalë me deklaratën se Koreja e Veriut vazhdon të mbetet një kërcënim madhor për Shtetet e Bashkuara.

Në urdhrin ekzekutiv të firmosur të premten, presidenti amerikan e zgjati me një vit të ashtuquajturën “emergjencë kombëtare”, të lidhur me kombin e armëve atomike, çka autorizon sërish sanksione ekonomike kundër tij.

Përpara 9 ditësh ishte vetë Trumpi ai që shkruante në Twitter: nuk ka më asnjë kërcënim nuklear nga Koreja e Veriut. Kjo e fundit nga ana tjetër i ka ulur shumë tonet armiqësore ndaj Shteteve të Bashkuara.

Posterat e saj të propagandës ku Amerika tregohej si një agresor brutal imperialist janë zëvendësuar me mesazhe për progress ekonomik dhe përafrim ndërkorean.

Ndryshimi i kursit shihet qartë edhe në titujt e gazetave. Emergjenca kombëtare në Amerikë është në fuqi që prej 2008-tës si shenjë e tensioneve të vazhdueshme mes dy vendeve që duhet ende të negociojnë kushtet sipas të cilave shteti komunist duhet të heqë dorë nga arsenali i tij atomik dhe të përfitojë lehtësimin e sanksioneve.