Nga Armand Shkullaku
Qeveria shqiptare nuk kishte asnjë arsye të vetme të thërriste fitore pas vendimit të Këshillit të ministrave të Jashtëm të BE në Luksemburg. Sigurisht, pas një beteje deri në momentet e fundit të ministrit të Jashtëm, Bushati, falë edhe mbështetjes gjermane, ajo ia doli të shmangë një vendim zyrtar të refuzimit të hapjes së negociatave dhe mbi të gjitha të sigurojë që në këtë proces Shqipëria të mos shkojë e ndarë nga fqinji i saj lindor, Maqedonia. Por vetëm kaq.
Kjo zgjidhje kompromisi ishte një korridor frymëmarrje për qeverinë, por kurrsesi një fitore për Shqipërinë. Për kryeministrin shqiptar, hapja e negociatave këtë qershor ishte një “çështje për jetë a vdekje” dhe në skenarin e tij më të keq, ai kishte vënë bast se në mos këtë verë, në fund të vitit 2018, vendi do të siguronte miratimin e rekomandimit të Komisionit Europian dhe do të kishte një datë për çeljen e bisedimeve për kapitujt e anëtarësimit. Vendimi tashmë është shtyrë edhe për një vit, rekomandimi i Komisionit për hapjen pa kushte të negociatave nuk u votua dhe në qershorin e ardhshëm do të ketë një tjetër raport për të vlerësuar progresin e Shqipërisë në 13 pika. Ky raport do t’i nënshtrohet miratimit nga parlamentet e vendeve anëtare dhe mbështetjes nga Këshilli Europian dhe më pas do të vijohet nga konferenca e parë ndërqeveritare, që nëse gjithçka shkon në rregull, parashikohet të mbahet në dhjetor të vitit 2019.
Me pak fjalë, Shqipëria ka evituar një mbetje në klasë, por ka arritur të sigurojë një tjetër “provim në vjeshtë” për të mos e humbur përfundimisht provimin. Kjo nuk mund të jetë një fitore, por thjesht një mundësi për t’u përgatitur më mirë për provën e qershorit 2019. Vendi ka humbur të paktën dhe një vit në procesin e integrimit, rekomandimi pa kushte i Komisionit ka rënë, një tjetër raport duhet të hartohet për të verifikuar progresin e 1- vjeçarit të ardhshëm dhe, mbi të gjitha, 5 prioritetet kryesore janë shndërruar në 13 kushte, verifikimi i të cilave do të bëhet jo vetëm nga Komisioni, por edhe nga parlamentet e vendeve anëtare.
Kryeminstri Edi Rama mund t’i shmangte tonet triumfaliste, të paktën në respekt të shqiptarëve, të cilëve u kishte garantuar se këtë qershor (maksimalisht këtë dhjetor) ai dhe qeveria e tij do të merrnin hapjen e negociatave, madje dhe një datë për nisjen e shqyrtimit të kapitujve për anëtarësim, ashtu si fqinjët serbë e malazezë. Shtyrja e vendimit për hapjen e negociatave, qoftë edhe për një vit, nuk mund të përkthehet si triumf. Maksimalisht do të duhej të lexohej si një mbështetje inkurajuese për ecurinë e Shqipërisë. Kaq. Pjesa tjetër është një sërë detyrash që qeveria duhet të angazhohet me kokën ulur për t’i realizuar.
Tejkalimi i masës, për ta përcjellë vendimin për të mos marrë vendim të Këshillit Europian, si një sukses të qeverisë dhe dështim të opozitës “antikombëtare”, e çon në kufinj qesharakë përpjekjen e shqiptarëve për të qenë pjesë e BE. Nga një sfidë serioze, ajo shndërrohet në një komedi lokale, ku kryeministri hedh valle i vetëm në gojën e ujkut dhe ia del si fanar ndriçues të mposhtë armiqtë e brendshëm dhe ata të jashtëm. Njerëzit normalë presin përgjigje konkrete se kur të do të ngrihen organet e pavarura të hetimit si SPAK dhe BKH, kur do të ketë vendi insititucionet e garantimit të reformës në drejtësi, kur do të funksionojë Gjykata Kushtetuese dhe kur do të përfundojë vetingu për gjyqtarët dhe prokurorët. Ata, ashtu si dhe BE, duan të shohin zyrtarë të lartë përpara një drejtësie të pavarur, duan angazhim proaktiv në luftën kundër drogës dhe krimit të organizuar. Një ekonomi jo të komanduar nga interesat korruptive dhe një shoqëri më të drejtë, që nuk i detyron të lënë vendin për të kërkuar azil në dyert e BE.
Marrja e përgjegjësive për këto sfida do të ishte përgjigjia më e mirë që kryeministri mund t’u jepte shqiptarëve dhe reagimi dinjitoz ndaj vendimit të Këshillit Europian. Një modesti që do duhej të fliste me punë dhe jo me përrallat e heronjve që paskan marrë mbi shpinë fatet e kombit dhe përballen me armiqtë esadistë, mediat e zeza, qarqet antishqiptare, e përralla të tjera. Edi Rama nuk korri një fitore, por siguroi një mundësi më shumë për t’u marrë në provim qershorin e ardhshëm. Deri atëherë duhet të ulë kokën se ka shumë për të bërë. Ndodhet pikërisht në momentin kur nuk duhen fjalë por vepra. Dhe në këtë drejtim, meqë nuk shkëlqen, të paktën të heshtë deri në provimin e radhës. Po ia doli, pavarësisht vonesave, triumfi i tij do të jetë edhe triumf i shqiptarëve. Por sot, festa e tij është pakuptim. Po bën dasëm pa marrë akoma nusen.(Lapsi.al)