Ballina Aktualitet Lajme BANORËT E CVETOVËS PA RRUGËDALJE, SHIU I LË TË IZOLUAR (VIDEO)

BANORËT E CVETOVËS PA RRUGËDALJE, SHIU I LË TË IZOLUAR (VIDEO)

Mund të konsiderohet si një rrugë që zhduket, pasi rreth 800 banorë që jetojnë në fshatin Cvetovë kur nisen nga shtëpitë e tyre nuk e dijnë a mund të dalin ose jo nga fshati për të kryer obligimet e tyre. Urat lidhin, megjithatë në këtë rast, nga mungesa e një ure të mirëfilltë, banorët e Cvetovës shkëputen nga qyteti dhe çdo fshat që e rrethon.

Banorët thonë se kjo është rruga e vetme që lidh fshatin Cvetovë me Shkupin dhe rrethinën, dhe e njejta zhduket secilën herë që ka reshje të shiut. Nënkryetari i Bashkësisë Lokale të Cvetovës, Sulejman Bekteshi, në emër të banorëve të fshatit kërkon nga autoritetet që të ndërmarrin masa dhe t’u dalin në ndihmë atyre.

“E vetmja rrugë që e lidh fshatin Cvetovë me Shkupin dhe rrethinën është kjo. E shihni edhe vetë, uji i lumit të Markovës, na e vështirëson lëvizjen dhe na shkakton shumë  probleme, nuk mund të arrijmë në qytet, ndërkaq kemi njerëz të sëmurë, kemi njerëz që janë nëpër punë, i kanë obligimet e përditshme, problemet e përditshme, dhe në emër të banorëve të fshatit Cvetovë, bëjmë apel tek Qeveria dhe Ministria për Transport dhe lidhje dhe institucionet tjera, që të na dalin në ndihmë lidhur me këtë problem…Ne ballafaqohemi me dekada me këtë problem”, deklaroi nënkryetar i bashkësisë lokale të fshatit Cvetovë, Sulejman Bektesh.

Njëri nga banorët, i cili është operuar para një muaji, sot në mëngjes u ballafaqua me shumë probleme, derisa po shkonte në spital për të marrë ndihmë mjeksore. Megjithatë ai thotë se akoma më të ëvshtirë e kanë gratë të cilat po ashtu vuajnë nga sëmundje të rënda dhe mezi arrijnë të shkojnë në qytet për të marrë ndihmën e nevojshme mjeksore.

Banor i fshtatit Cvetovë: “Sot në mëngjes kur vi, jam operuar para një muaji nga adinu karcinum, nuk mund të shkoj as 50 metra në këmbë, dhe duhet njerëzit të më dërgojnë për rrezatim, në radioterapi që e kam patjetër ta bëj çdo ditë, prej së cilës edhe më varet jeta. Nuk jam i vetmi, në mëngjes takova banorë me bashkëshortet e tyre, që vërtetë gruaja i vuan nga një sëmundje shumë e rëndë në mëlçi dhe duhet patjetër ta dërgojë në spital. Problemi zvarritet me vite, që kur ekziston fshati”.

Takuam edhe shoferin e autobusit me të cilin udhëtojnë banorët e Cvetovës, ai foli se sa e vështirë është për të për të kryer punën e tij.

Banor i fshtatit Cvetovë: “Gjëra të tilla ndodhin shpesh, kthehem prej pune, unë jam shofer autobusi, njerëzit i zbres gjatë rrugës, nuk mund t’i dërgoj deri lart. Kjo na ndodh shpesh, nuk ka as përfaqësues të pushtetit të vijë të na shohë, e lëre më kryetarin e komunës së Studeniçanit, ai vetëm e sheh punën e vet…. Para 10 ditëve sasia e ujit ishte akoma më e madhe. Unë me fëmijët e mi deri në orën 2 pas mesnate kemi qëndruar këtu që të ulet sasia e ujit dhe të kalojmë në këmbë”.

Edhe ura që ndodhet aty, thonë banorët, është ndërtuar me vetë iniciativë. Kryetari i komunës së Studeniçanit, Azem Sadiki, është i vetëdijshëm për problemin, mirëpo ai thotë se momentalisht nuk ka mundësi financiare për ndërtimin e një ure të re në këtë fshat. Në mundësinë e parë që do të jepet, thekson Sadiki, do të bëhet ndërtimi i asaj ure.

Azem Sadiki, Kryetar i komunës së Studeniçanit:  “Ne si komunë për atë pjesë kemi bërë projekt që të ndërtohet një urë e re, një urë e madhe, mirëpo ende nuk kemi mundësi financiare dhe kemi aplikuar gjithkund me projektin, nëpër fonde të ndryshme në Ministri të Transportit. Mundësia e parë që do të na jepet ne do ta ndërtojmë atë urë, mirëpo derisa ka kështu raste, secilën herë që ka pasur vërshime bëjmë intervenime dhe e bëjmë rrugën të kalueshme”.

Ekipi ynë nuk arriti që të shkojë në fshatin Cvetovë, ngjashëm edhe si të gjitha veturat që ishin nisur për atje dhe kishin mbetur në Markovë Sushicë. Lumi i Markovës e pamundëson një gjë të tillë.

Ajnur Bafqari /SHENJA/