Fillimisht i dëshiroi mirëseardhje në NATO
“Kryeministër Zaev, shoku im i dashur Zoran… Mirëserdhe në zyrat e NATO-s! Mirëserdhe në NATO!”, u shpreh Jens Stoltenberg, Sekretar gjeneral i NATO-s.
E më pas ia tregoi vendin e rezervuar për Maqedoninë në tabelën ku qëndrojnë flamujt e vendeve anëtare.
Në pres konferencë u kumtua edhe lajmi i gëzueshëm për pushtetin… Sekretari gjeneral i tha kryeministrit se sapo të përfundoj procesi i realizimit të marrëveshjes me Greqinë, Maqedonia do të bëhet anëtare e NATO-s.
“Dua që tu përgëzoj juve dhe kryeministrin Cipras për lidershipin, guximin dhe përkushtimin që ju të dy e treguat për tu arritur marrëveshje. Në samitin tonë pas dy javëve, pres që krerët e shteteve aleate do t’ju ftojnë që ti filloni bisedimet për anëtarësim. Dhe pasi t’i përfundoni të gjitha procedurat brenda shtetit tuaj që të finalizohet marrëveshja, ju do të bëheni pjesë e NATO-s”, tha Stoltenberg.
Është një mundësi historike të cilën Maqedonia nuk guxon ta lëshojë, kurse anëtarësimi do të siguronte siguri dhe stabilitet jo vetëm për Ballkanin, por edhe për Evropën, tha Stoltenberg. Megjithatë, sekretari gjeneral i NATO-s tha se sa shpejt vendi do të anëtarësohet, varet vetëm nga institucionet e Maqedonisë. E detyrat e shtëpisë i din mirë kryeministri, Zoran Zaev. Ai u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen rreth qëllimit, pasi që kjo sipas tij, do të sigurojë ardhmëri të sigurt dhe ekonomi më të mirë.
“Hap pas hapi, për vetëm 1 vit, vendi jonë e arriti atë që askush nuk ka mundur ta parashikojë. Qasja jonë e cila është në frymën e bashkimit krijoi një vullnet të fortë politik, dialog të sinqertë dhe përgatitje për zgjidhje që rezultoi me lajme dhe vendime shumë të gëzueshme këto ditë. Na mbesin detyrat tona të shtëpisë, por tani kemi për çka të bashkohemi, të dalim në magjistralen e gjerë dhe të themi, po për ardhmërinë tonë”, tha Zaev.
E opozita vazhdon ta akuzojë kryeministrin dhe ministrin për punë të jashtme se kanë dështuar për të marrë datë për hapjen e negociatave këtë vit. Sipas Antonio Milloshovskit, Franca, Holanda dhe Danimarka nuk kanë dhënë pëlqim për hapjen e negociatave pasi që vendi nuk ka arritur të përmbushë kushtet thelbësore që dalin nga Raporti i Pribe-s dhe Plani 3-6-9, sidomos në pjesën e reformave në gjyqësor, luftën kundër korrupsionit dhe sundimin e ligjit.