Në prag të zgjedhjeve të përgjithshme dhe presidenciale të 24 qershorit, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka pranuar se partia e tij në fuqi AKP mund të humbasë shumicën parlamentare. Ky pohim i pazakontë i zotit Erdogan vjen ndërkohë që fushata e tij është goditur nga një sërë hapash të gabuar dhe një ecuri e dobët.
Të dielën e kaluar, Presidenti Erdogan mobilizoi më shumë se një milion mbështetës për tubimin e tij në Stamboll. Kjo ishte një nga sukseset e rralla në fushatën e zotit Erdogan, sepse pjesëmarrja në mitingjet e tij ka qenë shumë më e ulët se në fushatat e mëparshme.
Sipas njoftimeve, disa takime të Erdoganit u shtynë për shkak të pjesëmarrjes së dobët, diçka që është mohuar nga AKP. Njoftohet se zoti Erdogan i ka qortuar disa herë ata që kanë dalë në mitingje për shkak të mungesës së entuziazmit.
Vetëm disa muaj para se të kërkonte zgjedhje të parakohshme, Presidenti Erdogan bëri thirrje për një reformë në shkallë të gjerë të partisë së tij, duke spastruar qindra zyrtarë.
Reforma hoqi shumë zyrtarë të njohur, veçanërisht në qytetet e Anatolias. Në këtë rajon janë shumë nga mbështetësit më besnikë të zotit Erdogan, të cilët e mbështetën presidentin vitin e kaluar duke bërë që të miratohej me rezultat të ngushtë referendumi për zgjerimin e kompetencave të tij.